“Arti është diçka pa të cilën nuk mund të ketë kulturë, zhvillim dhe qytetërim. Pa art, jeta do të jetë bosh, pa bukuri, pa kënaqësi, kjo jetë do të jetë e varfër. Preferoj të jem piktor sesa president” – thotë një nga mjeshtrit më të mirë të penelit në vendin tonë, Prof.Deçko Uzunov (1899-1986).
Më 22 shkurt të këtij viti u mbushën 124 vjet nga lindja e tij dhe ky është rasti për të vizituar Galerinë Muze “Deçko Uzunov”. Ajo është e vendosur në atelienë e Xha Deçkos, siç e quanin kolegët dhe miqtë e tij. Në fondin e saj ruhen gjithsej 13 mijë vepra të piktorit, shumica prej të cilave janë vizatime të vogla, skica dhe projekte të ndryshme. Deçko Uzunov i kushtoi një pjesë të madhe të punës së tij pikturës së portretit. Ai krijoi kryevepra absolute që në fillim të rrugëtimit të tij krijues. Midis tyre është “I bardhi Masalitinov" - një portret i aktorit Nikollaj Masalitinov, i cili është krahasuar me pikturat më të sofistikuara abstrakte të shekullit. Teknika e përdorur “e bardhë mbi të bardhën” përkufizohet si detyra më e vështirë në pikturë. Dhe i famshmi “Portreti i fëmijës” i piktorit nuk ka analog në artin evropian, prandaj bashkëkohësit e njohin atë si portretisti më i mirë i kohës së tij. Gjatë jetës së tij, Deçko Uzunov udhëtoi për në Paris dhe takoi Pikason, mori një diplomë nga Ekspozita Ndërkombëtare në vitin 1937 dhe nga Vatikani, për afresket e tij në pavijonin bullgar atje. Vetëm 38 vjeçar, Deçko Uzunov tashmë ishte profesor universitar dhe kryetar i Lidhjes së Piktorëve.
Pikturat e tij ekspozohen në Berlin, Mënik, Lajpcig, Nuremberg, Vjenë, Athinë, Pire, Selanik, Vjenë, Budapest, Nju Jork, Venecia. Në vendlindje u zgjodh rektor i Akademisë së Arteve Figurative.
Pas vdekjes së Deçko Uzunovit (1986), trashëgimtarët e tij i dhuruan Komunës Metropolitane një koleksion të madh pikturash dhe me to u krijua një lloj muzeu në emër të tij. “Në atelienë ai pikturonte në katin e dytë, dhe në katin e parë të kësaj shtëpie, gjithmonë kishte një ekspozitë të vogël të tij, ku për festa të ndryshme mblidhte miq, bashkëmendimtarë”, tregon Adelina Fileva, drejtoreshë e Galerisë së Arteve të qytetit të Sofjes.
“Kushdo që do të vizitojë atelienë tani do të shohë se aty është vendosur edhe një piano e madhe për muzikantët, në përgjithësi gjithçka ishte shumë artistike. Në vitin 2016 e ofruan atelienë për menaxhimin nga Galeria e Arteve të qytetit të Sofjes. Atëherë vendosëm që duhet të kujdesemi plotësisht për këtë vend. Bëmë një rinovim të plotë, restauruam mobiliet origjinale në katin e parë dhe të dytë. Më pas rregulluam studion ku ai punonte dhe tani mund të shikohet. Me kolegët zhvilluam disa programe që të paktën çdo tre muaj të ketë rubrika të ndryshme artistike dhe publiku të shihet dhe të ndjejë personalitetin e Deçko Uzunovit. Ne organizojmë gjithmonë një ekspozitë me veprave të tij më 22 shkurt.”
Vetë Deçko Uzunov, përveç pikturave të tij, mbetet në histori me një krijimtari shumë të gjithanshme. Përveç ilustrimit dhe grafikës, natyrës së qetë dhe skenave historike, Deçko Uzunov punon edhe në pikturë monumentale-dekorative. Vepra e tij janë afreske në kishën “Shën Gjon Pararendësi” në qytetin Kazanllëk, në Operën Kombëtare, në Teatrin Kombëtar, në Pallatin Kombëtar të Kulturës dhe një pjesë të vitrazhit në Gjykatën e Sofjes. Ai bën edhe ilustrime për libra të zhanreve të ndryshme, krijon dekoret dhe kostumet për shfaqje teatrore dhe baleti” – thotë Adelina Fileva:
“Deçko Uzunov, përveç që ishte pedagog në Akademinë tonë të Arteve dhe kryetar i Lidhjes së Piktorëve, drejtoi edhe Departamentin Ndërkombëtar të Piktorëve. Më pas ai u ftua të bëhej president, dhe më vonë president nderi, i Asociacionit Ndërkombëtar të Arteve Plastike (AIAP) pranë UNESCO-së, dhe ai qëndroi në atë pozitë për një kohë shumë të gjatë. Ky është një piktor që udhëtonte shumë, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme. Veprat e tij gjenden në galeri në Evropën Perëndimore dhe në Ballkan. Që kur ishin të rinj piktorët e brezit të tij, komunikuan shumë dhe shkëmbyen tablo. Prandaj Deçko Uzunov është një nga piktorët bullgarë më të njohur jashtë vendit.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES-arkiv, Facebook/ Galeria Muze “Deçko Uzunov”
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për..