Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Tirana ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, deklaroi kryeministri Edi Rama. Ai e akuzoi republikën islamike për kryerjen e një sulmi kibernetik në shkallë të gjerë kundër vendit më 15 korrik. Teherani është përpjekur të paralizojë shërbimet publike dhe të ndërhyjë te të dhënat dhe komunikimet elektronike në sistemet qeveritare, tha Rama. Shqipëria dhe Irani janë armiq të ashpër, sepse në vitin 2013, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara, Tirana i dha strehim në territorin e saj grupit opozitar iranian “Mujahedin-e-Khalq” (“Muxhahidinët e Popullit”), raporton REUTERS. Diplomatët iranianë kishin 24 orë kohë për t'u larguar nga Shqipëria dhe në nxitimin e tyre u detyruan të djegin disa nga dokumentet e misionit në oborrin e misionit diplomatik. Disa ditë pas sulmit kibernetik, mediat në Tiranë transmetuan se hakerët kanë publikuar të dhënat personale të muxhahidinëve të ruajtura në kompjuterët e qeverisë shqiptare.

Një tjetër tension mes Turqisë dhe Greqisë

Presidenti turk Rexhep Erdogan ka kërcënuar Greqinë se mund të goditet në çdo moment për shkak të militarizimit të ishujve të Egjeut. Në përgjigje, ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, i dërgoi letra paralajmëruese për kërcënimet turke shefit të politikës së jashtme evropiane, Josep Borrell, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe institucioneve të OKB-së. SHBA-të i cilësuan kërcënimet e presidentit turk Rexhep Erdogan si “të padobishme”, duke theksuar se sovraniteti grek mbi ishujt e Egjeut “nuk vihet në pikëpyetje” dhe kërkuan që të mos ndezin tensionet në NATO, në sfondin e agresionit rus në Ukrainë, shkruan gazeta "Kathimerini". Republika Çeke, si kryetare e BE-së sipas parimit të rotacionit, gjithashtu dënoi komentet e Erdogan si "të papranueshme". Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, e cila e vizitoi Ankaranë dhe Athinën, shprehu gjithashtu mbështetje për Greqinë.

Presidenti rumun qortoi politikanët nacionalistë hungarezë dhe rumunë

Presidenti rumun Klaus Iohannis tha se të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare në Rumani respektohen dhe theksoi se shumica e problemeve që lidhen me tensionet ndëretnike janë "fryrë artificialisht" nga disa politikanë. Iohannis e bëri deklaratën në Pallatin Cotroceni pas një takimi me presidenten hungareze Katalin Novak, e cila vizitoi zyrtarisht Bukureshtin, raportoi TV DIGI24. Presidenti rumun kujtoi se pakicat kombëtare në Rumani janë të përfaqësuara në parlament edhe nëse nuk e marrin në zgjedhje numrin e mjaftueshëm të votave të nevojshme për një mandat. Iohannis, i cili është me origjinë etnike gjermane, shtoi se ka politikanë në Hungari dhe në Rumani të cilët me deklaratat e tyre janë duke përkeqësuar tensionet ndëretnike. Novak siguroi se Hungaria mbështet pranimin e Rumanisë në zonën Shengen.

Krizë qumështi në Ballkan

Qeveria serbe ka ngrirë çmimin e qumështit dhe ka ndaluar eksportin e produkteve të qumështit deri më 30 shtator për shkak të mungesës së tyre në zinxhirët serbë të shitjes me pakicë, shkruan gazeta e Beogradit “Politika”. Sipas prodhuesve, arsyeja është mungesa e lëndëve të para, ulja e prodhimit dhe rritja e konsumit. Pritet mungesë qumështi edhe në Mal të Zi, sepse Serbia është furnizuesi më i madh në vend, shkruan “Viesti”. Në Bosnje dhe Hercegovinë prodhimi ra ndjeshëm në vitin 2022 me 12.5 milionë tonë. Çmimi mesatar i qumështit në rajon është 40 euro cent, ndërsa vlera reale e tij është gati 1.5 euro, paralajmërojnë prodhuesit. Në Greqi tregu i qumështit është tkurrur me 15% në gjysmë viti, raporton BGNES. Sipas fermerëve, ka mungesë të mishit dhe qumështit të freskët për shkak të rritjes së çmimit të foragjerit.

Sllovenia protestoi kundër një komenti të presidentit serb

Ministria e Jashtme sllovene ka thirrur për shpjegim ambasadoren e Serbisë në Lubjanë, Zorana Vlatkoviq. Shkak është bërë deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës së presidentit slloven Borut Pahor në Beograd më 3 shtator. I pyetur nëse Serbia do t'i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, Vuçiq u përgjigj: "Si t'u shpjegoj qytetarëve tanë se ne po vendosim sanksione kundër Rusisë, e cila nuk ka shkelur integritetin territorial të Serbisë, por jo kundër Sllovenisë, e cila e ka shkelur?", duke njohur Kosovën. “Lubjana i ka theksuar palës serbe se pret që Beogradi të mos e problematizojë qëndrimin slloven për Kosovën, sepse ai nuk i është drejtuar Serbisë”. Sllovenia gjithashtu ka deklaruar "kundërshtimin e saj ndaj barazimit të njohjes së Kosovës me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës", raportoi EURACTIV.

Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: haber7.com, rs.n1info.com, rferl.org, nova24tv.eu


Më shumë nga rubrika

Foto: Qendra e Shtypit e Presidencës

Republika e Maqedonisë së Veriut dëshiron të përfshijë bullgarët në kushtetutë pas hyrjes në BE

Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..

botuar më 24-11-20 9.49.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..

botuar më 24-11-16 10.30.PD
Presidentët Rumen Radev dhe Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua në Baku me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska, njoftoi BNT. Në fillim të bisedës, Radev falënderoi Siljanovskën për ftesën dhe theksoi se takimi është një vazhdim i rëndësishëm i..

rinovuar më 24-11-13 3.48.MD