Dy piktorë e paraqitin Bullgarinë në ekspozitën ndërkombëtare “Mjeshtërit e akuarelit” në Shën Petersburg nga 1 deri më 25 shkurt. Veprat e pjesëmarrësve bullgarë deri diku e paraqitin tërë diapoazonin e artit të akuarelit, mendon një prej pjesëmarrësve – Aleksandër Telalim. Vetë ai thotë për veprat e veta se janë shumë poetike dhe e demonstrojnë atë fuqi të akuarelit, kur rezultati gjithmonë është i papritur dhe i pazëvendësueshëm.
Sa për veprën e Kirill Bozhkovit, atje në vend të parë del drita. Ai prezantohet me një portret të Gjyshit Dobri, i njohur si “Shenjtori nga fshati Bajlovo”, i cili u nda nga jeta para rreth dhjetë ditësh në moshën 103 vjeç.
Edicioni i dytë i ekspozitës “Mjeshtërit e akuarelit” përsëri takon në Shën Petersburg elitën e botës së akuarelit. Pjesëmarrësit janë afro 100 nga 23 shtete. Më shumë se 400 vepra prezantojnë drejtime klasike dhe moderne në art, nëpërmjet stileve dhe temave të ndryshme – portrete, peizazhe, natyrë e egër, abstraksion... Në seleksionimin e pjesëmarrësve organizatorët kërkojnë nivelin e lartë të profesionalizmit dhe stilin origjinal të autorit.
Aleksandër Telalim është bullgar nga Bessarabia, i cili ka lindur në Ukrainë. Ai banon në Bullgari që prej 20 vitesh dhe thotë se këtu ndihet si në shtëpi. Ka marrë pjesë në mbi 60 ekspozita në vend dhe jashtë. Temat që e interesojnë janë të ndryshme, të shprehura nëpërmjet metodave të ndryshme krijuese. Veprat e tij janë intuitave, spontane:
“Mbështetem te kultura të ndryshme – tek ajo ruse, sigurisht edhe tek ajo ukrainase, kam marrë shumë gjëra nga Lindja – nga Kina dhe Japonia. Përpiqem t’i kombinojë në krijimtarinë time. Vitaliteti karakteristik për bullgarët gjithashtu ndihet në veprat e mia."
Aleksandër Telalim thotë se akuareli është teknika e tij e dashur dhe është një sfidë e vërtetë. Kjo është një teknikë e gjallë – uji e mbaron atë që e ka filluar piktori dhe rezultati është një sintezë mes dëshirave dhe mjeshtërisë së krijuesit dhe asaj që ia ka dhënë Zoti. Sot akuareli gëzon një interes të madh në botë dhe në Bullgari gjithashtu – cilat janë shkaqet për këtë?
“Gjatë 50 viteve të fundit teknika e akuarelit u përhap shumë – vë në dukje piktori. – “Ka materiale më të mira moderne, të cilat sigurojnë cilësi dhe vizion. Teknika e akuarelit të lejon të shprehesh në një mënyrë më të ndryshme – ajo është urë mes grafikës dhe pikturës. Kjo liri e teknikës lejon lindjen e një dialogu më intim me shikuesin.”
Megjithëse numri i akuarelistëve në Bullgari nuk është shumë i madh, bullgarët e kanë stilin e vet dhe ide interesante, kurse kohët e fundit ka piktorë shumë të mirë, është i bindur Aleksandër Telalim. Duke folur për veprat bullgare ai bëri një paralel mes specifikave të ikonës bullgare dhe atyre ruse dhe katolike:
“Nga njëra anë ne, si sllavë, jemi njerëz shumë të ngrohtë me një shpirt shumë të pasur, i kushtojmë një vëmendje shumë të madhe njeriut, jo vetëm teknikës. Ikona bullgare në krahasim me atë ruse nuk është kaq e përsosur dhe e përkryer në të gjitha anët. Mirëpo, ajo është më ekspresive, shpreh një vitalitet të thellë, madje magji, rrënja shumë të thella. E gjithë kjo ndihet edhe në veprat e tjera, jo vetëm në akuarel, ndoshta në tërë kulturën tonë.”
Pasioni tjetër i Aleksandër Telalimit është kaligrafia. Ai merret me diçka shumë të vështirë – krijon kaligrafi në alfabetin cirilik në stilin lindor.
“Shpresoj se në të ardhmen do të arrij një sintezë edhe më të mirë mes pikturës dhe kaligrafisë. Kjo, me të cilën unë merrem, është diçka shumë specifike – kaligrafia në gjuhën bullgare dhe në atë ruse. Gjithmonë më ka bërë përshtypje se si kinezët dhe japonezët e gërshetojnë imazhin grafik me tekstin.”
Teksti është shumë i rëndësishëm për Aleksandërin. Kjo mund të jetë poezi klasike – haiku – forma më e shkurtër poetike në botë prej tri vargjesh me pesë, shtatë, dhe pesë rrokje. A shpeshherë bashkëpunon me poetë bullgarë haiku. Tani krijon kaligrafi për librat e poezisë të autorëve bullgarë dhe të autorëve nga shtete të tjera. Në fund të intervistës Aleksandër Telalim i dhuroi Radios Kombëtare Bullgare një vepër me haiku të Violeta Penushlievës.
“Një natë magjike.
Hëna lahet në liqen
lakuriqe”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: arkiv personal
Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..
Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...