Plovdivi, qyteti i dytë më i madh në Bullgari, me rrugët e tij komode qendrore, ndërtesat shumëngjyrëshe dhe mikpritjen e banorëve të tij, të bën që të dashurohesh me te që në takimin e parë. Banorët e Plovdivit do t'ju udhëheqin me kënaqësi në vendet që duhet të vizitoni medoemos dhe do t'ju tregojnë detaje interesante të historisë së qytetit. Shumë persona të dashur janë nga qyteti i Plovdivit. Këngëtari i operës Boris Hristov, xhazmеni Millço Leviev, redaktori muzikor Toma Sprostranov, aktorja Cvetana Maneva, sportistët Hristo Stoiçkov dhe Jordan Jovçev janë vetëm një pjesë e vogël e tyre.
Sapo zbrisni në stacionin hekurudhor, ju mirëpret ish rruga “Stancionna”, sot - Rruga “Ivan Vazov”, për t'ju çuar drejt e në zemër të qytetit – Sheshi Qendror (“Centralen”). Rruga, e rrethuar nga të dyja anët me rrape madhështore nga fillimi i shekullit të 20-të, e cila mban emrin e patriarkut të letërsisë bullgare Ivan Vazov, i bën përshtypje çdo vizituesi. Këtu do të shihni edhe rrënojat e magazinave emblematike të duhanit të Plovdivit të sipërmarrësit-filantrop Dimitër Kudoglu nga vitet 20 të shekullit të kaluar.
Sheshi "Qendror" të çon në vendin e preferuar për shëtitje të banorëve të Plovdivit – “Gllavnata” (“Rruga Kryesore”). Е gjatë 1750 m, kjo është rruga më e gjatë për këmbësorë në Evropë. Në fakt, këto janë dy rrugë - "Knjaz Aleksandër I Batenberg" dhe "Rajko Daskallov", të lidhura me njëra-tjetrën me sheshin "Xhumajata". Dhe në zonën përreth “Gllavnata” mund të gjeni të gjithë shumëllojshmërinë që ofron një qytet me 8000 vjet histori.
Nëse ktheni majtas, përpara se të shkoni përgjatë Rrugës Kryesore, do të gjendeni në Kopshtin e Mbretit Simeonit me atraksionin ujor "Shatërvanët që këndojnë". Parku u krijua pas Çlirimit sipas projektit të zviceranit Lucien Chevallaz. Kur kalojnë përgjatë rrugës së këmbësorëve, turistët shpesh ndalojnë për një foto pranë skulpturës së Miljo – vepër e skulptorit të talentuar Danko Dankov.
Miljo ka qenë një person i vërtetë - me mendje të dobët, me natyrë të mirë dhe origjinal, siç e përshkruan një bashkëkohës i tij. Atij i pëlqente të ulej në “Gllavnata” dhe të flirtojë me gratë e bukura. Ishte një imazh mjaft popullor, siç dëshmohet nga fakti që e gjejmë në pikturat e disa artistëve të Plovdivit - Zllatju Bojaxhiev, Joan Leviev, Hristo Stefanov.
Shkallët pas mbishkrimit “Together” pranë skulpturës së Milios do t'ju çojnë në një nga kodrat e Plovdivit për rreth 6-7 minuta. Është emërtuar “Danov Hëllm” (Kodra e Danovit) sipas botuesit rilindës dhe kryetarit të Bashkisë së Plovdivit Hristo G. Danov. Sidoqoftë, kodra është e njohur me emrin e saj të vjetër turk - Sahat Tepe, ose Kodra e Sahatit. Në krye të saj ngrihet një kullë sahati, ekzistenca e së cilës u përmend nga francezi Lefèvre në 1611. Megjithatë, në formën e saj aktuale, ajo u ndërtua në vitin 1809. Tingulli i saj i këndshëm shënon çdo orë. Nga këtu hapet një pamje e mrekullueshme e qytetit.
