Politika pa parime, Pasuri pa punë, Kënaqësi pa ndërgjegje, Njohuri pa autoritet, Tregti pa moral, Shkencë pa njerëzim, Adhurim pa sakrificë - këto janë shtatë mëkatet në shoqërinë tonë moderne sipas liderit botëror dhe "babait të kombit" Mahatma Gandi. Mëkate të përbashkëta për veten dhe për të tjerët, pavarësisht nga feja, origjina kombëtare apo etnike. Dhe ashtu si “ marshimi i kripës ” i mendimtarit të madh, 35 artistë nisin një marshim nëpërmjet artit të tyre drejt një bote më të mirë të mbushur me áhimsá.
Udhëtimi i ekspozitës ndërkombëtare “Áhimsá: jo dhunë”, organizuar nga Unioni i Artistëve Bullgar dhe Fondacioni Indologjik “Lindje-Perëndim”, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Indisë në Bullgari, filloi në Tetor në qytetin e Plevenit. Tani në galerinë "Rajko Aleksiev" të kryeqytetit u hap edicioni i dytë i saj i plotësuar me vepra të disa prej piktorëve dhe skulptorëve më të shquar bullgarë dhe vepra të kolegëve të tyre nga India, Turqia, Maqedonia e Veriut.
“Jam shumë i lumtur që shoh se perceptimi i “jo-dhunës” që Mahatma Gandi ushtronte në Indi po zhvillohet dhe zbatohet në luftën kundër shfrytëzimit njerëzor në të gjitha dimensionet e saj në mbarë botën. Dhe tani, në një kohë që ka kaq shumë dhunë rreth nesh, kjo ekspozitë bashkon artistë të ndryshëm bullgarë të cilët na tregojnë se sa e rëndësishme është të ndjekim këtë ide - tha ambasadori Sanjay Rana për Radio Bullgarinë. - Nuk është e lehtë! Mahatma Gandi kurrë nuk tha se do të ishte e lehtë. Në fakt është shumë e vështirë për t'u arritur, por është e vetmja rrugë për të cilën nevojiten personalitete të forta. Përgjigjja ndaj dhunës me dhunë do të çojë vetëm në konflikt. Nëse duam të ndalojmë konfliktin, duhet të ndryshojmë reagimin tonë. Duhet të shuajmë tensionin mes nesh, por edhe të qetësojmë emocionet përmes përulësisë dhe qetësisë brenda nesh”.
Kuratorët e këtij rrugëtimi artistik janë dy profesorët e Akademisë Kombëtare të Arteve në Sofje, piktori Prof. Stanisllav Pamukçiev dhe skulptori Prof. Emill Popov.
“Fatkeqësisht, kjo temë e rëndësishme është jashtëzakonisht aktuale. Ne jemi vazhdimisht subjekt i agresivitetit në këtë epokë të informacionit teknologjik. Lajmet tona çdo natë janë të mbushura me informacione për luftën, dhunën ndaj fëmijëve, grave, mjekëve, mësuesve - tha Prof. Pamukçiev për Radio Bullgarinë. – Në një moment, kthimi mbrapa në kohë drejt veprës dhe filozofisë së madhe të Gandit bashkëpunëtorëve dhe ndjekësve të tij u bë platforma e kësaj ekspozite. Ai bashkon 35 autorë që dëshmojnë ndjeshmërinë dhe qëndrimin e tyre ndaj temës. Është shumë e rëndësishme të thuhet se kjo nuk është vetëm një ekspozitë e veprave të mira të autorëve të mirë. Kjo është një ekspozitë e autorëve që dëshmojnë për veten e tyre, shenjën e tyre të autorësisë, zbulimin e tyre krijues në rrugën drejt së mirës, drejt dritës. Përmes kornizës së “Áhimsá - jo dhunë”, veprat e tyre mund të lexohen dhe kuptohen edhe një herë, dhe kjo është një sfidë për shikuesin”.
Ekspozita bashkon autorë të brezave të ndryshëm. Nga emra të mëdhenj si Pavell Kojçev, Prof. Valentin Starçev dhe Georgi Çapkënov përmes Ivajllo Mirçevit, Stojan Deçevit, Millko Bozhkovit e deri te të rinjtë si Martian Tabakov. Ndër veprat është edhe pulla postare me imazhin e Gandit me rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij, e krijuar nga Prof. Stojan Deçev në vitin 2019.
Prof. Stanislloav Pamukçiev është kategorik se “Áhimsá - jo dhunë”, nuk është thjesht një ekspozitë, por akt kolektiv, shprehje e vullnetit për të bërë diçka në këtë botë pa dhunë, në emër të dashurisë dhe mirësisë. Ka një arsye se pse ne arrijmë të mbledhim kaq shumë autorë në një vend, të bashkuar rreth besimit të Mahatma Gandit, thotë Jordanka Bojanova, indologe dhe drejtuese e Fondacionit “Lindje-Perëndim”.
“Arsyen për këtë e shoh në faktin se breza të tërë artistësh bullgarë jetuan dhe jetojnë me ato vlera filozofike, etike dhe ekzistenciale, që janë vlera sipas Gandit. Dhe kjo i bashkon ata, pavarësisht nga kultura, kombësia dhe rruga e tyre jetësore - thotë Jordanka Bojanova. Mund të shihni se në murin përballë hyrjes së galerisë, është vendosur portreti i Mahatma Gandit, i realizuar nga një bullgar - Boris Georgiev. Ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë që dikush të pikturonte Gandin, sepse ai bënte një jetë shumë asketike dhe nuk lejonte gjëra të tilla. Por ja një bullgar që kishte dëshirën e brendshme për të kërkuar personalitete të ngjashme dhe për t'i njohur ata nga afër. Ai ka qenë në Indi, në një mjedis shumë të vështirë, që shpreh interesit e tij të thellë personal. Prandaj them se ka shumë artistë bullgarë që kanë lidhje me mendimtarët e mëdhenj të botës dhe kanë qenë në kontakt me ta. Dhe prandaj për ne nuk ishte e vështirë të mblidhnim veprat e tyre të gatshme, të cilat i përshtaten më së miri temës kundra dhunës, në kuptimin më të gjerë të këtij koncepti - në mendime, në ndjenja, në veprime, në marrëdhënie me të tjerët, në lidhje me veten. Në këtë ekspozitë shoh unitetin dhe lidhjen e Gandit me artin bullgar dhe fakti që kemi mendimtarë, artistë të tillë më bën të ndihem një bullgare krenare para gjithë botës!”.
Dhe kështu, me krenari dhe pa paragjykime e dhunë, vazhdon marshimi i artit drejt një bote sa më të mirë të mundshme. “Áhimsá - jo dhunë”, do të qëndrojë në Sofje deri në fund të shkurtit, ndërsa më 25 prill do të hapet ekspozita në Plovdiv. Në vjeshtë ekspozita do të vizitojë edhe kryeqytetin detar të Bullgarisë - Varnën.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Vesella Krësteva
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..
Në sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje, fillon edicioni i 38-të i “Kinomania”. Festivali i filmit hapet më 13 nëntor me premierën e filmit “Tufa”. Pas sukseseve të tij në mbarë botën dhe datave të premierës plotësisht të shitura në..
Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..