“...Si të urreja, të përçmoja, të përbuzja!...
Por një ditë të pash rastësisht në spitalin e burgut – afër shtratit të djalit tuaj plëngprishës, të dënuar nga ligji, të refuzuar nga shoqëria.
I mbuluar me plagë dhe çibanë të qelbëzuar – i braktisur, i vetmuar.
Ti u zalis pranë tij.
I laje plagët me lot, e puthje, e mallkoje tokën dhe qiellin.
Atëherë të kuptova, të fala dhe u gjunjëzova pranë teje”.
Kështu mbaron tregimi “Gruaja” i Georgi Stamatovit. Më 9 nëntor të vitit 1942 Bullgaria humbi një prej shkrimtarëve të saj më të shquar – mjeshtrin e tregimeve të shkurtra urbane, ndër të cilat janë “Sodomi i vogël”, protagonistët e të cilit i shesin idealet e veta në emër të mirëqenies materiale, dhe “Paladini” – për kulmin dhe perëndimin e talentit.
Më 9 nëntor të vitit 2015 pothuaj askush nuk kujton Stamatovin. Në të kaluarën ai ishte shkrimtar i njohur, por sot e dinë shumë pak lexues bullgarë dhe krijimtaria e tij nuk mësohet në shkollë. Shpjegimi fshihet në një mendim të një krijuesi tjetër bullgar nga shekulli XX, gjithashtu pak të njohur Atanas Dalçev: “Çdo një stil është një kompromis midis formave individuale të shprehjes dhe atyre të përhapura. Në rast se ai përfshin vetëm ato të para, mund të mbetet i pakuptuar. Në rast se është kufizuar vetëm në format e dyta, ai tashmë është shabllon dhe jo stil”. Georgi Stamatov u përket formave të para. Ai nuk kufizohet në shprehjen dhe strukturën tradicionale të tregimit. Ai del jashtë kufijve të normave me gjuhën e tij të ashpër dhe në disa momente madje cinike, me ironinë e tij ndaj të metave, me sarkazmin dhe pesimizmin e tij.
Georgi Stamatov ka lindur në Tiraspol të Moldavisë, më 25 maj 1869, në një familje me origjinë bullgare. Ai u vendos në Bullgari që në vitin 1882, por ruajti mënyrën ruse të shprehjes. Forma e tekstit të tij është e veçantë – pothuaj çdo fjali përbën një paragraf të veçantë dhe në këtë mënyrë autori e bën veprimin edhe më dinamik. Fraza e tij është e qartë, aforistike dhe pa zbukurime të panevojshme. Tregimet e tij janë plotë psikologjizëm dhe kjo i detyrohet jo thellimit në përjetimet e protagonistëve, por përshkrimit të qartë të veprimeve të tyre. Ai shpreh qëndrimin e vet ndaj botës që e rrethon haptazi dhe ndershëm, por edhe me një ironi, rrjedhojë e dëshpërimeve të tij personale në jetë. “Ai gjithmonë fliste të vërtetën dhe kur të kishte mundësi e thonte haptazi para njeriut përkatës. Ky virtyt e bënte një bashkëfolës të rrezikshëm dhe të padashur në sytë e atyre, për të cilët ai nuk mund të fliste bukur” – kështu e përshkruan shkrimtarin kritiku letrar dhe bashkëkohës i tij Ivan Meshekov.
Disa bashkëkohës të tjerë të Georgi Stamatovit shtojnë se asnjë kritik, ose redaktor nuk i ka korrigjuar tekstet e tij.
Krijimtaria e Stamatovit është ndikuar shumë nga jeta e tij personale. Ai ka mbaruar shkollën ushtarake dhe ka punuar si oficer, më vonë ka studiuar “të drejtën”, kurse pas kësaj ka punuar si gjyqtar. Shumë prej temave të tregimeve të tij janë fryt i këtyre dy profesioneve të shkrimtarit. Për punën e tij si gjyqtar, si dhe për personalitetin e Stamatovit mësojmë më shumë nga kujtimet e shkrimtarit Vlladimir Poljanov, që ruhen në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare:
“Në qytet ka vrasje. Vrasësi është kapur dhe do të dënohet. Gjyqtari është Stamatov. Në vigjilje të procesit ai merr një pusullë nga ai, i cili e ka porositur vrasjen dhe i cili vepron pa respektuar ligjin dhe pushtetin. Ai i urdhëron gjyqtarit ta ndërpresë procesin, duke e fshehur keqbërësin. Të nesërmen në sallën plotë njerëz Stamatov nuk lëkundet për asnjë çast. Ai e lexon para të gjithëve pusullën dhe procesi fillon, megjithëse shkrimtari është kërcënuar me vrasje.”
Një temë tjetër kryesore në krijimtarinë e Georgi Stamatovit janë marrëdhëniet midis burrit dhe gruas nga këndvështrimi i jetës personale të shkrimtarit. Ai përjetoi në një mënyrë shumë emocionale ndarjen me të shoqen Vera, e cila e braktisi, që të bashkëjetojë me politikanin dhe figurë publike Janko Sakëzov. Në fakt, pasi shkrimtari mësoi këtë histori dashurore, ai vetë e çoi tek i dashuri i saj. Megjithatë pikërisht ajo ishte njeriu, i cili kujdesej për të gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Vajza e tij e vetme Dosja u vetëvra, kurse Stamatov gjithmonë e mbante portretin e saj në tryezë. Miqve të tij ai thjeshtë i thonte: Kjo është vajza ime”, pa shtuar më shumë hollësi.
Kjo është jeta personale e një shkrimtari, i cili shkroi faqe të paharrueshme në letërsinë bullgare.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në vjeshtën e vitit 1992, nëpërmjet një urdhri të Këshillit të Ministrave në Bullgari, u krijua Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit për të koordinuar politikën shtetërore ndaj bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën. Kryetari i parë, Georgi Danaillov,..
Edicioni i 20-të i Festivalit Botëror të Filmit të Animuar mbahet nga 11 deri më 15 shtator në Qendrën e Kongreseve në qytetin bregdetar bullgar Varna. Janë të përzgjedhur mbi 70 tituj në 7 kategori, ndër të cilët më të priturit, sipas ekipit, janë..
Janë 4 shfaqje emocionuese të kinemasë bullgare në Paris. Nga data 10 deri më 13 shtator në kryeqytetin francez do të mbahet Festivali i Kinemasë Bullgare, ndërsa edicioni i gjashtë i tij është nën moton "Së bashku më të fortë". "Këtë vit duam..