Nëse jeni adhurues i artit të bizhuterive, nga sheshi "Xhumajata" mund të ktheheni në rrugën "Otec Paisij" (“At Pajisij”) me dyqanet e shumta të bizhuterive. Dhe nëse jeni adhurues i arkitekturës, duhet të bëni një shëtitje përgjatë rrugës "Hristo G. Danov", duke filluar nga ana tjetër e sheshit.
Atje në Nr. 17 do të hasni një ndërtesë madhështore ndërtuar rreth vitit 1920. Për shkak të basorelieveve të figurave femërore me lule në fasadë, ajo është e njohur si Shtëpia e Nimfave. Është kureshtare që në një nga bodrumet e saj ka një pus. Ndërtesa është vepër e arkitektes Emilija Sëbeva – italiane, e martuar me një bullgar. Për fat të keq, ndërtesa është në gjendje të keqe.
Nga Rruga Kryesore, nuk mund të mos bëni një shëtitje përgjatë rrugëve dredha-dredha të qytetit të vjetër. Ato do t'ju çojnë në Nebet Tepe - kodra në të cilën ka lindur qyteti në mijëvjeçarin e 6 para Krishtit. siç është vendbanimi trak i Eumolpias. Më vonë, në shekullin e IV para Krishtit, Filipi II i Maqedonisë e përfshiu atë në perandorinë e tij dhe e quajti atë Filipopolis. Nga Nebet Tepe mund të shijoni edhe një pamje fantastike të “qytetit nën kodra”, siç e quajmë shpesh Plovdivin.
Por le të kthehemi te Sheshi “Xhumajata”, i cili na ofron një lloj udhëtimi nëpër shekuj.
Këtu do të shihni një stadium antik, një xhami të vitit 1435 dhe ndërtesa të bukura që kanë ruajtur frymën aristokratike të Plovdivit nga fillimi i shekullit të 20-të. Stadiumi antik i Filipopolisit i shekullit II, i rimëkëmbur sipas Mekanizmit Financiar Norvegjez, ka pasur një kapacitet prej 30 000 spektatorësh. Mbi stadium ngrihet xhamia e mrekullueshme “Xhumaja”, e ndërtuar me tulla të kuqe me urdhër të Sulltan Muradit II. Këtu me iniciativën e bordit të xhamisë mbahet çdo vit “Kafeja e Tolerancës”.
Veprimtaria mbledh përfaqësuesit e komuniteteve dhe feve të ndryshme në Plovdiv dhe demonstron bashkëjetesën e tyre paqësore. Në një nga qoshet e tempullit ka një orë diellore origjinale të dhuruar në 1878 nga një oficer rus. Dhe në anën tjetër të saj ndodhet një pastiçeri turke, e dashur e banorëve dhe turistëve të Plovdivit. Këtu mund të shijoni një bollëk bakllavash, kadaifësh, tullumbash, kremrash, trileçe të ëmbël dhe kafe turke aq të fortë sa pasioni - një vend i mrekullueshëm për t'u ulur në fund të një shëtitjeje të shpejtë nëpër bukuritë e Plovdivit dhe për t’u çlodhur.
Më shumë hollësi për Plovdivin mund të gjeni në publikimet e mëposhtme:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Miglena Ivanova
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe vendpushimet e skive të klasit botëror të mbuluara me borë.Në territorin e tij nga 111 000 kilometra..
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej 1520 njerëz në orë. Një propozim i ngjashëm i është dorëzuar Inspektoratit Rajonal për Mbrojtjen e..
Ata kënaqin syrin, plotësojnë dëshirat dhe shërojnë. Mijëra kolona rëre, të vogla e të mëdha, që ngjasojnë me njerëz, bimë apo kafshë mitike, ngrihen në një sipërfaqe të madhe prej 50 kilometrash katrorë në afërsi të qytetit bregdetar Varna ...
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe..