Në qytetin Kjustendill të Bullgarisë Jugperëndimore në lagjen Kollusha ngrihet kisha “Shën Gjergji Fitimprurësi”. Ajo u shpall monument arkitekturor dhe kulturor me rëndësi kombëtare. Ky është tempulli më i vjetër nga mesjeta në rajon. Krijuar nga duart e mjeshtërve të panjohur edhe më sot bukuria asketike e kësaj shenjtoreje magjeps dhe pushton vizituesit.
Nuk ka të dhëna të sakta kur u ndërtua kisha, nuk ka edhe ndonjë mbishkrim i cili të tregojë donatorët. U zbuluan afreske mbi mur nga shekuj të ndryshëm të cilat konsiderohen monumente të rralla të pikturimit mbi mur. Më të çmueshme konsiderohen ato që datojnë nga shekujt XI – XII. Kjo për arsye se rrallë hasen si në Bullgari, ashtu edhe në mbarë Ballkanin. Këtë e thekson doktori Javor Mitov nga Muzeu Historik në qytet tregon burimet të cilët studiuesit shfrytëzojnë për të mësuar më shumë hollësi për këtë monument të moçëm:
“Këto janë botime të shkencëtarëve që studiojnë historinë e artit, si dhe të historianëve që hulumtojnë dokumente të vjetra. Duke gjykuar nga veçoritë arkitekturore kisha u ndërtua në fund të shekullit të XI dhe në fillim të shekullit të XII. Në atë kohë ato troje ishin nën pushtetin bizantin. Mund të supozohet se ndonjë pasanik bëri dhuratë për të ndërtuar kishën, por për këtë nuk ka dëshmi të sakta. Në një fletë nderi botuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIII nga mbreti Konstantin Asen për manastirin “Shën Gjergji” pranë Shkupit, për herë të parë përmendet metohu Shën Nikolla në Kollusha pranë Vellbëzhdit (emri mesjetar i qytetit Kjustendill). Profesoresha Liljana Mavrodinova konsideron, se kisha në atë kohë i ishte kushtuar Shën Nikollës, gjë që më vonë u ndryshua.
Zografët të cilët e pikturuan kishën ishin në të vërtet mjeshtër të përsosur për të cilët supozohet se erdhën nga Selaniku ose nga Ohri U zbulua se shfrytëzuan bojëra shumë të shtrenjta të përziera me flori. Supozohet se arkitektura e kishës është vepër e mjeshtërve të Kostandinopojës.”
Afresket e mëvonshme gjithashtu kanë rëndësi të madhe sepse zbulojnë zhvillimin e pikturimit kishtar mbi muret në epokat e ndryshme. Ka afreske të datuara para shekullit XI, por prej tyre ruhen vetëm fragmente dhe nuk mund të bëhen konkluzione shkencore. Është shumë mirë e ruajtur figura e Shën Joan Paraardhësit e cila daton nga shekulli i XV. Shtresa e sipërme nga shekulli i XVI ruan pamje të mrekullueshme të Shën Joan Pagëzorit dhe Shëntorit Sava Serb. Pikturimi i fundit i tërësishëm i kishës u bë pas Çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane në periudhën midis viteve 1878 – 1882.
Godina e kishës është relativisht e vogël – gjatësi 10 metra, gjerësi 8.70 metra
“Kisha mund të krahasohet vetëm me disa të tjera në Bullgari të cilat datojnë nga po kjo periudhë dhe janë me po këtë arkitekturë – shpjegon Javor Mitov. – Ato janë kishat në Manastirin e Zemenit, në fshatin Patalenica, kisha në qytetin Rilla me afreske unike nga fundi i shekullit XII. Kisha “Shën Gjergji” në Kollusha është e ndërtuar me tulla. Kjo është një teknikë më e shtrenjtë se sa teknikat e zakonshme të ndërtimit me gurë. Kështu që gjithçka dëshmon për dhurues të pasur, për të cilët supozohet se mund të ishin nga familja perandorake ose nga aristokracia bizantine.”
Vitet e fundit interesi ndaj këtij monumenti të kulturës bullgare u shtua. Dhe kishën e frekuentojnë jo vetëm turistë nga Bullgaria por edhe nga jashtë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Allbena Bezovska
Shumeni është një qytet i njohur si një nga qendrat e Rilindjes bullgare, të jetës kulturore dhe shpirtërore, ku ende mund të ndihet shpirti i kësaj kohe. Në qoftë se shëtitni në rrugën e kalldrëmit “Mbreti i Çlirimit” dhe ecni drejt Tombul..
Banesat e neolitit në Stara Zagora janë një monument i jashtëzakonshëm historik me rëndësi botërore. Ato janë një prej 100 objekteve turistike kombëtare. Në muzeun, që ngrihet mbi vetë zbulimet arkeologjike mirëmbahet temperaturë dhe lagësirë e..
Manastiri i Etropolesë “Sveta Trocia” (“Trinia e Shenjtë”) i quajtur gjithashtu “Varovitec”, ruan faqe të shkruara nga kaligrafët e lashtë dhe të pikturuara nga piktorët e dikurshëm. Në këtë vend para qindra vitesh është zhvilluar dhe lulëzuar një..