Në tregun e librave doli studimi më i ri i Ludmill Stankovit në sferën e albanologjisë – “E folmja shqipe në fshatin Mandrica”. Libri pasqyron varietetin e shqipes në fshatin bullgar Mandricë dhe është bazuar mbi studimet e Dhimitër Shuteriqit dhe të Mahir Domnit. Hulumtimi i fundit i ish diplomatit dhe studiues të pasionuar të gjuhës shqipe u prezantua dje në Universitetin e Sofjes nga Katedra e Ballkanistikës. Të pranishëm ishin përfaqësues të rretheve shkencore, akademike dhe diplomatike të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Doc. dr. Rusana Bejleri e prezantoi librin për të folmen e Mandricës, duke rikujtuar kontributin e madh të Ludmill Stankovit për zhvillimin e Albanologjisë dhe për mësimdhënien e shqipes në Degën e Ballkanistikës. Përveç artikujve kushtuar linguistikës shqipe, ish diplomati është autor i Gramatikës së gjuhës shqipe në bullgarisht dhe i “Ndihmëtarit për mësimin e gjuhës shqipe”, si edhe konsulent i Fjalorit të parë bisedimor me fjalorth për të folmen e Mandricës. Akademiku Prof. dr. Shaban Sinani e vlerësoi lart librin e Ludmill Stankovit duke njoftuar se ai është përfshirë në seleksionimin e parë të veprave të paraqitura në konkursin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për çmimin e madh të Albanologjisë. Kryetari i Shoqatës për Ringjalljen e Mandricës Ivajllo Petrov theksoi meritat e Ludmill Stankovit për popullarizimin e fshatit në botë, pasi që ai është studiuesi i parë bashkëkohor që merret me varietetin vendës të shqipes. Ambasadori i Republikës së Kosovës Sh.T. z. Shpend Kallaba e përgëzoi autorin dhe organizatorët për këtë kontribut të jashtëzakonshëm për pasurimin e bibliotekës bullgare dhe më gjerë me tekste që ndërlidhen me historinë e shqiptarëve në Bullgari e në veçanti për gjuhën shqipe.
Më shumë për të folmen shqipe të Mandricës dhe studimet e tij të reja në sferën e albanologjisë mësojmë nga intervista me z. Stankov:
Z. Stankov, si u frymëzuat për shkrimin e një libri për të folmen shqipe të fshatit të Mandricës?
“Për të folmen e Mandricës ka bërë studime të thelluara studiuesja bullgare Bojka Sokollova. Shkencëtarja sovjetike Agnija Desnickaja ka bërë krahasime në disa aspekte midis së folmes në Mandricë edhe të folmeve të shqiptarëve në Ukrainë. Veprat e këtyre studiuesve janë të njohura. Studiuesi amerikan Eric Pratt Hamp ka përshkruar të folmen shqipe në fshatin Màndres, pranë Kukushit/Kilkisit, të Greqisë. Shumica e banorëve në ketë fshat janë me prejardhje nga Mandrica. Janë larguar për në Greqi pas Luftës së dytë ballkanike. Për të folmen e Mandricës ka shkruar shkurtër Perikli Çili i njohur në Bullgari si Periklli Çillev. Ai ka lindur në Korçë më 1863. Pas shkollës së mesme në Korçë ai mbaroi studimet e larta në Universitetin e Athinës në Fakultetin e filologjisë klasike. Pastaj e gjejmë si mësues në Krushevo të Maqedonisë. Më 1895 vendoset në Sofje ku emërohet profesor i gjuhëve klasike në Gjimnazin pranë Oborrit të carit Ferdinand. Ai u ka dhënë mësime të greqishtes, latinishtes dhe shqipes djemve të Ferdinandit – Boris dhe Kirill. E vazhdoi ketë punë deri në vitin 1925 kur vdiq.
Frymëzimi për të shkruar për të folmen e Mandricës erdhi nga shkrimtari shqiptar Dhimitër Shuteriqi. Do t’Ju tregoj një histori. Unë u takova me Dh. Shuteriqin në vitin 2003 kur e vizitova në Selinë e Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Në atë kohë unë punoja në Ambasadën e Bullgarisë në Tiranë. Unë i kërkova ndihmë për organizimin e pjesëmarrjes së piktorëve shqiptarë në një ekspozitë ndërkombëtare në Sofje. Ai më priti me ngrohtësi, më ofroi kafe dhe konjak shqiptar. Shuteriqi më foli gjatë për vizitën e tij në Bullgari në vitin 1959 dhe sidomos për Mandricën dhe njerëzit e saj, ashtu edhe për të folmen e Mandricës. Në këtë mënyrë ai ndezi tek unë dëshirë të merrem me ketë të folme kur të mbarojë mandati im në Tiranë. Mandati mbaroi në vitin 2004.
