Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Qendra kulturore bullgare në Odesa nuk i mbyll dyert as në kushtet e luftës

“Lufta është shumë e vështirë, e frikshme. Nuk të shkon nëpër mend që një gjë e tillë mund të ndodhte, por ndodhi. Rusia duhej të mendohej shumë herë përpara se ta fillonte atë. Të gjithë e dënojnë - bullgarë, moldavianë, grekë, hebrenj, rusë ukrainas. Këto janë humbje - njerëzore dhe ekonomike”, tha për Radio Bullgarinë Dmitrij Terzi, kryetar i Qendrës Ukrainase të Kulturës Bullgare në Odesa. Sulmet ruse në infrastrukturën kritike të Ukrainës po shkaktojnë ndërprerje të energjisë, ujit dhe ngrohjes në qytetin bregdetar të Detit të Zi. Pavarësisht kushteve të vështira, jeta e qendrës kulturore vazhdon, pasi bashkatdhetarët tanë këtu kanë nevojë për një vend ku të mblidhen, bisedojnë, mbështesin njëri-tjetrin.


Bullgarët e Odesës, sipas Terzit, janë rreth 50-60 mijë dhe praktikisht është komuniteti i katërt më i madh në qytetin shumëkombësh. Këtu ka disa qendra kulturore bullgare, por Qendra Ukrainase e Kulturës Bullgare është "më e mira", siç thotë kryetari i saj. Qendra mirëmbahet falë mbështetjes së patriotëve vendas bullgarë dhe jo falë shtetit bullgar, i cili fokusohet kryesisht në mbështetjen e shkollave të së dielës jashtë vendit:

“Qendra nuk ka mbështetje financiare as nga Bullgaria dhe as nga Kievi. Kjo është një organizatë publike që mbështetet drejtpërdrejt nga anëtarët e Shoqatës së Bullgarëve në Ukrainë me president Anton Kisse - bullgarë të cilët japin një kontribut të vogël monetar që na mundëson të ruajmë këtë atmosferë, veprimtarinë kulturore të bullgarëve”, - thekson Terzi.


Pavarësisht situatës së luftës, këtu organizohen vazhdimisht ekspozita dhe koncerte. Këtë vit qendra do ta thyejë traditën e festimit të Krishtlindjeve në stilin e vjetër, më 7 janar dhe do ta festojë, si në Bullgari, më 25 dhjetor. Për festën do të ftohen edhe priftërinj për t'i shpjeguar popullit pse dhe si u shfaqën dallimet në datat e festimit. Do të organizohet një ekspozitë tematike me vizatime fëmijësh dhe një koncert i muzikës klasike me elemente bullgare.


Ndërsa për sa i përket traditave të festimit të Krishtlindjes dhe gjërat që vihen në tryezë në Odesa, Dmitrij Terzi pranon sinqerisht:

“Ne nuk e kemi këtë traditë, siç është në Bullgari. Fshati ruan zakonet, traditat dhe gjuhën, pavarësisht se është dialektore. Qyteti është pak më ndryshe. Sepse në të ndodh asimilimi. Le të themi se 100 vitet e fundit, këtu nuk kemi pasur një ndikim të tillë bullgar për t'i stabilizuar këto gjëra, për t'i përforcuar në shpirt dhe në zemër”.


Tani Dmitrij Terzi ka planifikuar të organizojë të rinjtë vendas bullgarë, që të fillojnë mbledhjen e fotografive të bullgarëve që vdiqën gjatë luftës në Ukrainë - nga fëmijët deri te të moshuarit, duke përfshirë njerëz që vdiqën në front. Dhe pastaj të prezantohet një ekspozitë e madhe - në Ukrainë dhe në Bullgari, sepse, siç thekson ai:

Bullgaria duhet ta dijë se populli ynë po merr pjesë aktive në këtë betejë. Dhe me para, dhe me gjak, dhe me vuajtje dhe me dhimbje. Ne vërtet dëshirojmë që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha në fund të bisedës Dmitrij Terzi, kryetar i Qendrës Ukrainase të Kulturës Bullgare në Odesa.

Thonë se nëse lutemi me zemër, për Krishtlindje ndodhin mrekulli. Të gjithë njerëzit e arsyeshëm luten dhe shpresojnë për më shumë arsye dhe për të gjetur një rrugëdalje nga kjo katastrofë me kaq shumë viktima njerëzore.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Foto: Facebook/Всеукраинский центр болгарской культуры




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për herë të parë që nga viti 1985, në vendin tonë ka një rënie pothuajse zero të popullsisë

Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..

botuar më 24-11-12 7.05.PD

Grafitet në Bllagoevgrad kujtojnë historinë tonë 20-vjeçare në NATO

Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..

botuar më 24-11-10 5.45.PD

Java e Librit Ortodoks mbahet në qytetin Varna

Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..

botuar më 24-11-09 6.30.PD