Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ekonomia bullgare gjatë 2019-ës – rritje e matur, por e qëndrueshme

Foto: arkiv

Tani është koha e prognozave dimërore vjetore ekonomike të qendrave të ndryshme kërkimore dhe të institucioneve botërore. Para pak kohe u bënë të njohura prognozat e Bankës Botërore, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Komisionit Evropian. Mirëpo, nuk mbetën prapa edhe qendrat kërkimore bullgare dhe më konkretisht Instituti për Ekonomi të Tregut.

Të gjitha këto parashikime u realizuan gjatë ndryshimit të ciklit ekonomik. Në fakt dallimet mes analizatorëve janë vetëm sa i përket thellësisë dhe shpejtësisë së vonesës së pritur ekonomike në Evropë dhe në Bullgari. Pa hyrë në hollësi duhet të themi se të gjithë vëzhguesit janë unanimë se sivjet “moti ekonomik” në Bullgari do të mbetet me diell me pak vranësira, siç shënon në mënyrë metaforike Instituti për Ekonomi të Tregut. Thënë me fjalë të tjera ekonomia bullgare do të vazhdojë të ecë përpara edhe sivjet me njëfarë stabilizimi të shpejtësisë. Të gjithë janë unanimë se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) do të arrijë nivelin prej 3.1-3.7 për qind, që në sfondin e parashikimeve për vendet e eurozonës për më pak se 2 për qind do të ishte një arritje e mirë. Ky mendim përkrahet madje nga konsumatorët e vegjël në Bullgari, të cilët sipas studimeve të fundit të qëndrimeve të tyre kanë besim gjithnjë e më të madh ndaj mundësive të ekonomisë sonë. Kjo në fakt është shumë e rëndësishme, sepse i përket një prej motorëve kryesorë të rritjes ekonomike bullgare – konsumit të brendshëm. Akoma më tepër po të merren parasysh edhe fjalët e Kryeministrit Bojko Borisov, i cili shpalli publikisht se ka ardhur koha për rritjen e pagave. Ai premtoi se vitin tjetër do të ketë rritje të të ardhurave në sektorin publik me akoma 10 për qind, pasi më një janar të këtij viti ato tashmë u rritën një herë me 10 për qind. Kjo shkakton pritje dhe për një konsum më të madh, i cili do të stimulojë biznesin dhe industritë e ndryshme.

Bullgaria ka nevojë të madhe për rritje të shpejtë të të ardhurave, sepse sipas të dhënave të fundit bullgarët janë në vend të fundit në Evropë për nga PBB-ja për frymë të popullsisë – 7 300 euro kundrejt shumës mesatare në BE prej 15 000 eurosh. Kjo nga pikëpamja e ekonomisë kombëtare do të thotë kërkim më të dobët, shitje më të dobëta dhe prodhim më të dobët për shkak të aftësisë më të ulët blerëse. Rritja e premtuar e pagave në sektorin publik nuk është e madhe, por megjithatë është e ndjeshme dhe është pothuajse e sigurt se do të ndikojë edhe mbi pagat në sektorin privat.

Ekspertët presin që gjatë vitit 2019 të ketë investime më të mëdha publike në infrastrukturë, domethënë rritje të shpenzimeve publike. Një dëshmi se kjo vërtet do të ndodhë është fakti se në fund të vitit të kaluar qeveria ndau nga teprica buxhetore rreth 1 mlrd euro, me të cilat do të financohen para se gjithash projektet në fushën e transportit gjatë këtij viti dhe vitet në vijim. Parashikohet edhe përshpejtimi i subvencioneve evropiane, gjë që gjithashtu do të stimulojë sektorët e ndryshëm industrialë.

Në qoftë se Bullgaria ftohet, siç pritet, që të aderohet këtë verë në Mekanizmin e Këmbimit Valutor ERM2 si hap i parë në aderimin me eurozonën, kjo do të stabilizojë edhe më shumë tërë ekonominë dhe do t’i stimulojë bankat. Akoma më tepër se aktualisht ato ndodhen në një gjendje të mirë dhe regjistruan afro 1 mlrd euro fitime gjatë vitit të kaluar. Kasafortat bankare janë të plota dhe po presin që të kërkohen për financimin e projekteve të arsyeshme.

Nuk është e mundur të mos ketë optimizëm për 2019-ën në sfondin e këtyre zhvillimeve pozitive në vend. Ky optimizëm duket realist edhe në sfondin e potencialit jo shumë të madh të ekonomisë bullgare e cila është lidhur drejtpërsëdrejti me eksportin, ndërsa ai nga ana e vet kohët e fundit vështirësohet gjithnjë e më shumë për shkak të mungesës së krahut të punës. Ndërkaq, krahu i punës nuk mjafton sepse deri tani puna nuk konsiderohej kudo si kapitali më i rëndësishëm i biznesit dhe përkatësisht nuk paguhej mirë. Për këtë shkak qindra mijëra bullgarë emigruan, duke kërkuar një jetesë më të mirë jashtë. Tani erdhi koha që kjo tendencë të ndryshojë, por kjo nuk do të ndodhë menjëherë. Do tëketë nevojë për më shumë kohë dhe për më shumë para për pagat e punës, të cilat do t’i bëjnë njerëzit që të mbeten në vend, ndërsa emigrantët të fillojnë të mendojnë për rikthim dhe punë në atdhe.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Lëvizje në ekonominë bullgare, por në mënyrë të pabarabartë në fusha të ndryshme

Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..

botuar më 24-11-20 7.35.PD

Niveli i papunësisë në Bullgari është ruajtur edhe në tetor

Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..

botuar më 24-11-18 12.11.MD

Inflacioni mujor rritet 1.1%

Përshpejtim të inflacionit në 1.1% në tetor krahasuar me një muaj më parë, regjistroi Instituti Kombëtar i Statistikave. Në bazë vjetore, indeksi është 1.8 për qind. Në tetor, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për argëtim dhe kulturë janë rritur me 8,6%, për..

botuar më 24-11-16 11.40.PD