Në ekspozitën e tij të re piktori Atanas Hranov hap përpare nesh derën e ateliesë së vet – të atij vendi më intim, nga i cili në mëngjes rrjedh një dritë mistike
“Mëngjesi në atelie” turbullon kufijtë mes imagjinatës dhe realitetit dhe nganjëherë lë një gjurmë të zymtë, si ajo prej kafesë së derdhur, që del jashtë gotës dhe merr rrugën e saj”. Kështu njeriu i letërsisë Svetllozar Zhelev prezantoi në galerinë e kryeqytetit “Rakursi” ekspozitën e fundit të një nga piktorët tanë më interesantë bashkëkohorë. Në veprat e tij Atanas Hranov jo vetëm ngulit çaste, ai tregon histori.
“Atelieja është ajo hapësirë shpirtërore, të cilën secili piktor e mban brenda vetes. Nuk është vetëm një ambient në një ndërtesë – me mure, dysheme, tavan – tha Atanas Hranov. – Bile mund ta quaj “labirint shpirtëror”, të cilin e ndërtojmë çdo ditë me të gjitha shqetësimet, frikët, ëndrrat, dashuritë, dëshirat. Frikët tona nuk janë gjëja kryesore që na formon si personalitet. Natyrisht bota, në të cilën jetojmë, nuk mund të na lërë të qetë dhe ankthi për të ardhmen e saj është i dukshëm në secilin veprim tonë. Por ndërkohë nuk duhet harruar të bukurën rreth nesh – njerëzit duhet të kthehen gjithnjë e më shpesh nga ajo anë – më e ndritshmja, ku jeta jonë është më e mirë.”
Artisti i lindur në vitin 1961 në qytetin e Plovdivit mbaron specialitetin “Gdhendje mbi dru” në Akademinë e Arteve Figurative, por akoma gjatë viteve të studimit tregon interes për pikturimin, me sukses gërsheton teknikat, duke arritur deri tek një ngjyrosje, specifike vetëm për të. “Fillova të vizatoj mbi dru dhe veprat e mia gjithnjë e më shumë afroheshin tek pikturat. Në fund arrita deri tek rrafshësia e përsosur e kanavacës”- sqaron ai. Deri tani piktori ka 40 ekspozita dhe shpjegon se stili i tij është “realizëm magjik”. Thotë se kur qëndron pranë këmbalecit të piktorit e lë nënndërgjegjen e tij të punojë. Kështu në kanavacë shfaqen përjetime me një logjikën dhe jetën e tyre – siç është rasti me pikturën “Portreti i një udhëtimi”, e cila mund të shihet në ekspozitën “Mëngjesi në atelie”.
“Një natë duke lundruar në oqean isha vetëm në kuvertë dhe pashë diçka fosforeshente në ujë – kujton Atanas Hranov. Papritmas kjo gjë fillonte të afrohej dhe atëherë përjetova një frikë të tmerrshme për shkak të ndonjë kërcënimi misterioz. Pak më vonë kuptova se këto ishin dy balena, të cilat afroheshin fare pranë jahtit duke luajtur, por derisa e kuptova këtë përjetova një frikë të madhe dhe të papërmbajtshme. Më vonë të njëjtën ndodhi e zbulova në njërën prej pikturave të mia dhe më pëlqente shumë kjo se e kisha treguar historinë “fjalë për fjalë”. Në të mund të shihni fytyrën e një fëmije të frikësuar, të rrethuar nga krijesa të çuditshme të bardha në ujë, ndoshta sepse unë në të vërtetë ndihesha si fëmijë të frikësuar.”
Tani, kur pikturat tashmë janë në sallën e ekspozimit, ato do të mbeten atje deri më 4 maj. Pastaj piktori përsëri do të drejtohet në udhëtimin e tij të radhës me jaht – drejt stuhive të tij më të dashura – era dhe uji, dhe do të vazhdojë “udhëtimin e mrekullueshëm, të gjatë dhe interesant, të quajtur jetë”.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Foto: arkiv personal
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...
Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..
Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..