Bullgaria do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit me delegacionin e saj më të vogël që nga Lojërat e Sarajevës në vitin 1984. Gjashtëmbëdhjetë atletë në shtatë sporte do të garojnë për një paraqitje të denjë, pse jo dhe për medalje. Ju kujtojmë se biatalonistja jonë Ekaterina Dafovska e bëri këtë kur u ngjit në majën olimpike në Nagano në vitin 1998, edhe pse asnjë autoritet botëror nuk kishte parashikuar një sukses të tillë për bullgaren.
Në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, më 4 shkurt, flamuri ynë kombëtar do të valëvitet nga biatlonistët dhe snowboardistët Maria Zdravkova dhe Radosllav Jankov. Atletët bullgarë do të garojnë në ski alpine, biatlon, ski, kërcim me ski, snowboard, sajë dhe patinazh artistik. Më shumë olimpistë do të kemi në biatlon - tetë, të ndjekur nga gjashtë skiatorë, dhe nga një përfaqësues në sportet e tjera. Për herë të parë që nga Olimpiada e Torinos në vitin 2006 do të kemi një pjesëmarrëse në patinazhin artistik dhe ajo do të jetë Aleksandra Fejgin.
"Skuadra jonë për Pekinin përbëhet prej atletësh me përvojë - disa prej tyre (biatlonisti Vladimir Iliev) po nisen për Olimpiadën e tyre të katërt, por ka dhe debutues që do të përjetojnë për herë të parë emocionin e atmosferës unike të Lojërave” - tha kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar Stefka Kostadinova para sajtit të selisë së centralit bgolympic.org.
Kryetarja e Komitetit Olimpik Bulgar nuk u angazhua për një parashikim për paraqitjen e olimpistëve bullgarë, por la të kuptohet se ata kanë shanset e tyre edhe për një medalje.
“Të mos i ngarkojmë olimpistët tanë me parashikime dhe pritshmëri paraprakisht. Ju kujtojmë se çfarë ndodhi në Tokio dhe se si, pavarësisht thashethemeve negative, bullgarët shënuan suksese të pabesueshme. Tani kemi shanse reale edhe në Pekin”.
Sipas Stefka Kostadinovës, mund të pritet një paraqitje e shkëlqyer në biatlon - një sport tradicionalisht i fortë në Bullgari, sipas fjalëve të saj.
“Në skijimin alpin, një talent bullgar aktualisht po bën sensacion për Kupën e Botës, në snowboard dhe kërcimin me ski tashmë dhjetë vjet dy përfaqësuesit tanë janë vazhdimisht në elitën botërore”, tha ajo. “Para se të ketë mbushur 20 vjeç, ylli ynë i ri i patinazhit artistik tashmë ka paraqitje të shkëlqyeshme në skenën evropiane dhe botërore.”
Ashtu si në Lojërat Olimpike Verore në Tokio vitin e kaluar, çdo veprim jo vetëm i organizatorëve, por edhe i atletëve do t’i jetë nënshtruar pandemisë së koronavirusit. Një nga lajmet e mira është se garuesit do të shfaqen para një audience, edhe pse vendase. Delegacioni bullgar do të shoqërohet sërish nga një “oficer Covid” i caktuar nga Komiteti Olimpik Bullgar.
“U uroj shëndet dhe ditë të mira të gjithë pjesëmarrësve, të ftuarve dhe organizatorëve të Lojërave Olimpike, tha në përfundim kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar Stefka Kostadinova, kurse spektatorëve -- shumë emocione të këndshme me paraqitjet e yjeve të sportit botëror dhe, shpresojmë, me sukseset e olimpistëve bullgarë në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2022.”
Përpiloi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: bgolympic.org, EPA/BGNES
Tenisti më i mirë bullgar Grigor Dimitrov u kualifikua në raundin e tretë të Turneut të Tenisit "Masters" në Shangai me një fond shpërblyes prej 9 milionë dollarësh.Grigor Dimitrov, i renditur nën numrin 9, eliminoi belgun Zizu Bergs mе 6:3, 3:6,..
Më shumë se 6000 vrapues do të marrin pjesë në edicionin e 41-të të Maratonës Wizz Air Sofia, njoftuan organizatorët e garës në një konferencë shtypi gati dy javë përpara fillimit.Traseja prej 42 kilometrash i disiplinës së gjatë këtë vit do të ketë..
Federata Bullgare e Peshëngritjes ka shpallur falimentimin e vet për shkak të borxheve të mëdha. Peshëngritësit Karlos Nasar dhe Bozhidar Andreev , të cilët fituan përkatësisht medaljen e artë dhe atë të bronztë në Lojërat Olimpike..