Ajo është një ish-punonjëse e Postës Holandeze, por tani ka dalë në pension dhe i është përkushtuar pasionit të saj të madh – muzikës bullgare. 77-vjeçarja Ingrid Veeninga është nga Holanda. Ajo jeton në Amsterdam dhe nuk humb asnjë provë të "Trumza" ("Çubrica") - kështu quhet një nga koret më të njohura të folklorit bullgar jashtë vendit.
Anëtarët e grupit amator që mban emrin e erëzës sonë kanë profesione dhe kombësi të ndryshme, por ajo që i bashkon është dashuria për muzikën tonë. “Kam 8 vite pjesë e këtij grupi, ndërsa më parë kam kënduar në një kor ballkanik”, thotëholandezja dhe shton: “Kjo është një ndjenjë që buron nga thellësitë e shpirtit tim! Duhet të kem jetuar në Bullgari në jetën time të mëparshme” – ja si shpjegon Ingrid ndjesinë e pabesueshme që ndjen kur interpreton një këngë bullgare. Dhe më shumë për magjinë e muzikës sonë:
“Ajo më prek në zemrën. Ajo është melankolike, e egër, i ka të gjitha!.. Është e qetë në disa momente, ndërsa në të tjera të bën të kërcesh... Ajo ka shumë fytyra, mund të zbulosh kaq shumë gjëra në të! Kori ynë numëron 28 veta, kemi edhe tre instrumentistë. Dhe çuditërisht kemi edhe një kor meshkujsh. Këndojmë të gjithë bashkë, por ata kanë edhe një repertor të veçantë”.
Ingridi ka vizituar Bullgarinë më shumë se një herë dhe ka kënduar në skenën bullgare, së bashku me "Trumza". Për herë të fundit ka marrë pjesë në Takimin Kombëtar të Artit Popullor në Koprivshtica në verën e vitit 2022. Atëherë kori mblodhi ovacionet e publikut, nën udhëheqjen e dirigjentes bullgare Svetlla Anastasova-Kllajn, udhëheqëse e tij shumëvjeçare.
Por koristët holandezë përballen me një pengesë serioze. Sepse gjuha e tyre është thelbësisht e ndryshme nga e jona në aspektin fonetik. Ingridi shpjegon:
“Shqiptimi juaj është shumë i vështirë me këto tinguj të huaj, si p.sh. zanorja juaj “a”, thotë Ingridi. – Gjuha holandeze ka tinguj të ashpër, gryke, ndryshe nga ju. Dhe unë nuk flas bullgarisht - as nuk e kuptoj gjuhën tuaj, as nuk mund ta lexoj alfabetin tuaj. Megjithatë, në korin tonë kemi 4 bullgare që përkthejnë tekstet dhe na shpjegojnë se si shqiptohen tingujt bullgarë. Ato janë shumë të rrepta dhe vazhdimisht na korrigjojnë. Kështu që, kur ka shikues bullgarë në audiencë, ata thonë se është e mahnitshme se sa korrekt është shqiptimi ynë!”
Bashkatdhetarët e Ingridit e pyesnin shpesh: “Pse këndon në një gjuhë kaq të vështirë dhe që askush nuk e kupton?”. Por për të, muzika jonë është një pjesë e ndritshme e mozaikut shumëngjyrësh të quajtur Bullgari. Sepse:
“Këtu ka kolorit, çdo natë mund të dëgjosh muzikë nga diku. Dhe jo, nuk është shumë e fortë për mua, sepse pikërisht kjo mungon tek ne, - thotë Ingridi. - Ne, holandezët, jemi shumë të rreptë dhe të mërzitshëm - për të mos bërë zhurmë, për të mos rënë në sy rastësisht... Por në këtë mënyrë jeta është uniforme, e sheshtë, ashtu siç është i sheshtë edhe relievi i vendit tonë. Përveç kësaj, më pëlqen që Bullgaria nuk është aq e populluar sa vendi im, i cili është plot me njerëz dhe trafik. Kemi shumë banorë për një vend kaq të vogël. Ndërsa natyra juaj është kaq e bukur, ke gjithçka – male, fusha me bar, një bregdet të bukur...” – përfundon Ingrid Veeninga.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: Veneta Nikollova
Sipas dokumenteve osmane, afër fshatit të sotëm Bivoljane në komunën e Momçillgradit (Bullgaria Jugore) jetonin më shumë se 500 dervishë , të cilët u trajnuan në teqen Elmala Baba. Qendra fetare dikur ishte e njohur si qendra më e madhe e..
Haga, një qytet në pjesën jugore të Holandës, një qendër administrative dhe një vend ku jeton dhe vepron mbretëresha... Vështirë se dikush e lidh këtë qytet me folklorin dhe traditat bullgare. Megjithatë, është fakt se në Hagë interesimi për vallet..
Produktet e bëra prej leshi ngjallin ndjenjën e rehatisë dhe ngrohtësisë së brendshme tek vizitorët e Muzeut Etnografik Rajonal të Plovdivit. Ekspozita “Qilimat e paendur të Bullgarisë – mesazh nga lashtësia” paraqet një zanat të lashtë, që besohet..