Për arkitekten Cvetanka Razsollkova gjithçka ka filluar në vitin 1997 kur është ftuar nga fondacioni “E ardhmja për Bullgarinë” për të projektuar pjesën e brendshme të kishës së sapondërtuar “Shën e Diela” në fshatin Nedelino në malin e Rodopeve. Gëzimi i njerëzve, të cilët në vazhdim të 400 vjetëve nuk kanë pasur kishë në fshatin e tyre e ka frymëzuar për punën e saj të ardhshme. Në vitin 2002 ajo ka projektuar kishën e saj të pare dhe që atëherë punon me Mitropolinë e Sofjes. Për këtë bashkëpunim ajo i është mirënjohëse Shkëlqesisë së tij Mitropolit Nikollaj, i cili tani është kreu i kishës ortodokse në Plovdiv (Bullgari Jugore). Ai e ka ndihmuar të njihet me filozofinë e fesë ortodokse.
Me porosinë e tij ajo ka projektuar zgjerimin e kishës “Trinia e Shenjtë” në manastirin “Apostujt e Shenjtë Petro dhe Pavli” pranë fshatit Dollni Llozen, afër Sofjes.
Krahas kësaj ajo ka filluar të projektojë dhe ndërtesa të tjera fetare, kisha dhe komplekse pranë manastireve, ka bërë rinovime dhe restaurime. Aktualisht punon mbi objektin e saj të 30-të fetar.
Cvetanka Razsollkova është arkitekte e licencuar pranë Ministrisë së Kulturës. Projektet e saj i realizon bashkë me motrën e vet – ark. Zoja Razsollkova, dhe me arkitekten e re Vesella Kostova. Ndër to është ai për kishën “Shën Kryedhjaku Stefan” në lagjen “Goce Dellçev” në kryeqytet:
“Kjo është një qendër shpirtërore ortodokse – shpjegoi arkitektja Razsollkova. Projekti është me sipërfaqe 2700 metra katrore – shumë i madh, me shumë detaje – një kishë, disa kapela, një qendër për veprimtari sociale.
Ndër projektet e para të arkitektes Razsollkova nga viti 2003 është kisha ortodokse “Shën Kostandin dhe Shën Elena” në qytetin Elin Pelin, e cila u shenjtërua para pak kohe.
Ndërtimi i saj u vonua për shkak të problemeve financiare. Kur ndërtimi i çatisë u pezullua, Gjyshi Dobri – njeriu, i cili hoqi dorë nga të gjitha pasuritë në jetë për të dhuruar për restaurimin dhe mirëmbajtjen e kishave bullgare, dhuroi 18 000 leva.
Në shkrimet e etërve të shenjtë thuhet se kur njeriu dëshiron të punojë për Zotin duhet të jetë i përgatitur për sprova – thotë arhitektja Razsollkova. – Çdo një objekt fetar kërkon punë të vështirë dhe specifike. Çdo një shenjtor e kërkon kishën e vet. Në fillim projektoj me dorë, kështu puna vjen nga zemra. Kjo bëhet me kreshma, me lutje ndaj shenjtorit përkatës dhe ndaj Zotit. Ai i cili projekton kisha nuk duhet të jetë vetëm besimtar, ai duhet të kuptojë mirë filozofinë e fesë, të respektojë rregullat e rrepta të ortodoksisë. Kështu frymëzimi i dhënë nga Zoti vjen natyrshëm. Arkitekti duhet të ketë një qëndrim të posaçëm ndaj fesë, sepse kisha është shtëpia e Zotit dhe duhet të jemi shumë të përkushtuar dhe të vëmendshëm – jo vetëm në projektim, por edhe në sjelljen tonë personale.
Ka rregulla specifike në kryerjen e mistereve të Kishës, të cilat arkitekti duhet t’i njohë për ta projektuar objektin fetar në mënyrë që ai të jetë i përshtatshëm për shërbesën e krishtere, e cila përmban simbolikë të pasur. Njohja e kishave të vjetra është gjithashtu e detyrueshme sepse ortodoksia ka rregulla rigoroze sa i përket formës dhe përmbajtjes, shpjegon arkitektja Razsollkova. Vetë ajo kur fillon punë mbi ndonjë objekt fetar lexon filozofi teologjike – parapëlqen veprat e Joan Damaskinit, sepse japin dije për dogmat ortodokse.
“Projektimi i kishës nuk është lavdi për arkitektin – thotë arkitektja Razsollkova. Sa më shumë godina të tilla projektoj, aq më qartë kuptoj se duhet të jem e përulur, sepse kjo është një mirësi që vjen nga Zoti dhe duhet të thellohem sa më shumë. Kisha ortodokse që nga jashtë duhet t’i tërheqë besimtarët duke provokuar dëshirë për t’u lutur. Kjo është arkitekturë e lidhur me ritualet fetare dhe prandaj vjen si një mister drejtpërsëdrejti nga Zoti. Kur përfundoj punën mbi ndonjë kishë më duket se dikush tjetër e ka bërë – ky është Arkitekti i Madh – Zoti. Kështu thuhet edhe në shkrimet e shenjta: Në se Zoti nuk ndërton një shtëpi puna e mjeshtërve do të jetë më kot – kjo është e vërtetë edhe për ne kur ndërtojmë Shtëpinë e Zotit”.
Përgatiti në shqip: Jordanka IvanovaFoto: arkiv personal
Më 28 gusht fillojnë garat më të rëndësishme për atletët me aftësi të kufizuara nga e gjithë bota - Lojërat Paraolimpike në Paris 2024. Për herë të katërt në një forum kaq prestigjioz, Stella Eneva do të marrë pjesë në disiplinën e hedhjes së..
Vendi ynë filloi të fitonte rregullisht medalje në Lojërat Olimpike Verore në vitin 1952. Sportisti i parë vendas që u kthye me bronz nga Lojërat e Helsinkit ishte boksieri Boris Georgiev-Mokata. Sa do të jetë numri i tyre nga lojërat e tanishme në..
Pothuajse çdo fëmijë ka dëshirën dhe aftësinë për të vizatuar. Sa i përket talentit, ndonjëherë duhen vite që ai të vihet re dhe të vlerësohet. Sidomos nëse ndodh që të rritesh në Bullgari në agimin e demokracisë. E tillë është historia e bashkatdhetares..
Në festën e Hyrjes së Nënës së Zotit në Tempull më 21 nëntor sipas Kalendarit Gregorian dhe Ditën e Kryeengjëjve Mihaill dhe Gavrijil sipas Kalendarit..