Në krye të 150 vjetorit të varjes së Vasill Levskit, në qendër të Sofjes do të vendoset solemnisht një pllakë përkujtimore e punuar nga skulptori i Tërnovos Ivan Sirakov. Pritet që ajo t'i japë fund pyetjes së të panjohurave në lidhje me shtëpinë e përjetshme të Apostullit. Pas vitesh kërkimi të kujtimeve të dëshmitarëve dhe në arkivat e Muzeut Kombëtar të Historisë Ushtarake, studiuesi Nikollaj Ivanov arriti në përfundimin se varri i Dhjakut ndodhet pranë ndërtesës së Ministrisë së Bujqësisë në rrugën “Damjan Gruev” nr.6. Vendi u përcaktua me ndihmën e metodave komplekse moderne të matjes dhe të krahasimit të të dhënave historike, skicave me dorë të vendit të vitit 1894 dhe të planeve të sotme të Sofjes.
Kërkimi i lipsanave të Vasill Levskit filloi pas Çlirimit në 1878, por pa sukses. Historianë, arkeologë dhe madje edhe klerikët debatojnë për vendndodhjen e tyre, por ende nuk dihet saktësisht se ku është varrosur luftëtari ynë më i shquar i lirisë. Lindin teori dhe hipoteza të ndryshme.
Varja
Nga biografitë e Levskit dihet se trupi i tij u hoq nga trekëmbëshi (atëherë në periferi dhe sot në qendër të Sofjes) dhe u hodh në një hendek të cekët jo shumë larg vendit. Të nesërmen hendeku ishte bosh.
"Varrezat famëkeqe"
Një nga versionet më të përhapura thotë se Vasill Levski u preh në të ashtuquajturat "varreza famëkeqe", ku varrosen kriminelët e ekzekutuar (sot - kopshti përballë Gjimnazit Matematikor të Sofjes). Por shumë studiues, përfshirë historianin Nikollaj Ivanov, besojnë se kjo hipotezë nuk mbështetet nga provat shkencore.
Kisha “Shën Petka Samarxhijska”
Sipas disa raporteve, pikërisht këtu, "në të majtë të altarit" në tempullin antik në zemër të qytetit, trupi i Levskit u rivarros fshehurazi. Informacioni u raportua që në vitin 1937, por mbeti i pakonfirmuar deri në vitin 1956, kur filluan gërmimet arkeologjike në qendër të kryeqytetit për të verifikuar tezën. Në vendin e treguar në kishën e shekullit të 11-të, u gjet një skelet i një njeriu, i varrosur në një gropë varrimi pa arkivol. Mirëpo, sipas arkeologëve bullgarë skeleti i zbuluar është i një bizantini. Disponojmë vetëm përshkrim të lipsanave, të cilat janë transportuar, gjë që nuk lejon të bëhet analiza e ADN-së. Në vitin 1986, Akademia Bullgare e Shkencave mori vendim për t’u vendosur atje një pllakë përkujtimore pranë kishës, por më vonë e ndryshoi pozicionin e saj. Më 19 shkurt 2012, pllaka është rivendosur.
Gjyshja Vanga
Flitet se profetesha e verbër ka treguar se eshtrat e Vasill Levskit ndodhen nën kishën “Shën Nikolla Mrekullibërësi i Mirës” (përballë Mitropolisë së Shenjtë të Sofjes). Sipas historianëve, tempulli ka funksionuar gjatë sundimit osman dhe ka qenë pranë vendit të varjes. Gjatë viteve të kaluara janë drejtuar kërkesa për të skanuar tempullin, por nuk është marrë leje deri më tani.
Teza e Nikollaj Ivanovit
Si person shpirtëror, Vasill Levski u varros nga dy priftërinj në varrezat e vjetra të krishtera në periferi të Sofjes, pranë kishës së vendosur atje. Në gusht 1937, gjatë gërmimeve arkeologjike u gjetën themelet e një kishe të vogël dhe më shumë se 30 varre, njëri prej të cilëve përmbante një skelet dhe dy kafka. Bëhet e ditur se në varrin e Levskit ishte vendosur edhe koka e prerë e revolucionarit Georgi Benkovski, e cila ishte provë materiale gjatë procesit gjyqësor kundër pjesëmarrësve në Kryengritjen e Prillit. Eshtrat u dorëzuan për kërkime, por ndërtesa në të cilën ndodhen u shkatërrua gjatë bombardimeve të Sofjes në Luftën e Dytë Botërore. Historiani është i bindur se në tokë kanë mbetur kocka të vogla, të cilat do të konfirmojnë gjetjen e varrit të vërtetë të Apostullit.
“Kjo është një pikë kthese në hulumtimin historik për Vasill Levskin – thotë Nikollaj Ivanov. - Po е rikthejmë të vërtetën historike pas 150 vjetësh. Varri i Levskit do të rrethohet dhe nuk do të përdhoset më. Dhe mbi të gjitha do t'ia plotësojmë dëshirën e tij të fundit: "Nëse më varin, të paktën varri im do të mbetet në Bullgari dhe të gjithë do ta dinë".
Publikimi është në kuadër të një projekti të realizuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, sipas Programit Kombëtar për përkujtimin e 150 vjetorit të vdekjes së Vasill Levskit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, mitropolia-sofia.org, arkiv, arkiv personal
Shkrimtar, hero i Luftës së Dytë Botërore, aviator, gazetar, regjisor dhe diplomat - personaliteti i Romain Gary (1914-1980) është shumështresor dhe enigmatik. Dhe Bullgaria zë një vend të veçantë në jetën dhe veprën e një prej autorëve francezë më të..
A ndodh që nëpër muze të ketë edhe disa eksponate të falsifikuara aq mirë sa nuk dallohen fare nga origjinalet - ka zëra dhe spekulime për këtë temë, por për momentin një seri e tërë falsifikimesh historike janë pjesë e një ekspozite në Muzeun Kombëtar..
Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..