A i njohim mirë heronjtë e historisë sonë, ata, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për Rilindjen Bullgare dhe kanë luftuar për Çlirimin tonë? Çfarë e dimë për Sofronij Vraçanski, Ivan Vazov, Hristo Botev, Vasill Levski? Fakte kryesore, disa prej të cilave janë vetëm supozime. Do të përpiqemi t’i rrëzojmë mitet nëpërmjet takimit me regjisorin Iskren Krasimirov, themeluesin e projektit “Bullgaria e paharrueshme”. Me filmat e tij ai do që t’i prekë të rinjtë dhe t’i bëjë për t’u dashuruar me historinë bullgare, që të mund të mësojnë të vërtetën. Është interesante të përmendim se Iskren është stërnipi i një prej pjesëmarrësve në çetën e Hristo Botevit. Gjyshi i tij ka qenë një nga dyqind trimat, të cilët kanë luftuar krahas Botevit në malin Stara Pllanina. Ai ka arritur të shkojë në Serbi. Pas kësaj e kanë dënuar në Vidin dhe Ruse. Iu shmang vdekjes në saje të avokatit të parë të caktuar nga gjykata Ilia Canov. Me ndihmën e tij të gjithë të dënuarit me vdekje, gjithsej 17 veta, u dërguan me internim në Diyarbakır. Kjo e shpjegon interesin e Iskrenit ndaj jetës dhe veprës së Hristo Botevit. Dy janë filmat e xhiruar nga Iskren Krasimirov, kushtuar revolucionarit dhe poetit të madh. Ja përse pyetja për atë të cilën nuk e dimë për Botevin është e pashmangshme:
“Ka një mendim të akademikut Petër Dinekov, i cili thotë se të gjithë e dimë se kush është Botevi, por në fakt nuk e dimë asgjë për të. Ne u bindëm se është kështu, pasi vizituam mbi 200 shkolla, dhjetëra universitete, vatra kulturore, kinema në tërë Bullgarinë dhe jashtë shtetit. Njerëzit dinë shumë pak për Botevin – gjërat kryesore, por nuk e dinë se ku është vrarë ai. Ende flitet për majën Okollçica, por e vërteta është tjetër. Vojvoda është vrarë nën majën Kamarata në luginën Jollkovica. Nuk dihet se kush e ka vrarë Botevin. Pikërisht kësaj teme i ishte kushtuar filmi ynë i fundit “Vrite Botevin”. Këto fjalë i ka thënë diku ndonjëri. Nuk dihet nëse ai ka qenë pjesëmarrës në çetë, ose turk. Ne jemi të mendimit se për fat të keq Botev ka qenë viktimë e një komploti, por kjo nuk duhet ta rrëzojë mitin për të. Ai është dy herë hero, sepse është ngritur me heroizëm të madh si kundër armës së armiqve, ashtu dhe kundër armës së tradhtarëve.”
Projekti tjetër i mbaruar me sukses nga Iskren është një film kushtuar Sofronij Vraçanskit. Ky është filmi i parë dhe i vetëm tani për tani kushtuar këtij shenjtori, pa ndihmën e të cilit Historia e Pajisit, e ashtuquajtura “Historia sllavo-bullgare”, ndoshta do të mbetej vetëm në qelinë e errët të murgut. Regjisori i ri ka akoma ide interesante. Ai ka në plan që vitin tjetër të xhirojë një film, kushtuar Apostullit të Lirisë Vasill Levski, me rastin e përvjetorit të 180-të të lindjes së tij. Ai shpreson se deri më 1 nëntor të këtij viti do të mbarojë filmin “Të më quajnë bullgar” kushtuar Patrikut të Letërsisë Bullgare Ivan Vazov. Ja idetë e Iskrenit për këtë film:
Patriotizmi nuk është veti, me të cilën lindim, ajo edukohet. Pikërisht për këtë shkak ka nevojë për projekte të tilla, si “Bullgaria e Paharrueshme”. Me ndihmën e tyre trashëgimtarët tanë do të dinë se cilët janë, çfarë është historia e tyre dhe do të krenohen për origjinën e tyre.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Shumë qytetarë përfituan nga mundësia për të parë Dorëshkrimin Eninski dhe Triodin e Argirovit, të cilat u ekspozuan sot, më 20 janar, për dy orë në Bibliotekën Kombëtare “Shenjtor Kirill dhe Metodij”. Ngjarja u zhvillua me rastin e 1170 vjetorit të..
Dita e Athanasit, e quajtur edhe "mesdimri" në kalendarin popullor bullgar, është një festë në të cilën Kisha Ortodokse dhe traditat tona folklorike nderojnë Shën Athanasin e Madh – kryepeshkop të Aleksandrisë dhe luftëtarit kundër Arianizmit - një..
E vetmja kishëz në vend që mban emrat e shenjtorëve Andoni dhe Thanasi dhe shenjtërimi i saj do të bëhet nga Hirësia e Tij Mitropoliti i Nevrokopit Serafim, raporton Andon Kotev - një nga iniciatorët e idesë për ndërtimin e tempullit. Ai tha për..