Në hyrjet e disa prej kampeve naziste të përqendrimit anëtarët e Schutzstaffel (Skuadra e Mbrojtjes ose trupat mbrojtës – organizata kryesore paraushtarake nën udhëheqjen e Adolf Hitler-it dhe Partisë Naziste) kanë vendosur mbishkrimin cinik “Arbeit macht frei” – “Puna të bën të lirë”. Pa ironi, por me lotët e një realizmi shumë të hidhur gjatë Luftës së Dytë Botërore në Bullgari shumë prej hebrenjve bullgarë ishin shpëtuar, pikërisht nëpërmjet mobilizimit në trupat e punës. Kësaj teme iu kushtua një tryezë e rrumbullakët e punës e organizuar nga Instituti për Studime Historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Në lidhje me monumentet e sapovendosura në Bullgari kushtuar “Hebrenjve nga grupet e punës – viktima të Holokaustit – 1941-1944” tema u formulua në formën e debatit: “Shërbimi i punës i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – një plan shpëtimtar ose masë represive””.
Zëvendësministri i arsimit Petër Nikollov hapi forumin me fjalët se shpëtimi i hebrenjve bullgarë nuk është realizuar në ndonjë mënyrë epike, por me përpjekjet e drejtpërdrejta të shumë bullgarëve, çdo një prej të cilëve e ka gjetur mënyrën e vet për ta bërë këtë.
“Pavarësisht se çfarë është moda në botë, pavarësisht nga ideologjia që dominon, kur të bëhet fjalë për fatin e njeriut bullgari përpiqet të jetë human dhe i arsyeshëm. Dinjiteti i vërtetë i bullgarit – kjo është arsyeja e shëndoshë. Pikërisht arsyeja e shëndoshë e bullgarit, pavarësisht se çfarë flitej në politikën e madhe dhe në skenën botërore gjatë atyre viteve, është ajo që i ka shpëtuar hebrenjtë bullgarë” – theksoi Zëvendësministri Arsimit Petër Nikollov.
Raporti kryesor ishte i prof. Dimitër Nedjallkov - kolonel nga Akademia Ushtarake “G. S. Rakovski”. Ai u mbështet te dokumente të papublikuara nga Arkivi Ushtarak. Sipas tyre Shërbimi i punës i hebrenjve është në kuadrin e Ligjit për forcat ushtarake që nga viti 1940, i cili ka qëllim rregullimin e kushteve të jetesës dhe të punës për të gjithë të mobilizuarit në sistemin e shërbimit të punës dhe në ushtri. Gjatë vitit 1944 numri i përgjithshëm i trupave të punës ka qenë 90 000. Pak mbi 12 000, ose 15 për qind prej tyre, kanë qenë hebrenj. Pa u nënvlerësuar shfaqjet e antisemitizmit të disa personave të veçantë në sistem, rezultati përfundimtar ka qenë mbrojtja e jetës së mijëra hebrenjve bullgarë, të cilët kanë vërtetuar jo një herë me veprat e tyre qëndrimin e tyre të mirë ndaj shtetit dhe kombit bullgar.
“Trupat e punës ishin instrumenti me anë të të cilit u shpëtuan hebrenjtë bullgarë – saktëson prof. Dimitër Nedjallkov. – Kjo përpjekje ka karakter sistematik. Ajo nuk është fryt vetëm i një rrethi të veçantë njerëzish. Po fillojmë me mbretin (mbreti Boris III) si kryekomandant suprem, po vazhdojmë me komandantin e ushtrisë në veprim, me komandantin e trupave të punës dhe arrijmë më poshtë gjer tek ushtari i fundit. Pjesa kryesore e hebrenjve bullgarë kanë kaluar përmes kazermës bullgare në formën e trupave të punës. U befasova nga fakti se në arkivin ushtarak gjeta dokumente të papërdorura me rëndësi të madhe.”
“Dokumentet tregojnë qartë se angazhimi kryesor i komandantëve të trupave të punës është që t’i ruajnë këta njerëz në mënyrën sa më të mirë. Që në fillim të vitit 1941 është shënuar qartë se këta njerëz kanë të drejta dhe detyrime të barabarta me të gjithë të tjerët, kryesisht me bullgarët në përbërjen e ushtrisë. Megjithë Ligjin e miratuar për mbrojtjen e kombit, për nder të oficerëve të lartë bullgarë, personalisht të mbretit, nëpërmjet të cilit duhej të realizohej ndonjë ndryshim, Ligji për forcat ushtarake nuk është ndryshuar, por mbetet ashtu siç ka qenë që nga viti 1940. Dhe e gjithë kjo që i takon shërbimit në ushtrinë e shtetasve bullgarë, një pjesë prej të cilave me origjinë hebraike, është në përputhje me Ligjin për forcat ushtarake.”
Shpëtimi i hebrenjve bullgarë ka karakter unikal. Nuk ka shtet tjetër në botë, i cili të ketë shpëtuar në këtë mënyrë kaq shumë njerëz – nga një problem, i cili është rezultat i represionit të jashtëm. Ushtria bullgare ka qenë instrumenti kryesor për këtë dhe kjo nuk është e rastit, theksoi prof. Dimitër Nedjallkov.
Nga organizata e hebrenjve në Bullgari “Shalom” shprehën mospajtim sa i përket interpretimit të fakteve dhe të dokumenteve të cituara nga shkencëtarët. Para Radios Kombëtare Bullgare Alek Oskar – kryetar i “Shalom”, saktësoi se janë duke përgatitur një deklaratë drejtuar Kryetarit të Akademisë Bullgare të Shkencave, ku do t’i bëjnë thirrje Akademisë që të distancohet kategorikisht nga qëndrimet e shpallura në tryezën e rrumbullakët kombëtare.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Agjencia Shtetërore “Arkiva” dhe Ivo IvanovMë 10 nëntor 1989, në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare (BKP), Todor Zhivkov u lirua nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm - posti më i lartë në parti dhe në shtet. Ajo që ndodhi në takim më vonë do të përkufizohej si një..
Arkeologët zbuluan një shishe qelqi shumë të rrallë dhe të vlefshme në një varr të shekullit të II-të në nekropolin jugor të kolonisë romake Deultum pranë fshatit Debellt /Bullgaria Juglindore/. Gjëja unike është se ajo përshkruan mitin e përbindëshit..
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..