Siç e dini – libri im për të folmen e Mandricës është ndërtuar mbi studimet e bëra nga Dhimitër Shuteriqi dhe Mahir Domi, pasi Dhimitër Shuteriqi ka studiuar në 1959 në terren në Mandricë të folmen vendase shqipe. Prof. Emil Lafe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë më dërgoi kopje të studimeve të botuara në revistën “Studime filologjike” në vitin 1965. Ai më ndihmoi edhe me shpjegime të detajuara dhe të çmueshme për shumë fenomene gjuhësore në Mandricë. Unë kam përkthyer në gjuhën bullgare tekstet e studimeve duke bërë shënime dhe plotësime. Zgjerova Fjalorin përgatitur nga Dhimitër Shuteriqi me fjalë të reja, duke futur edhe shumë elemente etimologjie. Është për t’u shënuar se Dhimitër Shuteriqi dhe Mahir Domi janë lindur në Elbasan në vitin 1915. Që të dy kanë mbaruar Liceun francez ne Korçë.
Pas botimit të librit bashkëshortja e Dh. Shuteriqit, Mynever Shuteriqi, më dërgoi një letër falenderimi. Këtë e bëri edhe bija e Mahir Domit, Etleva Domi, e cila është nëndrejtore e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë.”
Cilat janë specifikat e së folmes së Mandricës? A keni shembuj për prejardhjen e fjalëve të veçanta?
“E folmja e Mandricës ka trajta të përbashkëta me toskërishten jugore, më saktë me variantin verilindor të saj folur në Korçë, në zonat Opar dhe Gora, në rrethet Devollë dhe Kolonjë, ashtu edhe në zonën e Dangëllise – në pjesën verilindore të rrethit të Përmetit. Nën ndikimin e bullgarishtes e folmja në Mandricë ka pësuar ndryshime fonetike edhe në gjininë e shumë emrave. Ka krijuar togfjalësha të tipit mëmës porta – porta e mëmesë, Ristosë shtepi – shtëpia e Ristos, mbretit bir – biri i mbretit, dorës sahat – sahat/orë dore etj.
Në këtë fshat ka edhe shumë fjalë të huazuara nga greqishtja dhe turqishtja.
Në Mandricë ka patur edhe ndryshime kuptimore. P. sh. zëmërherë do të thotë mesditë edhe drekë. Thuhet: dë zëmërherë o t’hamë bukë – në mesditë do të hamë bukë; hëngrëmë zëmërherëbukë – drekuam, kemi drekuar. Duhet thënë se në të folmet e Shqipërisë zëmërherë është ushqim midis drekës dhe darkës, darka e mbrëmjes.
Gjatë punës sime hasa në një fjalë të veçantë – prongjize, që do të thotë cimar: dy rripa të metalltë më dhëmbëza anash, që e mbajnë pëlhurën të shtrirë para se të mblidhet në shul. Prongjize është përftuar nga emri prongo – një fjalë arvanitase regjistruar nga fizikanti gjerman Karl Reinhold në shekullin e nëntëmbëdhjetë në ishujt e vegjël Poros dhe Hidra në Greqi. Prongo do të thotë dru horizontal që e mban të lidhur dorezën me plugun. Fjala prongo është me brumë indoevropiane. Fjala origjinale indoevropiane ka shtegtuar nën forma të ndryshme nëpër gjuhët sllave dhe gjermane, përfshirë edhe në shqipen. Nga viset jugore të Shqipërisë ka shkuar në Greqinë e sotme dhe pastaj – në fshatin e Mandricës.
Në libër do të gjeni edhe shembuj të tjerë interesantë. Megjithë ndryshimet fonetike dhe kuptimore e folmja në Mandricë i ka ruajtur tiparet thelbësore të gjuhës shqipe.”
Pse studimet e Dhimitër Shuteriqit dhe të Mahir Domnit janë aktuale dhe kanë rëndësi edhe më se 50 vjet pas botimit të tyre?
“Studimet e tyre kanë rëndësi jo vetëm për marrëdhëniet kulturore dhe gjuhësore midis bullgarëve dhe shqiptarëve, por edhe për gjuhësinë ballkanike dhe krahasuese në përgjithësi. Studimet tregojnë se si një e folme e izoluar, larg trojeve shqiptare, ka mundur të mbijetojë dhe të ruhet, duke pësuar ndryshime nën ndikimin e mjedisit rrethues. Në lëmin e krahasimeve dialektore e folmja e Mandricës ka disa tipare të ngjashme me çamërishten edhe me të folmet arbëreshe në Itali.
Libri është me interes për studentët e Universitetit të Tiranës në Degën e gjuhës shqipe, ashtu edhe për studentët në Universitetin e Sofjes që e mësojnë gjuhën shqipe. Lënda gjuhësore është një bazë solide për krahasime të ndryshme – për historinë e gjuhës shqipe, për zhvillimet e brendshme në kuadrin e së folmes, për ndikimet e ndërsjellta midis gjuhëve në Gadishullin ballkanik etj.”
Fotografi: Maria Peeva
Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...
Institucioni më i madh i arsimit të lartë në Portugali ka 252 000 studentë, 20 000 prej të cilëve janë nga kombësi të tjera. Në këtë konglomerat të veçantë kulturash, një vend të veçantë për më shumë se 30 vjet ka edhe kultura bullgare. Lektorati i..
Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë..