Pak pas vizitës së vet në Bruksel kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev erdhi në Sofje. Këto dy vizitat e tij mysafiri i cilësoi si historike dhe të nënshtruara objektivave të Maqedonisë për të marrë përkrahje dhe ndihmë për anëtarësi në BE dhe në NATO. Nga Sofja Zaevi bëri thirrje për përkrahjen e së ardhmes euroatlantike të Maqedonisë nga ana e fqinjëve të saj të tjerë. Mbas kësaj thirrjeje duket se qëndron gatishmëria e qeverisë maqedonase për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë, e cila prej vitesh konteston emrin e Maqedonisë, me Serbinë, drejt së cilës Shkupi zakonisht drejton akuza për ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme, me Shqipërinë dhe Kosovën, marrëdhëniet me të cilat kohët e fundit janë tepër të tensionuara për shkak të faktorit shqiptar brenda vetë Maqedonisë.
Në Sofje Kryeministri Zaev tregoi gatishmëri për kapërcimin e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke thënë se Maqedonia po mbyll një kapitull të historisë së nacionalizmit dhe urrejtjes dhe hap një kapitull të ri – të së ardhmes së përbashkët evropiane. Një konfirmim për këto objektiva të reja të Maqedonisë është mirëkuptimi i arritur për nënshkrimin e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë më 2 gusht të këtej viti. Nënshkrimi i tij ishte shtyrë në vazhdim të shumë viteve. Data e nënshkrimit është simbolike, sepse atëherë shënojmë përvjetorin e Kryengritjes së Ilindenit – pikës kulmore të lëvizjes nacionalçlirimtarë të bullgarëve nga krahinat Trakia dhe Maqedonia. Zgjedhja e datës 2 gusht është një demonstrim i vullnetit të mirë për kremtime të përbashkëta të personave dhe ngjarjeve të përbashkëta historike. Ky ishte mesazhi i Zaevit dhe Borisovit dërguar popujve të tyre në kohën e përkuljes së dy kryeministrave në shenjë nderi para monumentit të mbretit Samuil në kryeqytetin bullgar. Samuil ka monument edhe në Shkup dhe politikanët dhe historianët maqedonas pohojnë se ky mbret është hero i tyre kombëtar. Duket se akoma nuk janë kapërcyer të gjitha pengesat për festimet e përbashkëta, sepse Borisovi la të kuptohet se pasi ministrat e jashtëm në Sofje dhe Shkup bëjnë shqyrtimin e fundit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, para nënshkrimit të tij, kryeministrat do të marrin vendim për këtë se çfarë do të thotë “historia e përbashkët” dhe për cilat periudha të historisë bëhet fjalë.
Thirrjeve të Kryeministrit maqedonas, Sofja u përgjigj me gatishmëri për përkrahje në integrimin evropian dhe euroatlantik për fqinjën sonë lindore. Kryeministri Bojko Borisov tha se pranimi i Maqedonisë në BE dhe NATO do të varet kryesisht nga vetë Maqedonia dhe nga stabiliteti i politikës së saj të brendshme. Gatishmëri për përkrahje për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë tregoi dhe Presidenti Rumen Radev, duke shprehur urime për arritjen e një klime të qëndrueshme të mirëbesimit mes dy shteteve, për ndryshimin e sjelljes ndaj Bullgarisë të Delegacionit maqedonas në Këshillin e Evropës në lidhje me procedurat e Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare, dhe për përkrahje për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve të ushtarëve bullgarë në Maqedoni.
Ndër theksat e bisedimeve ishte arritja e lidhjes më të mirë mes dy shteteve në fushën e transportit, energjetikës dhe komunikacioneve. Kryeministrat u pajtuan për këtë se mund të arrihen nivele më të mira të tregtisë dypalëshe dhe shkëmbimit të turistëve mes dy shteteve. U konstatuan dhe tendenca pozitive në bashkëpunim, kryesisht në fushën e arsimit dhe kulturës. Aksentë të tillë kishte edhe në vitin 2012 në bisedimet e Kryeministrit Borisov me homologun e tij të atëhershëm Nikolla Gruevski, kurse që atëherë është arritur përparësi. Në të njëjtën kohë nuk ka një zhvillim të konsiderueshëm të projektit për autostradën Sofje-Shkup dhe për linjën hekurudhore mes dy kryeqyteteve. Projekti për ndërtimin e pikës së re kufitare Klepaloto mes Berovos dhe Strumjanit, për të cilën flitet që nga fillimi i viteve të 80-të të shekullit të kaluar dhe i cili u aktualizua me një marrëveshje ndërshtetërore në vitin 1999, vazhdon të jetë vetëm një urim.
Në sfondin e ngecjes së gjatë të marrëdhënieve bilaterale secila përparësi është e rëndësishme dhe e shumëpritur. Mediat në dy shtetet cilësojnë vizitën e Zaevit në Bullgari si një shenjë e mirë dhe e rëndësishme. Pozitat pozitive të dy qeverive në Sofje dhe në Shkup tashmë janë shprehur dhe po presim realizimin e tyre.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në qytet vazhdon të funksionojë, pavarësisht fshirjes nga regjistri qendror, njoftoi BTA, duke iu..
Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Boris Ruge vizitoi Kroacinë për t'u shpjeguar deputetëve vendas rreth misionit të Aleancës në..
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët". Kështu thuhet në një raport për zgjerimin e BE-së, të prezantuar nga..
Deputetët bullgarë dëshmuan në praktikë thënien se nëse përsëritet e njëjta gjë, nuk mund të pritet një rezultat tjetër. Sot ata u mblodhën në sallën..