“Në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë edhe besimi juaj është i kotë”, thotë Shën Apostulli Pal në letrën e tij të parë drejtuar Korintasve. Mishërimi i Krishtit dhe kulmi i veprës së Tij shëlbuese - vdekja dhe Ringjallja e Tij - është thelbi i mësimit të krishterë, i cili e mban gjallë besimin e të krishterëve për më shumë se dy mijëvjeçarë. Në këtë kuptim, Ringjallja e Krishtit është thelbësore për besimin e krishterë, sepse ndryshon status quo-në në univers, shkatërron vdekjen për të dhënë jetë në përjetësi. Dashuria dhe gjithë-falja triumfojnë dhe të gjithë ftohen të festojnë në tryezën e Zotit. Shprehje e kësaj feste madhështore është shërbesa e Pashkëve, në fund të së cilës të gjithë si ata që kreshmuan, ashtu edhe ata që nuk mbajtën kreshmë ftohen të marrin kungim për të pranuar Zotin në vetvete dhe për t’u bashkuar me Të.
“Është një bukuri, kur e dimë se vdekja nuk është e frikshme dhe se si në pranverë e gjithë jeta rilind, pas vdekjes sonë do të ringjallemi, si Zoti ynë, për jetë të përjetshme dhe të lumtur në mbretërinë e Tij - vëren Krasimira Draguleva, një mësuese shumëvjeçare e gjuhës angleze. - Prandaj, për kombet ortodokse festa më e madhe e vitit nuk është Lindja e Krishtit, por Ngjallja e Krishtit. Është premtimi për të gjithë ne për atë që do të vijë, por sigurisht, me kusht që të jetojmë në Krishtin, jo vetëm të asistojmë në shërbimet kishtare, të ndezim qiri, por edhe të marrim kungimin e Shenjtë -Eukaristinë. A e duam Atë, a besojmë në Të? Besimi në Të do të thotë studim i mësimeve të Krishtit dhe përjetim i Eukaristisë së Shenjtë, me pendim, mirëdashje dhe synim për hyjnizimin. Kjo është Ringjallja e Krishtit! Kjo është arsyeja pse është një festë kaq e mrekullueshme dhe gjithëpërfshirëse.”
Ngjalljen e quajnë festën e festave, sepse nuk ka gëzim më të madh se fitorja mbi errësirën dhe vuajtjet. Besimi në Ringjallje dhe në jetën e përjetshme është fuqia që i ndihmon besimtarët të kalojnë nëpër sprova pa pasur dhimbje dhe hidhërim në shpirtrat e tyre.Ajo që e dallon një të krishterë të vërtetë është mungesa e plotë e ligësisë dhe zilisë, dhe pavarësisht nga vuajtjet e tij personale, ai mund të gëzohet së bashku me të tjerët. “Kjo është, do të thosha, një shenjë e vetëmohimit, e ngjashme me atë të Krishtit”, vëren At Boris Borisov nga kisha “Shpërfytyrimi i Shenjtë” e kryeqytetit dhe shton:
“Të gjithë kemi sprova të vështira, momente të vështira dhe këtu duhet t’i kthejmë sytë nga Kryqi i Krishtit dhe Ringjallja e Tij e ndritshme, e cila na tregon kuptimin e vuajtjes. Kjo është diçka që ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht, natyrisht, thjesht racionalisht, por megjithatë thelbi më i lartë i vuajtjes është që ne të përmirësojmë veten. Si ari në furrë, në zjarrin e pikëllimeve, të gëzohemi së bashku me njerëzit që na rrethojnë, të cilëve po ndodhin ngjarje të gëzueshme në këtë moment, të ruajmë njerëzimin tonë, të mund të ngrihemi me madhështi - kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme.”
Sipas At Borisit, çdo njeri në një moment të jetës së tij kalon nëpër pikëllime dhe humbje të rënda, çështja është të mbajmë kryqin si një pjesëmarrje në Shpëtimin tonë, në mënyrë që të kemi pjesë në Ringjalljen e Krishtit:
“Siç tha Jezu Krishti: “Kushdo që dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”. Kisha e drejton vëmendjen tonë pikërisht te këto të vërteta, se të qenit ithtarë të Krishtit nuk është diçka që thjesht nënkuptohet, por duhet të kemi përpjekje të vazhdueshme dhe kështu të detyrojmë veten - vëren At Boris. - Kjo do të thotë në një luftë të brendshme të luftojmë egoizmin tonë, varësinë tonë nga fitimi, tekat dhe dobësinë tonë të karakterit, në mënyrë që realisht t’i afrohemi sa më shumë Zotit, për t’u bërë si Zoti, gjë që është qëllimi i jetës së krishterë.”
Shikoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova
Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..
Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..
E quajnë Virgjëreshën e Shenjtë Nëna e Jetës së vërtetë, e cila me lutjet e saj shpëton shpirtrat e njerëzve nga vdekja. Ajo është më e dashura dhe më e lavdëruara pas Zotit, tek e cila të gjithë i drejtohen. Kisha e nderon atë më 15 gusht, Ditën e..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..