Financimi i pamjaftueshëm, zhvillimi digjital dhe angazhimi i publikut të ri janë sfidat, para të cilave qëndrojnë të gjitha mediat publike në Evropën Juglindore – u bë e qartë gjatë kohës së forumit të organizuar nga Radioja Kombëtare Bullgare. Drejtorët e mediave ballkanike komentuan për Radio Bullgarinë problemet aktuale të ambientit mediatik:
“Roli i mediave publike siç dihet është t’u shërbejnë qytetarëve. Nga kjo pikëpamje është e papranueshme çdo ndërhyrje e jashtme në politikën editoriale, pavarësisht nga vjen – nga ana e qeveritarëve apo nga ajo e opozitës. Mediat publike duhet të respektojnë të njëjtën distancë nga të gjithë pjesëmarrësit e jetës shoqërore dhe politike” – është mendimi kategorik i Drejtoreshës së përgjithshme të Radiotelevizionit të Malit të Zi Andrijana Kadija.
“Qëllimi është që të diskutojmë temën për bashkëpunimin më të mirë në këtë regjion, në të cilin ERT është pioner”, nënvizoi para Radio Bullgarisë Vasilis Kostopulos, drejtori ekzekutiv i Radiotelevizionit të Greqisë (ERT). “Unë jam mik i Bullgarisë dhe mik i Radios Kombëtare Bullgare”, tha ai dhe vazhdoi:
“Me Radion Kombëtare Bullgare kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe shpesh i kemi të njëjtat pozita për çështjet evropiane. Bashkëpunojmë dhe me shtete të tjera ballkanike, por me Bullgarinë kemi një miqësi tradicionale. Para 12 vitesh organizova një nismë me qëllim përafrimin e mediave publike të vendeve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit – nga Deti i Zi deri në Detin Jon. Shtetet e këtij regjioni përballen me probleme të ngjashme dhe prandaj me ndihmën e Radios Kombëtare Bullgare krijuam një Komision koordinimi, i cili përgatit disa programe. Ato natyrisht kanë nevojë për financim dhe pavarësisht se nuk jemi shtete të pasura, ne arritëm të realizojmë shumë konferenca si ato në qytetin bullgar Varna, në Greqi, Kroaci, Kiev dhe Odesa. Shpresoj se do të kemi rezultate pozitive.”
Cilat janë sfidat kryesore para mediave publike sot?
“Problemi kryesor është se jetojmë në shoqëri, ku ka konkurrencë të madhe dhe ajo nganjëherë është e pandershme – mes mediave publike dhe atyre private, tha Vasilis Kostopulos. Në këtë mjedis mediat publike përpiqen të funksionojnë, duke mbrojtur në mënyrën sa më të mirë vlerat e veta – informimin cilësor, argëtimin cilësor dhe programet cilësore. Dhe më e rëndësishmja është se mediat publike e mbrojnë të vërtetën.”
“Redaksitë e gjuhëve të huaja i ndihmojnë popujt që të bëhen miq”, tha zëvendës drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit turk (TRT) Tunxhaj Jurekli (Tuncay Yürekli). Ai na tregoi më shumë për vendin e Redaksisë së Gjuhës Bullgare në median e përfaqësuar nga ai:
“Nëpërmjet internetit transmetojmë në 41 gjuhë të huaja dhe përpiqemi të theksojmë mbi marrëdhëniet pozitive. Nga kjo pikëpamje një nga elementet e marrëdhënieve të mira është Redaksia e Gjuhës Bullgare e TRT-së. Jam i lumtur, sepse di se kolegët e kësaj redaksie punojmë me përkushtim dhe bëjnë përpjekje të shumta për përforcimin e kontakteve ndërmjet dy vendeve. Diversiteti gjuhësor na jep mundësi për zhvillimin e solidaritetit kulturor dhe për kapërcimin e disa problemeve.”
Me 6 radiot kombëtare dhe 9 regjionale, 4 orkestrat dhe 2 koret, kështu edhe me “Radio Romania International” me programe në 12 gjuhë, Radioja Kombëtare e Rumanisë e zbaton misionin e vet të rëndësishëm të informojë dhe të arsimojë. Menaxheri i saj i përgjithshëm Georgica Severin shpjegoi:
“Roli ynë është të informojmë në mënyrë të drejtë. Mendoj se gazetarët në mediat publike (por kjo vlen për të gjithë gazetarët) nuk duhet t’ua imponojnë mendimin e tyre dëgjuesve apo lexuesve. Kur ka ndonjë ngjarje detyra jonë është që të paraqesim të gjitha hollësitë. Po të ketë ndonjë çështje politike, ne duhet të mbulojmë të gjitha pikëpamjet. Mendoj se dëgjuesit tanë janë mjaft inteligjentë, për të bërë vetë konkluzionet e tyre. Roli ynë nuk është të manipulojmë, por të informojmë.”
Problemet që i hasin mediat publike në erën digjitale janë të ngjashme. Georgica Severin nënvizoi në vend të parë audiencën e moshuar – për shkak të faktit se të rinjtë zgjedhin kanalet digjitale dhe mediat sociale. Ky është problem, sepse të rinjtë nuk i përdorin këto burime të informacionit korrekt – sepse mediat publike ofrojnë informacionin më autentik dhe më të balancuar. Një problem tjetër për radion rumune është financimi – ai është i përbashkët për të gjitha mediat e tilla në Evropë. Buxheti vjetor i Radios Kombëtare të Rumanisë është 80 miliona euro, duke pasur parasysh se në të punojnë 2000 nëpunës brenda organikës dhe 700 jashtë organikës. Financimi i pamjaftueshëm i mediave publike është një tendencë që do të thellohet në plan afatgjatë.
“Duhet të dimë se e ardhmja është në multimedia, në mobilitet dhe në aksesin e shpejtë tek informacioni, tha Georgica Severin. Mediat publike duhet të jenë diçka më shumë se radio dhe televizion – duhet të organizohen në mënyrë të re, me tërë pasurinë e kanaleve të komunikimit dhe platformave.”
Në këtë kontekst si mund të bashkëpunojnë mediat ballkanike?
“Me marrëveshje të dypalëshe dhe pse jo – me një organizim të përbashkët të mediave ballkanike – por kjo mund të realizohet në të ardhmen më të largët. Duke punuar në radio pjesa më e rëndësishme e shkëmbimit tonë është muzika – ajo është elementi më i rëndësishëm i kulturës radiofonike” – tha Georgica Severin.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Foto: Ani Petrova
Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..
Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...
Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..