Më 4 nëntor në Sofje u mbajt premiera e filmit “Rruga e germave” me regji të Ralica Dimitrovës. Ajo është gjithashtu skenariste e filmit, bashkë me Desisllava Najdenovën. Kameramani dhe producenti i dokumentarit është Pllamen Gerasimov. “Ky është një tregim për Vëllezërit e Shenjtë Kirill dhe Metodij, i cili pasqyron jo vetëm periudhën kohore të jetës së tyre – shekullin e IX, por ndikimin e tërësishëm të veprës së tyre të madhe deri më sot e kësaj dite. Filmi paraqet kujtesën, nderin, rëndësinë dhe vlerën e kontributit të dy vëllezërve, prandaj filmi e ka titullin “Rruga e germave” – vuri në dukje para mikrofonit të Radio Bullgarisë Desisllava Najdenova. Sipas saj nuk ka shtet sllav, ku të mos dihet se cilët janë Kirill dhe Metodij – krijuesit e alfabetit të parë sllav – alfabetit glagolik.
“Nuk mund të mos përmendim edhe alfabetin cirilik, me të cilin shkruhet në Bullgari, në Rusi dhe në disa shtete të tjera, si për shembull në Mongoli. Vëllezërit e Shenjtë gëzojnë një respekt të madh në shumë vende. Kirill dhe Metodij për shembull janë të pranishëm në Kushtetutën e sotme të Sllovakisë. Monumente të tyre ka në mbarë Evropën, por vlerësimi më i madh u dha nga Papa Gjon Pavli i dytë, i cili në vitin 1980 i shpalli mbrojtësit e Evropës – vë në dukje Desisllava Najdenova. Në film mund të dëgjohen mendimet e shkencëtarëve të njohur nga tërë bota, por edhe të njerëzve të zakonshëm.
“Për ne ishte me rëndësi shumë të madhe të shohim se si pranohet vepra e vëllezërve Kirill dhe Metodij në shtetet, me të cilat ajo ka lidhje. Ne kërkuam historitë e vogla njerëzore, të cilat tregojnë se si vepra e dy vëllezërve është e pranishme në jetën e përditshme të njerëzve. Për shembull në film mund të shihni se si dy bullgare krijojnë, duke u frymëzuar nga Kirill dhe Metodij dhe germat e krijuara nga ata. Do të dëgjoni gjithashtu historinë e një njeriu nga Sllovakia, ai është drugdhendës dhe gjithashtu është frymëzuar në punën e vet nga vepra e Vëllezërve të Shenjtë. Ka edhe shumë histori të tjera interesante.”
Për autorët e filmit është rëndësishëm të paraqitet vlera e veprës së vëllezërve Kirill dhe Metodij nga pikëpamja bashkëkohore:
“Zakonisht, duke folur për dy vëllezërit, ne bëjmë aluzion për shekullin e IX, kohën, kur ata kanë jetuar dhe jemi në pritje të historisë së lindjes së tyre në Selanik, të dërgimit të tyre në Moravinë e Madhe, të shkatërrimit të veprës së tyre dhe të vazhdimit të saj në Bullgari. Qëllimi ynë është të shkojmë përtej këtij rrëfimi dhe të tregojmë se çfarë është rëndësia e dy vëllezërve Kirill dhe Metodij në historinë e Evropës dhe të shteteve sllave nga shekulli IX deri më sot. Ky është theksi i filmit. Sigurisht që rrëfehet edhe për jetën e Vëllezërve të Shenjtë, sipas burimeve historike, por në këtë tregim përpiqemi të paraqesim pikërisht këtë jehonë bashkëkohore dhe t’i tregojmë këto histori të vogla, për të cilat u bë fjalë.”
Cilat janë legjendat në dokumentarin “Rruga e germave”?
“Një prej legjendave më të vjetra është ajo për krishterimin e princave çekë Shën Vaclav dhe Shën Ljudmila nga Metodij. Kjo është një legjendë mesjetare e krijuar në shekullin IX-X, që të legjitimojë pavarësinë e Mbretërisë Çeke në atë kohë. Në fakt ne provuam t’i kushtojmë vëmendje pikërisht rëndësisë së veprës së dy vëllezërve, sidomos të Metodijit, për mbrojtjen e pavarësisë dhe për formimin e identitetit të shteteve sllave. Lidhur me këtë nganjëherë vepra e tyre trajtohet si mit.”
Çfarë është vendi i Bullgarisë Mesjetare si trashëgimtare e veprës së Vëllezërve të Shenjtë?
“Duhet të shënojmë se pa Bullgarinë Mesjetare ndoshta sot nuk do flisnim për Kirill dhe Metodij dhe veprën e tyre. Pikërisht në Bullgari, gjatë udhëheqjes së princit bullgar Boris, nxënësit e Kirillit dhe Metodijit, të cilët pas vdekjes së Metodijit në vitin 885 u dëbuan nga Moravia e Madhe, u pranuan shumë mirë. Në trojet bullgare ata patën mundësi për ta vazhduar veprën e mësuesve të tyre, duke përkthyer librat më të rëndësishëm teologjikë – Biblën etj. Më vonë, rreth mbretit Simeon u formua një rreth i gjerë prej letrarësh, të cilët krijuan vepra të reja. Dhe, kuptohet, nga Bullgaria këta libra u dërguan në Rusi, Kroaci dhe vende të tjera.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Shkrimtare, përkthyese, gazetare, përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, Milena Selimi nuk rresht së promovuari kulturën, letërsinë, vlerat dhe traditat bullgare. Një nga arritjet e saj profesionale më të fundit është..
Drama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...