Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pas votës “2 në 1”

Shtatë parti në parlament dhe një kërkesë serioze për një qeveri koalicioni

Rumen Radev mbetet favorit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Vetëm pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët elektorale e pengoi Rumen Radevin që të fitojë lehtësisht mandatin e dytë presidencial, ndërsa partia e re “Po e vazhdojmë ndryshimin” mori kryesimin në garën parlamentare – në kundërshtim me parashikimet sociologjike për fitoren e ish-pushtetarëve të GERB-it.

A është e mundur që mobilizimi i votuesve potencialë në favor të prof. Anastas Gerxhikov të shkrijë diferencën prej afro 22% në favor të Kreut të tanishëm të Shtetit dhe për kë do të votojnë mbështetësit e Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë (DPS) në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale?

"Siç duket, ata do të votonin për Anastas Gerxhikovin," tha për BNR Irena Todorova, një pedagoge në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Ri Bullgar /NBU/. - Megjithatë, nuk mendoj se ai do të fitonte në mënyrë magjike nja 10%, sepse nuk është e qartë me sa DPS do të jenë në gjendje ta mobilizojnë elektoratin e tyre. Gjithsesi, më duket se Rumen Radev do ta mbajë pozitën e parë. Nga këndvështrimi i sotëm, duket se pikërisht ai është figura që gëzon një popullaritet më të madh dhe rezultati i tij është shumë mbi atë të Partisë Socialiste Bullgare /BSP/, madje mbi atë të “Po e vazhdojmë ndryshimin” – gjë që nuk mund të themi për figurat e tjera që kandiduan për president”.

Irena Todorova

Ndryshe nga dy zgjedhjet e mëparshme gjatë këtij viti, këtë herë analistët politikë shohin një shans për të formuar përfundimisht një kabinet të rregullt. Partia e ish-ministrave në detyrë që kanë mbaruar Universitetin е Harvardit, Kirill Petkov dhe Asen Vasilev, tashmë njoftoi se do të kërkojë mbështetje nga të gjitha forcat parlamentare, përveç GERB dhe DPS.

BSP do të rezultojë të jetë një lloj “dispeçeri” në formimin e qeverisë së re, është i mendimit sociologu nga Gallup, Përvan Simeonov.

Përvan Simeonov

E vërteta është se mandati për ndryshim u konfirmua qartë, pasi formacionet e protestës “i bënë transfuzion” partisë “Po e vazhdojmë ndryshimin” – tha ai për Radion Kombëtare Bullgare /BNR/. - Përveç kësaj, BSP nuk do të jetë më pengesë, pasi frika se ajo mund të fitojë një mandat të dytë nuk u konfirmua. Dhe së treti, populli tregoi se nëse edhe tani nuk formohet një kabinet, ai mund të bëjë gjëra edhe më drastike në zgjedhjet e ardhshme. Më duket se këtë herë ka erë të mjaftueshme për të formuar një qeveri dhe hapësira për manovrim është më e madhe.

Sipas politologut Strahill Delijski, fushata e GERB-it ishte agresive, arrogante dhe tërësisht synonte ndalimin e proceseve të erozionit në parti.

Strahill Delijski

"Bojko Borisov e arriti këtë në një mënyrë të jashtëzakonshme, por çmimi që të gjithë ne paguam për këtë lloj sjelljeje ishte fushata e pakëndshme që u bë një nga arsyet e pjesëmarrjes së ulët të votuesve," tha Strahill Delijski për BNR. - Përsa i përket "Po e vazhdojmë ndryshimin", formacioni fitoi pak a shumë me të njëjtin rezultat si "Ka një popull të tillë" /ITN/ në korrik të këtij viti. Por këtë herë do të kemi një tjetër lloj lojtari, rreth të cilit do të përqendrohet përgjegjësia për formimin e qeverisë së re. Parashikimi është pak më optimist - tashmë kemi një kërkesë më të qartë, mungon dëshira për konflikte dhe shkatërrime, kështu që ky projekt është i përshtatshëm për qëllime afatshkurtra të qeverisjes.

Kërkesat për formimin e qeverisë së koalicionit janë të forta, por nuk mungojnë mendime se nuk duhet të formohet qeveri “me çdo çmim”. Doc. Nikollaj Dimitrov, një psikolog social dhe pedagog në Universitetin e Sofjes, nuk sheh asgjë të keqe nëse Legjislatura e ardhshme e Kuvendit Popullor nuk arrin të formojë një qeveri.

Doc. Nikollaj Dimitrov

"Në të vërtetë, qeveria e përkohshme ka kompetenca të kufizuara dhe shpreson në veprimtarinë e vet kryesisht tek aktet e Kuvendit Popullor, por tashmë më shumë se gjysmë viti ne po shohim se ajo po punon mirë," tha Doc. Nikollaj Dimitrov për Radio Bullgarinë. - Çështja kryesore e ngritur nga politikanët është që buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm të përgatitet nga qeveria. Së pari, nuk ka asnjë problem që ai të bëhet nga Ministri në detyrë i Financave dhe të votohet nga një parlament i rregullt. Dhe së dyti, sipas legjislacionit, nëse buxheti për vitin e ardhshëm nuk miratohet, atëherë mbetet i vlefshëm ai i votuar për vitin aktual. Pra, nuk është aq e rrezikshme po të mbetemi për herë të tretë pa një qeveri të rregullt të zgjedhur nga Kuvendi Popullor”.

Parashikimet sociologjike dështuan në përcaktimin e forcës së parë politike në votimin parlamentar, por edhe për faktin se nuk parashikuan hyrjen në parlament të partisë “Ringjallja” /“Vëzrazhdane”/, e cila shpalli se është për heqjen e të gjitha masave kundër epidemisë, si dhe për tërheqjen e Bullgarisë nga BE-ja dhe NATO-ja. Kështu, Legjislatura e 47-të e Kuvendit Popullor do të përbëhet nga 7 forca politike. Çfarë do të jetë efekti i tyre mbi të ardhmen e Bullgarisë, mbetet për t'u parë.

Përpiloi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BNR, BGNES, arkiv personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..

botuar më 24-10-05 7.25.PD

Nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Bullgarinë nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme

Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..

botuar më 24-10-04 2.02.MD
Sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor, 01 tetor 2024.

David Avishaj nga Izraeli: Ka arsye konkrete për veprimet e Izraelit në Gaza dhe Liban

Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..

botuar më 24-10-03 7.35.PD