Tashmë më shumë se një javë vëmendja e shoqërisë në Bullgari është angazhuar me tensione të ashpra, të krijuara në Asenovgrad pasi disa fëmijë ishin rrahur nga një grup romësh. Në shikim të parë një incident i vogël çoi në protesta të mëdha nga ana e popullsisë bullgare. Qytetarët e Asenovgradit përgatitën një listë me nënshkrime, drejtuar Parlamentit, me kërkesë për dënime efektive kundër dhunuesve dhe për zgjidhjen e problemit lidhur me ndërtesat e paligjshme në mëhallën e romëve dhe me romët, që mbërrijnë atje pa kontroll nga vende të tjera. Me protestën u solidarizuan aktivisht njerëz nga mbarë vendi. Nuk u vonuan edhe reaksionet politike.
Zëvendëskryeministri Valeri Simeonov, i cili është përfaqësues i koalicionit kombëtar “Patriotët e Bashkuar” deklaroi publikisht se nuk ka aspak përparim në shtet në integrimin e romëve dhe problemi me ta nuk do të përballohet, derisa të mos zgjidhet çështja e izolimit të etnisë së ciganëve në geto. Deputeti nga opozita e majtë paralajmëroi në mënyrë dramatike se romët në vend janë një detonator, i cili mund ta hedhë në ajër tërë Bullgarinë. Edhe sipas së majtës getoja e romëve është një vend krimesh, që kërcënon edhe sigurinë kombëtare të Bullgarisë. Në partinë “Ataka”, e cila është pjesë e koalicionit “Patriotët e Bashkuar”, janë të mendimit se bëhet fjalë për hasjen e dy modeleve kulturore. Faktikisht modeli i tyre është shumë specifik, sepse në dallim të bullgarëve, turqve dhe armenëve, të cilët janë një popullsi stacionare, ciganët janë nomadë socialë, kurse “nomadi është ai, i cili nuk kujdeset për botën, që e rrethon, por vetëm i përdor pasuritë e saj”. Sipas partisë “Ataka” duhet të ketë sanksione kundër romëve, madje represione. Dramatizmi i debatit në shoqëri dhe ndër politikanët mund të jetë i tepruar, por tregon se pa dyshim problemi i romëve në Bullgari bëhet gjithnjë e më i ashpër. Kjo që ndodh sot në qytetin Asenovgrad nuk është një kazus i izoluar, por kronik, i cili që prej vitesh përsëritet në rajone të ndryshme të vendit me pothuaj të gjitha karakteristikat. Bullgaria disponon një strategji kombëtare për integrimin e romëve, por jo edhe politika efektive për realizimin e saj. Madje partia në pushtet GERB na informon se për integrimin e romëve financohen me mjete kombëtare dhe ndërkombëtare shumë projekte, por harxhimi i milionëve krijon baronë ciganë, por jo edhe pakicë rome të integruar në shoqëri. Nuk ka kundërshtime mes pushtetarëve dhe opozitës se zgjidhja e problemit kalon edhe përmes barazisë së të gjitha komuniteteve para ligjit dhe nuk duhet të justifikohen ndërtimet e paligjshme të shtëpive, vjedhjet, shitja e votave gjatë zgjedhjeve. Mirëpo, ka kundërshtime nëse të gjitha partitë janë me të vërtetë të këtij mendimi, sepse sipas deputetit nga partia në pushtet GERB Manoill Manev, “një pjese e partive politike në Bullgari kanë nevojë pikërisht për një komunitet të tillë, të paintegruar, analfabet, të papunë dhe të varfër, i cili nuk i respekton ligjet e këtij shteti.”
Pas debateve të nxehta, që vazhduan tri orë, dje Parlamenti miratoi një raport për zbatimin e strategjisë kombëtare për integrimin e romëve gjatë vitit 2016. Zëvendëskryeministri Valeri Simeonov deklaroi në përfundim se këtej e tutje ndihmat sociale duhet të jepen vetëm kundrejt arsimit dhe punësisë. Sipas fjalëve të Kryeministrit, të gjithë janë të bindur se integrimi i romëve është një politikë afatgjatë dhe këtu përfshihen gjithashtu politikat për luftimin e varfërisë dhe për integrimin social. Mungesa e efektivitetit të këtyre politikave vërtetohet nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave, të përhapura para një muaji. Përqindja e të varfërve në bashkësinë etnike rome gjatë vitit 2016 ka qenë 77.1 për qind, kurse ndër përfaqësuesit e grupit etnik bullgar – 15.7 për qind. Ndër të varfrit në grupin etnik bullgar mbizotërojnë pensionistët (42.6 për qind), kurse në grupin rom – të papunët (39.1 për qind). Në etninë rome 78.5 për qind e të varfërve janë me arsim fillestar, ose nuk kanë arsim. Nuk ka rom të varfër me arsim të lartë. Problemi i romëve në Bullgari jo vetëm mbetet, por madje po thellohet.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
“Zgjedhja e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara do të ketë një ndikim negativ në politikën evropiane në tre dimensionet kryesore, përkatësisht mbrojtjen dhe sigurinë, ekonominë dhe politikën – të paktën nga ajo që kemi si deklarata dhe nga..
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..