Pothuajse një muaj pasi u betuan deputetët në parlamentin e 48-të, qeveria e katërt e përkohshme e Bullgarisë e emëruar nga presidenti po vazhdon punë. Kreu i shtetit Rumen Radev zhvillon konsultime me partitë politike të përfaqësuara në parlament, duke u dhënë atyre kohë për dialog, pa të cilin formimi i qeverisë brenda parlamentit të fragmentuar bullgar, që përbëhet prej 7 partish, do të ishte një mision i pamundur.
Ndërkohë, Nënpresidentja Ilijana Jotova u bëri thirrje liderëve politikë për largpamësi dhe arsye. Sipas saj, Bullgaria ka nevojë për një kabinet të rregullt për të marrë përsipër angazhime për reforma si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë evropian. Kohët e fundit, dëshira e shprehur me fjalë për të formuar një kabinet është në përpjesëtim të zhdrejtë me veprimet”- deklaroi nënpresidentja.
"Jemi dëshmitarë të konsultimeve politike, të cilat janë më tepër një imitim i një procesi negociator për formimin e një qeverie. Nga jashtë duket se askush nuk dëshiron të marrë pushtetin. Të gjithë janë duke llogaritur fitimet dhe humbjet e tyre në negociata - tha politologja Ralica Simeonova në një intervistë për BNR - Pritshmëritë janë që së shpejti të zhvillohen zgjedhje të reja dhe ky motivim përcakton rrjedhën dhe procesin e negociatave. Situata në vend kërkon marrjen e vendimeve jostandarde që kanë pasoja negative për forcat politike që i marrin” – është e mendimit ajo.
Partitë që mund të marrin pjesë në çdo format qeverisës janë GERB dhe DPS, sepse ato janë të vetmet që nuk do të pësojnë dëme të mëdha zgjedhore. Në fakt, formimi i një kabineti, ndonëse i paqëndrueshëm, mund të arrihet me mandatin e tretë, për të cilin dy parti – ajo nacionaliste "Vëzrazhdane" dhe forca më e vogël parlamentare "Ngritja Bullgare" - deklarojnë një kërkesë të prerë.
Me rezultatet e zgjedhjeve të 2 tetorit, shoqëria bullgare vendosi një detyrë të qartë për elitën politike - të lërë mënjanë egon e partisë dhe të gjejë një dialog konstruktiv për temat prioritare për shoqërinë - trajtimin e varfërisë në sfondin e inflacionit galopant dhe thellimin e krizës ekonomike, reformat në drejtësi. 56% e të anketuarve në sondazhin e fundit të Gallup International duan formimin e një qeverie. Por çfarë bëjnë politikanët?
“Flasin, ulen bashkë, mësohen me njëri-tjetrin... Festat po afrojnë, nuk u intereson, kështu që mund të ndodhë diçka. Unë mendoj se mundësia për të pasur një qeveri nuk është më e madhe se mundësia për të mos pasur një të tillë, por është më e madhe se më parë”, komentoi për Darik Radio Përvan Simeonov, sociolog nga agjencia “Gallup”.
Megjithatë, durimi i shoqërisë është gati të mbarojë. Dy sindikatat më të mëdha – Konfederata e Sindikatave të Pavarura (KNSB) dhe Konfederata e Punës "Podkrepa" pak ditë më parë organizuan një protestë me kërkesa për rritje të të ardhurave, duke kompensuar inflacionin, i cili arriti në 18.7% në një vit. Mijëra kërkuan një rritje të pagës minimale nga 710 leva në një minimum prej 850 leva nga fillimi i 2023, një rritje prej të paktën 13% të të gjitha pagave në sektorin privat dhe publik në 2023, etj. Këto ndryshime janë të mundshme, me miratimin e buxhetit të ri për vitin e ardhshëm, të cilin kabineti zyrtar refuzon ta parashtrojë, sepse nuk ka përfaqësim politik dhe mandat për të kryer politika.
Mirëpo, pakënaqësia sociale mund të bëjë presion për formimin e një kabineti të rregullt – këtë tezë e ka shprehur presidenti Rumen Radev gjatë takimit të tij me liderët sindikalë të premten /11.11/.
“Kjo është paksa një qasje e mbrapshtë për të formuar një qeveri – komentoi Vanja Grigorova, këshilltare ekonomike në Konfederatën e Punës “Podkrepa”. - Një gjë e tillë garanton që kabineti do të jetë i paqëndrueshëm. Nëse nuk arrihet një konsensus minimal për prioritetet e vendit, kam frikë se një koalicion i mundshëm do të ketë jetë më të shkurtër se ai i mëparshmi. Ne kemi ende një elitë politike që nuk e kupton rolin e saj si lider në krizën e rëndë në të cilën ndodhemi. Ne po shohim njerëz që përpiqen të kënaqin Brukselin dhe Uashingtonin, por jo qytetarët bullgarë”.
"Formimi i një qeverie me një periudhë të shkurtër veprimi është i mundur nëse palët arrijnë të bien dakord për ndonjë program" - mendon analisti Emill Sokollov.
“Që të ndodhë kjo, ata duhet të kenë konsensus për çështje si reforma në drejtësi dhe ajo në Komisionin për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, miratimi i buxhetit dhe masat për inflacionin.”
Eurodeputeti i Partisë Popullore Evropiane Radan Kënev e konsideron të asyeshme hipotezën e një kabineti të mundshëm me mandatin e partisë së dytë fituese në zgjedhje “Po e vazhdojmë ndryshimin”, ose me atë të Bullgarisë Demokratike, nëse GERB mbështet një konfigurim të tillë dhe siguron shumicën e nevojshme.
“Një kabinet i tillë mund të konsolidojë pozicionin e politikës së jashtme të Bullgarisë, pozicionin në BE dhe në NATO në një mënyrë që nuk është arritur për dekada. Një qeveri e tillë mund të zbatojë një politikë të zgjuar financiare dhe ekonomike, të ndihmojë industrinë bullgare për të realizuar potencialin e saj të madh në një kohë të zinxhirëve të ndërprerë të furnizimit.”
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BNR, BGNES, arkiv personal
Greqia mori këstin e katërt prej gati 1 miliard euro në kuadër të PRQ-së Komisioni Evropian i pagoi Greqisë këstin e katërt sipas Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PRQ) me vlerë 998.6 milionë euro. Këtë e raporton televizioni shtetëror..
Presidenti Rumen Radev u bëri thirrje politikanëve dhe partive që të zgjidhin problemet e tyre familjare dhe ta kthejnë Bullgarinë në Ballkan "në një plan më të gjerë rajonal". “Është koha që të nxjerrim kokën nga rëra, të mos merremi më me..
Një mosmarrëveshje parazgjedhore përçau partitë në pushtet të koalicionit të madh në Rumani Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Rumani, socialdemokratët në pushtet dhe liberalët hynë në një mosmarrëveshje. Kjo ndodhi për..