Arkeologjia shpesh herë lidhet me nocionet “thesare”, “ar”, “stolisje”. Thesare mund të jenë jo vetëm stolisjet e arta dhe qaforet me xhevahire, por edhe çdo lloj artefaktesh, të cilat zbulojnë gjëra interesante nga jeta e njerëzve të epokave të shkuara – ndoshta të stërgjyshërve tanë të panjohur me punën, gëzimet dhe dhimbjet, virtytet dhe mangësitë e tyre. Për të gjitha këto flasin gjetjet e arkeologëve bullgarë gjatë vitit 2018.
“Viti ishte interesant, me gjithë se jo i jashtëzakonshëm. Duke pasur parasysh pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore-historike, ai nuk ishte shumë i ndryshëm në kuadrin e pasurive të shumta në trojet tona. Por me siguri mund të dallohen disa zbulime dhe studime të rëndësishme që detyrimisht duhet të përmenden” – tha në një intervistë për Radio Bullgarinë doc. Hristo Popov, Drejtor i Institutit Kombëtar Arkeologjik me muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Ndër gjetjet më atraktive (për njohësit dhe për publikun e gjerë) ishte thesari i zbuluar në muajin gusht në Kaliakra. Ajo ka qene kryeqyteti i dikurshëm i Despotatit të Dobruxhës, shtet bullgar në bregun verior të Detit të Zi në fund të shekullit të XIV. Ekipi i arkeologëve ishte kryesuar nga docent Boni Petrunova, Drejtore e Muzeut kombëtar Historik. Thesari përfshin 957 sende – monedha të arta dhe të argjendta, vathe ari, tokëza etj. Ato përfaqësojnë kultura të ndryshme – bullgare, osmane, bizantine. Supozohet se thesari ka qenë objekt i plaçkitjes nga ana e invazorëve tatarë. Pas shpartallimit të tyre ai ka mbetur në një poç nën dyshemenë e shtëpisë, që ishte studiuar gjatë këtij viti.
“Duke u nisur nga Parahistoria gjer në Mesjetë duhet të përmenden studimet që vazhdojnë prej vitesh në rajonin e Provadijës – kriporja, një tumul parahistorik që ka qenë e lidhur me nxjerrjen e kripës. Përveç rezultateve të mira të shënuara deri tani, nga ky vit tashmë është siguruar akses për vizitorët tek tumula” – na tregoi doc. Popov. Qyteti i që tani quhet “Provadija – kriporet” ishte themeluar para më se 6500 vjetëve. Aty janë zbuluar artefaktet e arta më të vjetra në Evropë. Studimet gjatë këtij viti ishin përqendruar mbi fortifikimet mbrojtëse, që kanë ruajtur popullsinë – njerëz mjaft të pasur, sepse kripa që kanë nxjerrë dhe kanë shitur ishte shumë e shtrenjtë në atë periudhë.
Objekti tjetër i rëndësishëm parahistorik, sipas doc. Popov, është vendbanimi i neolitit Sllatina (në caqet e Bashkisë së Sofjes), i cili supozohet se është themeluar në fund të shekullit të VII para Krishtit. Aty kanë jetuar banorët e parë të Sofjes së sotme, ndërsa gërmimet tregojnë detaje jashtëzakonisht interesante për jetën, kulturën dhe botën e tyre shpirtërore. P.sh. një enë qeramike me ornamente ndoshta ka simbolizuar barkun e Perëndeshës-Nënë. Ndërsa ushqimi që gatuhej në të lidhej me krijimtarinë, me kalimin nga primitivizmi tek qytetërimi.
