Banka botërore publikoi gjatë këtyre ditëve raportin e vet të radhës vjetor “Doing Business”, në të cilin studiohen dhe vlerësohen kushtet për bërjen e biznesit në vendet e ndryshme nëpër botë. Sivjet Bullgaria humb dy pozicione në klasifikim dhe zbret deri në vendin e 61 mes 190 shteteve të analizuara. Vend në gjysmën e parë tingëllon shumë mirë, por nuk është shkak për një krenari të veçantë. Kjo në praktikë do të thotë se në vend janë në dukje disa nga kushtet e nevojshme ekonomike, juridike dhe politike për zhvillimin e ekonomisë, por akoma do të duhet të bëhet shumë për lehtësimin dhe stimulimin e veprimtarisë së biznesit.
Shembuj në këtë drejtim nuk mungojnë. Mes më të freskëtave është rasti me investimin e parealizuar prej mbi 1 miliardë eurosh për ndërtimin e uzinës së gjigantit gjerman dhe botëror për prodhimin e automobilave Volkswagen, i cili, pavarësisht se nuk e ka shpallur zyrtarisht vendimin e vet, dha sinjale të sigurta se e ka parapëlqyer Turqinë përpara Bullgarisë. Kjo shkaktoi zhgënjime të forta në qarqet politike dhe të biznesit, me qenë se në praktikë koncerni jep të kuptohet se kushtet për biznes në vend nuk janë mjaft të mira ose jo dhe kaq të mira, sa në Turqi. Kurse autoritetet bullgare bënë përpjekje të shumta të tërheqin investimin, por vazhdimisht nënvizojnë se i respektojnë kufizimet e Bashkimit Evropian sa i përket ndihmës shtetërore për biznesin privat. Këto kufizime nuk ekzistojnë për palën turke dhe fqinja jonë jugore e përdor maksimalisht mirë këtë rrethanë.
E pasuksesshme tani për tani mbetet dhe marrëveshja për shitjen e aseteve bullgare të kompanisë shtetërore çeke CEZ të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në fillim të vitit ishte shpallur se asetet e kësaj kompanie çeke do t’i shiten një kompanie bullgare pak të njohur – “Inercom”. Por Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës nuk i dha udhë marrëveshjesdhe në fillim të vjeshtës u bë e qartë se një kompani tjetër bullgare - “Eurohold” do ta blejë filialin bullgar të shoqërisë çeke. Firma në fjalë nuk ka përvojë në këtë biznes, por arriti të provojë se disponon me 335 milionë eurot e kërkuara. Dhe kjo marrëveshje dështoi, sepse nuk mori miratimin e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës. Kështu CEZ nuk arriti të dalë nga tregu bullgar.
Por, jo kështu qëndrojnë gjërat me marrëveshjet e tjera të mëdha dhe të suksesshme, të cilat dëshmojnë se në Bullgari ka kushte jo të këqija për biznes. E tillë është shitja e shpallur këtë javë e njërit prej tri televizioneve më të mëdha në vend – BTV, që kalon në duart e PPF Group të Petr Kellner. Investitori çek i fitoi asetet mediatike të CME-së (Central European Media Enterprises), një pjesë nga e cila është dhe televizioni bullgar, për 2.1 miliardë dollarë. Miliarderi përpara kësaj u mundua të blejë një tjetër nga tri televizionet më të mëdha bullgare – Nova TV, por nuk mori miratimin e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës. E gjithë kjo dëshmon se, biznesi i madh e konsideron shtetin tonë si një vend i mirë për bërjen e biznesit. Duket se kështu mendon dhe grupi investues “United Group”, i cili ka ndërmend të blejë për 1,2 miliardë euro nga biznesmeni bullgar Spas Rusev dhe VTB-ja ruse, telekomin më të madh në vend - “Vivakom”, i cili përpara më pak se katër vjet e ndryshoi pronësinë e vet kundrejt 330 milionë eurove.
Shembuj për një biznes të mirë në Bullgari ka akoma shumë. Në ecuri janë procedurat për zgjedhjen e investitorit strategjik për projektin për termocentralin e dytë bërthamor bullgar në Belene, i cili pritet se do të kushtojë 10 miliardë euro. Kandidatët potencialë janë kompani nga kjo degë me reputacion të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Koreja Jugore, Rusia dhe Kina. Të suksesshme janë dhe marrëveshjet e bashkimit të bankave greke që operonin në vend Postbank dhe Piraeus Bank. Banka e Bashkuar Bullgare, e treta për nga madhësia në vend, kohët e fundit kaloi në duart e grupit financiar belg KBC. Koncerni Saudit “Arkad” ndërton në territorin bullgar gazsjellësin “Rryma Ballkanike” për 1.1 miliardë euro.
Faktet tregojnë se Bullgaria duhet të bëjë akoma shumë që të mund t’i arrijë vendet më përpara në klasifikimin e Bankës Botërore dhe të tërheqë akoma më shumë investime.
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva
Në vitin 2023, rritja e PBB-së së Bullgarisë ishte 1.9% më shumë në terma realë krahasuar me vitin 2022. Kjo është 0.1 për qind më shumë se rritja e paralajmëruar fillimisht prej 1.8%, njoftoi Instituti Kombëtar i Statistikave. Kryetari i..
Bullgaria është në vendin e 52-të për sa i përket lirisë ekonomike në botë për vitin 2024, sipas sondazhit të fundit të Institutit Kanadez “Fraser”, njofton Instituti për Ekonominë e Tregut. Sondazhi mat shkallën e lirisë ekonomike në 165 vende të..
Inflacioni në vend u ngadalësua ndjeshëm në shtator në 1.2 për qind nga 2.1 për qind në gusht, duke arritur nivelin më të ulët që nga marsi 2021, treguan të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave. Krahasuar me muajin gusht, ka një deflacion prej..