Në janar 2022, inflacioni vjetor në vendin tonë u përshpejtua në 9%, dhe vetëm një muaj më parë ishte rreth 7%. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikës, ky është inflacioni më i lartë mbi bazë vjetore nga muaji nëntor i vitit 2008 e këtej.
Inflacioni në mënyrë të dukshme po vazhdon të rritet dhe mbase do të arrijë një vlerë dyshifrore, parashikojnë ekonomistët. Si një motor kryesor të rritjes ata dallojnë çmimet e ushqimeve dhe të pijeve joalkoolike, të rritura kundrejt një viti më parë me 11%, çmimet e transportit të rritura me 21%, si dhe çmimet e banesave dhe të shërbimeve komunale me një rritje prej 13%. Tek disa lloje perimesh për shembull, kastravecë dhe speca, shtrenjtimi është me një numër dyshifror. Mjaft më të larta janë shpenzimet për korrent dhe ngrohje, shërbime mjekësore dhe stomatologjike. Në kuadrin e një muaji që nga fillimi i vitit ka një rritje të çmimeve për argëtim dhe kulturë - me 3.8%, dhe për restorantet dhe hotelet - me 2 për qind.
Çmimet e karburantit, energjisë elektrike dhe naftës po rriten dhe kjo në mënyrë të pashmangshme do të çojë në një inflacion edhe më të lartë, pa asnjë perspektivë stabilizimi të paktën deri në mes të vitit, thonë ekonomistët dhe analistët. Shkaku, të cilin ata e venë në dukje është situata gjeopolitike dhe për më tepër tejkalimi i kërkesës në krahasim me ofertën. Burimet natyrore gradualisht po shterohen në mbarë botën dhe kjo reflekton në tregtinë dhe çmimet e tregut. “Nuk ka të ngjarë që të shpëtojmë nga inflacioni së shpejti. Ne duhet te gjejmë masa të tjera fiskale dhe ekonomike, të cilat të zbusin deri diku këtë gjendje të varfërimit të vazhdueshëm të një pjese të madhe të popullit”, – tha ekspertja financiare Mika Zajkova për BNR-Stara Zagora.
“Le të mos harrojmë, kur flasim për nivelet e inflacionit, se ky është një indeks mesatar, por po të bëhet fjalë vetëm për ushqimet dhe për mallrat më të përdorura në shportën e vogël, që i përdorin më të varfrit, atje rritja është marramendëse. Që të mund të pakësohet presioni i inflacionit duhet cenuar tatimi mbi vlerën e shtuar dhe duhet të ketë një TVSH të diferencuar për ushqimet. Në 19 shtete evropiane TVSH-ja është nga 0 deri në 10%, derisa në Bullgari ajo është 20%. Me disa gazetarë bëmë një eksperiment, morëm nga tabloja e standardizuar për çmimet me shumicë 11 produkte, pa të cilat nuk mundet një ekonomi shtëpiake me fëmijë - oriz , mish të grirë, kaçkavall, qumësht, bukë dhe duke bërë krahasim me çmimet në një nga zinxhirët tregtarë me çmime të ulëta në Sofje, rezultati është tmerrues - diferenca midis çmimeve të shitjes me shumicë dhe pakicë rezultoi të jetë mesatarisht 85%. Kjo nuk është për shkak të spekulimeve nga ana e tregtarëve, sepse, të gjitha dyqanet ushqimore përdorin energji elektrike për frigoriferët, ndriçim, si dhe ujë dhe produkte higjienike. Dhe energjia elektrike për këto dyqane është me çmimin e bursës dhe pyetja ime është pse duhet paguar me këtë çmim të lartë, duke qenë se ka një çmim të rregulluar për konsumatorët familjarë?”
Gjithnjë e më shumë njerëz në Bullgari po jetojnë në prag të varfërisë, pasi inflacioni i galopuar nuk mund të kompensohet nga të ardhurat. Sipas statistikës rreth 600 mijë veta në vendin tonë marrin një pagë minimale pune (650 leva), ku 42 mijë prej tyre janë në administratën shtetërore. “Madje dhe të punësuarit në sektorin privat, të cilët më përpara merrnin para në dorë përveç pagës, por kjo tanimë është në të kaluarën, sepse vet biznesi tanimë është në një gjendje të vështirësuar”, thotë Mika Zajkova:“Të ardhurat për frymë për muajin dhjetor, kur inflacioni ishte më i ulët, ishin 1148 leva dhe imagjinoni se çfarë fiton tani një punëtor që punon me të ardhura minimale, por problemi është se askush nuk flet për vendosjen e një minimumi pa taksa në vendin tonë. Pragu i varfërisë po kështu duhet të rishikohet. Tani ai është 413 leva, por sipas rregullave të Bashkimit Evropian për 60% nga të ardhurat mesatare, pragu tek ne duhet të jetë 609 leva. Përsëri të varfrit bëhen edhe më të varfër, të pasurit edhe më të pasur, kështu që diçka në politikën tonë të taksave duhet që të ndryshojë”.
Përpiloi: Gergana MançevaPërgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Ekonomia bullgare u rrit me 2,2% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas vlerësimit ekspres të Institutit Kombëtar të Statistikave. Konsumi final shënoi rritje prej 4.6%, importet e mallrave dhe shërbimeve u..
Konfederata e Punës “PODKREPA” kritikoi ashpër projekt-amendamentet në Kodin e Punës të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, sipas të cilave rritja e pagës minimale lidhet vetëm me inflacionin. Në një deklaratë të përhapur, sindikata..
Prioritetet kryesore të biznesit – anëtarësimi në Eurozonë dhe Shengen me bazë tokësore, mbeten në plan të dytë. Ata janë motorët që mund t'i japin një shtysë ekonomisë dhe mungesa e një qeverie të rregullt i pengon ato të arrihen, tha për BNR..