Për herë të katërt në më pak se një vit e gjysmë, bullgarët do votojnë me shpresën se me votën e tyre do të kontribuojnë për formimin e një qeverie të qëndrueshme. E megjithëse jemi vetëm në fillim të fushatës zgjedhore për votimin parlamentar të 2 tetorit, analistët tashmë parashikojnë përsëri zgjedhje të ardhshme.
Gara e vërtetë zgjedhore filloi me rënien e kabinetit të Kirill Petkov nga pushteti në fund të korrikut dhe emërimin e një kabineti të përkohshëm nga presidenti Rumen Radev. Në Legjislaturën e fundit të Kuvendit Popullor, mandatet e deputetëve u shpërndanë mes 7 partive. Kandidatët nga 22 parti dhe 6 koalicione tani do të konkurrojnë për 240 vendet dhe rezultatet e parashikuara tregojnë se edhe parlamenti i ardhshëm do të jetë i fragmentuar, me të paktën gjashtë parti që do të kenë mundësi të thyejnë barrierën prej 4%. Dhe duket se askush nuk ushqen iluzione se do të arrijë të fitojë mazhorancën, gjë që nxit tezën se nuk ka rëndësi se kush do të jetë i pari, por rreth kujt do të formohet mazhoranca dhe qeveria. Sa më shumë parti të hyjnë në Kuvendin Popullor, aq më e vështirë do të jetë konsolidimi i shumicës parlamentare. Në këtë situatë, është logjike të mendohet se një rol të rëndësishëm në fushatën para votimit do të kenë programet zgjedhore të pjesëmarrësve.
“Situata në të cilën ndodhet Bullgaria – zgjedhjet e katërta parlamentare me radhë brenda një viti e gjysmë, parashikon se programet parazgjedhore do të luajnë një rol edhe më të vogël në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Dhe nuk mund të jetë ndryshe. Pjesëmarrja në votime pritet të jetë edhe më e ulët se pjesëmarrja e ulët rekord në zgjedhjet e fundit parlamentare (40.5%). Kjo do të thotë se do të shkojnë të votojnë mbështetësit e bindur të këtyre partive, bërthamat e forta dhe ata që vendosin të votojnë në momentin e fundit, gjë që do të thotë se njerëzit do të votojnë sipas disa skemave shumë të thjeshtuara "pro" dhe "kundër". Programet parazgjedhore, pavarësisht se çfarë shkruhet në to dhe nëse ka gjëra të rëndësishme dhe të dobishme, nuk do të luajnë një rol të madh në këtë", thotë politologu Doc. Ivo Inxhov, pedagog i komunikacioneve publike në Universitetin e Veliko Tërnovës. Sipas tij, programet parazgjedhore do të kenë rëndësi vetëm kur partitë ulen për të negociuar për formimin e qeverisë.
“Nëse formohet fare një qeveri, ajo do të ketë parasysh pikët e kryqëzimit të partive që marrin pjesë në të. Por probabiliteti që pas 2 tetorit të krijohet një qeveri është i vogël dhe nëse formohet nuk do të ketë një horizont shumë të gjatë për të zbatuar programet parazgjedhore”.
Nëse qytetarët ndalojnë pjesëmarrjen në proceset politike dhe aktiviteti bie në 20%, që është plotësisht e mundshme, atëherë do të bëhen të detyrueshme ndryshimi i kushtetutës dhe mënyra e qeverisjes së shtetit, tha për BNR-Vidin politologu Tonço Kraevski. Megjithatë, sipas tij, republika parlamentare si formë qeverisjeje është e mirë për Bullgarinë sepse “është e mundur që të gjitha grupet shoqërore të përfaqësohen në masë të mjaftueshme që të mos imponohet dhuna politike. Nuk jam i bindur se nëse regjimi në Bullgari do të ishte presidencial, do të ishte kështu. Bullgaria ka një traditë të gjatë të regjimeve personale”, kujton Kraevski:
“Bullgaria në thelb është një republikë gjysmë presidenciale, sepse ka një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli që ushtron një sërë pushtetesh ekzekutive, të ashtuquajturat “kompetenca të përbashkëta me Këshillin e Ministrave”, d.m.th. në këtë aspekt i ngjan republikës në Francë me përjashtim që kreu i shtetit në Bullgari në kohë normale ka shumë më pak ndikim. Republika e Bullgarisë është dinamike, në kohë paqeje, në një situatë normale, ajo është parlamentare. Atëherë presidenti e pret paradën më 3 mars dhe mban një fjalim të Vitit të Ri. Kur nuk është e mundur të formohet një qeveri parlamentare me mandatin e parë dhe të dytë, me të tretin presidenti ka mundësinë të emërojë një grup parlamentar sipas gjykimit të tij dhe në një farë mase të koordinojë, nëse është në gjendje për këtë - të bëhet arkitekti i një koalicioni. Ky është një manifestim i qartë se si kur parlamenti del i pafrytshëm, dmth. në pamundësi për të prodhuar pushtet, atëherë republika bëhet presidenciale për disa muaj, në të cilat kreu i shtetit emëron një qeveri tërësisht në varësi të tij. Kjo më duket një rregullim kushtetues i zgjuar dhe i bërë me mjeshtëri dhe i përshtatur shumë mirë me veçoritë e shoqërisë bullgare”.
Mirëpo, shoqëria po mbytet nga rritja e inflacionit, shqetësimet për furnizimet me gaz dhe lufta në Ukrainë, dhe formacionet politike duhet të bëjnë përpjekje serioze për të bindur qytetarët se mund ta nxjerrin vendin nga kriza. Me gjithë këto probleme reale politike, ne e pyesim veten nëse ngritja e temës së referendumit dhe ndryshimi i kushtetutës është një çështje imperative apo një përpjekje për të fituar vota për të arritur 4% për të hyrë në parlament.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BGNES, Ani PetrovaAthina do të modernizojë ushtrinë greke deri në vitin 2030 Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, prezantoi para partive në parlament planin e ndryshimeve në ushtri. Reformat do të përfshijnë të tre llojet e trupave. Deri në vitin 2030 Do..
Presidenti Rumen Radev u takua në Baku me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska, njoftoi BNT. Në fillim të bisedës, Radev falënderoi Siljanovskën për ftesën dhe theksoi se takimi është një vazhdim i rëndësishëm i..
U mbyll seanca e parë e Kuvendit Kombëtar të sapozgjedhur. Ashtu si në tre parlamentet e kaluara bullgare, zgjedhja e kryetarit doli të ishte një sfidë serioze, pasi asnjë nga dy kandidatët - Raja Nazarjan nga GERB-SDS dhe Andrej Cekov nga Po e vazhdojmë..