Policët dhe personeli ushtarak rumun kanë punuar si mercenarë në Kongo
Sipas një raporti nga Ministria e Brendshme e Rumanisë, 11 nga punonjësit e saj kanë punuar si mercenarë në Kongo ndërsa kanë qenë me pushime mjekësore, raportoi Digi24. Më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se shtatë nga personeli aktiv i ushtrisë kanë punuar si mercenarë në vendin afrikan gjatë pushimit prindëror dhe se më shumë se 460 rezervistë kanë pasur gjithashtu kontrata me kompani të sigurisë që kanë vepruar në kontinentin tjetër. Sipas ligjeve rumune, punonjësit aktualë nuk lejohen të punojnë si mercenarë. Hetimet për rastin janë duke vazhduar. Ata u urdhëruan pas një skandali që përfshin Horacio Potra, i akuzuar për organizimin e një plani për të destabilizuar Rumaninë në favor të ish-kandidatit presidencial Călin Georgescu. Potra është një ish-luftëtar në Legjionin e Huaj Francez dhe pronar aktual i një kompanie sigurie. Ai dyshohet se ka punësuar qindra rumunë dhe i ka dërguar në Kongo për paga më të larta.
Opozita turke bën thirrje për zgjedhje të parakohshme presidenciale
Një protestë e re e madhe u mbajt në Stamboll të mërkurën kundër arrestimit të kryebashkiakut Ekrem İmamoğlu dhe kryebashkiakëve të tjerë të arrestuar të opozitës. Përpara turmës së mbledhur, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane, Özgür Özel, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe lirimin e kryebashkiakëve të arrestuar. Ai njoftoi se çdo të mërkurë opozita do të zhvillojë mitingje në zona të ndryshme të Stambollit dhe çdo fundjavë në një lagje të ndryshme turke për lirimin e Ekrem İmamoğlu dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.
Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem İmamoğlu u arrestua me akuza për korrupsion më 19 mars. Kjo çoi në largimin e tij të përkohshëm nga detyra. Në zgjedhjet e brendshme partiake më 23 mars, Partia Popullore Republikane emëroi Imamoglun si kandidatin e saj presidencial në zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet e rregullta presidenciale në Turqi do të mbahen në vitin 2028.
Greqia mund të humbasë fondet e BE-së për largimin e emigrantëve
Greqia mund të humbasë disa fonde nga agjencia evropiane e kufirit Frontex për shkak të rasteve të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut kundër emigrantëve, raportoi Politico. Objekt i hetimit janë largimet me forcë të mijëra njerëzve nga ana e zyrtarëve grekë të migracionit në kufijtë tokësorë dhe në det, një praktikë që është e paligjshme sipas Konventës së OKB-së për Refugjatët dhe ligjit ndërkombëtar. Frontex ka deklaruar se do të japin rekomandime konkrete. Nëse ato nuk zbatohen nga Greqia, do të shkurtohen financimet.
Në janar 2025, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i shpalli autoritetet greke fajtore për shtyrjen sistematike të migrantëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre të njeriut.
Presidenti Vuçiq ftoi të gjithë serbët në një miting në Beograd
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka ftuar serbët të mblidhen këtë të shtunë para parlamentit në Beograd për të përcaktuar së bashku kërkesat për ndryshime që janë në përputhje me kushtetutën dhe vullnetin e shumicës. "I ftoj të gjithë njerëzit që të vijnë në një miting të madh popullor, në një miting të madh të popullit tonë, nga 11 deri më 13 prill në Beograd. Mitingu qendror është më 12 prill në orën 19:00", tha Vuçiq në një video fjalim në Instagram. Serbët e Kosovës tashmë janë nisur në këmbë nga veriu i Kosovës për në Beograd për të marrë pjesë në event. Ftesa vjen mes protestave të studentëve në Serbi, të mbështetura nga mësuesit, fermerët dhe punëtorët, që kanë vazhduar që nga nëntori, kur shembja e një tende në stacionin e trenit në Novi Sad vrau 16 njerëz.
44% e qipriotëve janë gati të emigrojnë për paga më të mira
Tre të katërtat e punëtorëve në Qipro janë të pakënaqur me pagat e tyre dhe kanë vështirësi në mbulimin e nevojave bazë të jetesës, strehimit, arsimit dhe më shumë. Këtë e tregon një studim në shkallë të gjerë i pagave dhe standardeve të jetesës, i kryer në emër të një prej sindikatave më të mëdha në vend - Konfederatës së Punëtorëve të Qipros, i bashkëfinancuar nga BE, raportoi korrespondentja e BNR Branislava Bobanac në Qipro. 74% e të anketuarve kanë treguar se nuk mund të kursejnë para dhe të mbulojnë shpenzime të paparashikuara. 23% e të punësuarve e kanë të vështirë t’ia dalin mbanë. Për shkak të problemeve financiare, 61% e punëtorëve thonë se nuk kanë një cilësi të mirë jetese dhe 44% pranojnë se janë gati të emigrojnë për paga më të mira. Vetëm 7% e të anketuarve kanë treguar se jetojnë mirë me të ardhurat e tyre.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: digi24.ro, BGNES, Frontex, Instagram /Aleksandar Vučić (stop kuadër), Pixabay
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ministri i Energjisë Zheço Stankov mori pjesë në edicionin e dhjetë të Forumit Ekonomik të Delfit në Greqi. "Bullgaria është një partner i besueshëm në transformimin e energjisë dhe sigurinë në rajon," tha ai në fjalimin e tij në një panel..
Më 9 dhe 10 prill, Presidenti Rumen Radev merr pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi. Aktiviteti mbledh së bashku krerët e shteteve dhe qeverive, përfaqësues të rretheve akademike, biznesit dhe sektorit joqeveritar, të cilët diskutojnë..
Studentët serbë protestues do të përshkojnë me biçikletë 1300 km deri në Strasburg Një grup prej 80 studentësh dhe persona të tjerë nga katër universitetet në Serbi - në Novi Sad, Beograd, Nish dhe Kragujevac, duke marrë pjesë në protestat e..