Nga periudha antike “shumë herë është përmendur Herakleja Sintika (Bullgaria Jugperëndimore, në afërsi të qytetit Petriç). Statuja dhe komplekse të bukura arkitekturore, të lidhura me agorën e Heraklejas”, shtoi doc. Popov. Agora, sheshi qendror, kjo ishte zemra e qytetit antik, qendër e jetës politike, ekonomike dhe kulturore. Gjatë këtij viti në Herakle, përveç statujave të mrekullueshme, ishin zbuluar dhe monedha të vogla, shumë të çmueshme, që ishin prerë “në vend”. Ato kanë qenë jo vetëm valutë, por kanë pasur dhe funksion prestigjioz – kanë treguar traditat dhe përparësitë e qytetit të vjetër mes qyteteve më të reja romake në rajon. Supozohet se qyteti ishte themeluar në shekullin e IV para Krishtit, në kohën e Filipit të II, të atit të Aleksandrit të Madh dhe prandaj mban emrin “Heraklea”, sepse heroi Herakli (Herkuli) konsiderohet si i ati i kësaj dinastie.
Ka akoma një objekt antik shumë të rëndësishëm, sipas doc. Popov.: “Apolonia Pontika (qyteti i sotëm Sozopol, në pjesën jugore të Detit të Zi) për herë të radhës na ofroi risi për nekropolin e qytetit antik”. Zbulimet e vjetra dhe te reja nga Apolonia ishin prezantuar në Sofje me një ekspozitë të madhe, në të cilën morën pjesë disa muze, mes të cilëve Muzeu Kombëtar Arkeologjik me muze dhe Muzeu i Luvrit.
Kuptohet, arkeologjia nuk është një klasifikim olimpik me pika dhe lista me zbulimet e rëndësishme nuk mbaron deri këtu. Doc. Popov përmendi gjithashtu qytetin ushtarak antik Nove (Novea) në afërsi të Svishtovit, baza e Legjionit të VIII të Augustiti (Legio VIII Augusta), të ngritur nga Jul Çezari. Po ashtu dhe kalanë e vjetër (nga shek.V para Krishtit) afër fshatit Ravadinovo, të bashkisë Sozopol.
Edhe një kryevepër tjetër të artë nga Mesjeta e vonshme – një kryq unik me pjesëz të Kryqit të Krishtit, zbuluar në kalanë Trapezica (qyteti i sotëm Veliko Tërnovo). Ky është një artefakt bizantin nga shek. XII.
Gjatë vitit vazhduan dhe studimet nënujore, kryesisht në kuadrin e programit ndërkombëtar "Black Sea Map". Sivjet shkencëtarë bullgarë dhe britanikë zbuluan anijen më të vjetët të ruajtur në botë. Kjo është një anije greke e fundosur para 2400 vjetëve.
Arritja e arkeologjisë nënujore janë gjetjet në ishullin Shën Toma (në pjesën jugore të Detit ti Zi). Dikur ai ka qenë gadishull që fundosej gradualisht gjatë shekujve. Në terrenin e mbetur nën ujë janë zbuluar mbetjet e një kalaje të lashtë (me siguri trake) nga fillimi i shk. I para Krishtit dhe objekte të tjera interesante.
Një ngjarje e rëndësishme për arkeologjinë tonë dhe për trashëgiminë kulturore ishte ekspozita “Thesaret e shpëtuar të Bullgarisë”, që u hap në nëntor në Institutin Kombëtar Arkeologjik. Në të ishin treguar mbi 300 eksponate, pronë të 19 muzeve në vend, përfshi Muzeun Kombëtar Arkeologjik me muze. Ato vërtetë janë shpëtuar nga duart e kërkuesve ilegalë dhe kontrabandistëve, janë ruajtur për kulturën bullgare dhe jo për ndonjë koleksion kriminel jashtë shtetit. Meritë për këtë kanë kryesisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Shërbimet e posaçme.
“Jam shumë i kënaqur, kur shoh se gjithnjë e më shumë njerëz të rinj dhe inteligjent hyjnë në këto shërbime dhe punojnë si profesionist”, tha në përfundim për Radio Bullgarinë docent Hristo Popov.
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..