Çdo vit në Ditën e Kulturës Bullgare dhe të Shkrimit Sllavmë 24 maj afër fshatit të Moravisë së Jugut Mikulčice /Çekia/ derdhen bullgarë nga Çekia, Sllovakia, Hungaria, Austria dhe Gjermania. Vijnë dhe shumë të huaj nga bashkësi të ndryshme sllave dhe ortodokse në botë. Por pse pikërisht atje u jepet nder mësuesve të parë sllavë – vëllezërve Kirill dhe Metodij.
Në ditët e zakonshme, duke udhëtuar për në Pragë, Bërno, ose diku tjetër, njeriu zakonisht kalon afër rrugëve provinciale drejt Mikulčice, pa u kushtuar aspak vëmendje. Mirëpo, që nga viti 2009 në parkun atje ngrihet Monumenti i Apostujve Sllavë. Shkaku për këtë është një libër i vogël – “Sekreti i varrit të Metodit, kryepeshkopit të Moravisë“. Autor i tij është arkeologu çek prof. Zdeněk Klanica. Ai bëri hipoteza interesante për lidhjen e Metodit me vendin. Supozohet se afër Mikulčice ka qenë kryeqyteti i Moravisë së Madhe, i quajtur nga autorët e vonshëm Veligrad, ose Velehrad, domethënë “Pallati i Madh”. Pikërisht në Moravinë e Madhe vëllezërit e shenjtë Kirill dhe Metodij kanë realizuar misionin e tyre historik gjatë viteve 863-867, kur priftërinjtë kanë filluar t’i zhvillojnë meshat në gjuhën sllave dhe ta përdorin shkrimin e parë sllav.
Gërmimet arkeologjike në Mikulčice filluan në vitin 1954. Ato vazhdojnë tashmë 38 stinë dhe gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar kanë qenë më të mëdhatë në Evropë. Në një sipërfaqe prej 10 hektarësh u zbulua një qytet, që shtrihet në 3 ishuj në rrjedhën e lumit Morava. Janë gërmuar themelet e një pallati të madh, 12 kisha, tri urë, dy porte, mbi 2500 varre. Në kompleksin e përbashkët me pallatin ka qenë dhe bazilika e madhe. Afër dy godinave janë studiuar mbi 550 varre. Klanica i kushton një vëmendje të posaçme varrit Nr. 590, i cili është në bazilikën e madhe. Shkencëtari shpreh hipotezën e guximshme se këtu, në vitin 885, është varrosur Krypeshkopi i Moravisë së Madhe Metodij. Nëse në varrezën e gjetur të zbrazët Nr. 590 në të vërtetë është varrosur Shën Metodij dhe nëse atje afër Mikulčice është Velehrad, kjo është një çështje e diskutueshme shkencore. Fati i lipsanave të shenjtorit, megjithë kërkimin e tyre gjatë dy shekujve të tërë, është një enigmë, e cila ende nuk e ka marrë përgjigjen e vet. Disa shkencëtarë të tjerë e kërkojnë Velehradin dhe varrin e Metodit në veri të lumit. Vetë Klanica mendon se vendbanimi afër Mikulčice e ka pasur emrin Morava. Mirëpo, disa autorë të tjerë shprehin hipoteza të ndryshme për emrin e tij të dikurshëm.
Për ata, që nuk shfaqin interes ndaj historisë, është i befasishëm respekti nga ana e kishës katolike dhe vendasve ndaj vëllezërve të shenjtë, si figura shpirtërore dhe misionarë ortodoksë para Skizmës së Madhe gjatë vitit 1054. Por për rëndësinë e madhe të misionit të tyre në Moravinë e Madhe, e cila që prej shumë kohe nuk ekziston në hartën gjeografike, flet fakti se 11 shekuj më vonë ata e provokojnë jo vetëm interesin akademik, por ende janë në qendër të debateve të nxehta politike, kulturore dhe fetare në Çeki dhe Sllovaki. Në fakt pas përfundimit të gërmimeve vendi historik afër Mikulčice është shndërruar në një park të mirëmbajtur, por prozaik muzeor. Një nga iniciatorët është diplomati bullgar Zdravko Popov. Si ambasador në Pragë ai ka një kontribut të madh për ngritjen në Mikulčice të monumentit të vëllezërve të shenjtë. Vetë plastika është vepër e bullgarit Emill Venkov, i cili banon në Sllovaki.
Gjithmonë është bukur të vizitohet Mikulčice, jo vetëm për festën e 24 majit. Sot lumi Morava është kufi midis Çekisë dhe Sllovakisë, por kalohet lirisht. Kthesat e kohës kanë ruajtur një margaritar të vërtetë të kulturës mesjetare që nga epoka e Kirilit dhe Metodit dhe e misionit të tyre në Moravinë e Madhe. Kjo është kisha “Shën Margarita e Antiohisë“ – në bregun tjetër të Moravisë, afër fshatitKopčany. Kulti ndaj Shën Marina/Margaritës është bizantin. Në perëndim nderimi i saj ka lindur më vonë, pas shekullit IX, duke e quajtur shenjtoren Margarita. A mund të jetë transferuar kulti nga vëllezërit e shenjtë? Vetëm mund të supozojmë. Por me siguri Shën Metodij ka qenë afër tempullit dhe ka shërbyer atje. Shpirti i tij ende është atje, ndërsa vendasit po vazhdojnë ta quajnë “Shën Margarita” “Kishën e Metodit”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Ivo Ivanov
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..