Kur në fund të tetorit të vitit 1989 mijëra kundërshtarë të regjimit totalitar në Bullgari u takuan në kopshtin para ëmbëltores “Kristal” në Sofje, askush nuk supozonte se vetëm disa javë më vonë Muri i Berlinit do të rrëzohej, kurse Todor Zhivkov do të mbetej përgjithmonë në histori. Që nga atëherë kaluan më shumë se 25 vjet, ëmbëltorja “Kristal” nuk ekziston që prej shumë kohe, por në kopsht vazhdojnë të takohen shumë të rinj. Pikërisht ndaj tyre janë mesazhet e ekspozitës “Perdja e Hekurt në Bullgari”, që u hap ditën e hënë nga Presidenti Rosen Plevneliev dhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Sofje Detlef Lingemann.
Me iniciativë të fondacionit politik gjerman “Konrad Adenauer” në Bullgari, ekspozita në qendër të Sofjes tregon fotografi nga arkivi i Stasi-t dhe i Sigurimit Shtetëror për rrjetin e kobshëm me gjemba në kufirin bullgar, si dhe disa dokumente pak të njohura për largimin e planifikuar të shtetasve të ish Republikës Demokratike të Gjermanisë përmes Bullgarisë drejt vendeve fqinje Greqia, Turqia dhe ish Jugosllavia. 25 vjet pas rrëzimit të Perdes së Hekurt shumë fakte nga e kaluara komuniste e Bullgarisë ende nuk njihen nga publiku i gjerë. Rishqyrtimi i regjimit është pezulluar që prej shumë vitesh. Në hapjen e ekspozitës ambasadori gjerman Lingemann nënvizoi rëndësinë e proceseve nga e kaluara për të tanishmen e Bullgarisë dhe shtoi:
“Fotografitë e kësaj ekspozite janë të qarta – kufiri bullgar ka qenë pjesë e një regjimi antihuman, i cili e ndante jo vetëm Gjermaninë, por edhe tërë Evropën” – tha Detlef Lingemann. “Sot kjo është histori dhe me rrëzimin e Murit të Berlinit u ngrit edhe Perdja e Hekurt. Sot Evropa është e bashkuar. Bullgaria dhe Gjermania janë pjesë e BE-së, ne udhëtojmë lirisht dhe kemi akses tek informacioni. Mirëpo, ekspozita në qendër të Sofjes na rikujton se kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu, se nuk duhet t’i konsiderojmë vlerat tona vetëm si një fakt dhe se duhet të luftojmë për lirinë tonë”.
Presidenti Rosen Plevneliev shumë herë ka shprehur idenë e vet për krijimin e muzeut “Shekulli bullgar i XX-të”, ku do të paraqitet e vërteta për shpëtimin e hebrenjve, për fashizmin dhe komunizmin, për katastrofat kombëtare dhe për tranzicionin. Gjatë hapjes së ekspozitës ai nënvizoi edhe faktin se rishqyrtimi i diktaturës komuniste në vendet e Evropës Qendrore është fakt që prej shumë kohe.
“Nuk do të pushoj së përsërituri se tranzicioni do të përfundojë atëherë, kur e vëmë komunizmin në një mënyrë objektive në muze dhe në manuale. Shtetasit bullgarë kanë arsye për të qenë të pakënaqur, kurse politikanët bullgarë u kanë borxh atyre. E vërteta ende fshihet, ende bëhen prova për paraqitjen e kësaj periudhe nga një pikëpamje romantike. Pas një tranzicioni të kontrolluar në vazhdim të 25 viteve komunistët e vjetër u shndërruan në kapitalistë, duke punuar me metodat e njëjta, kurse populli vazhdon ta presë drejtësinë e vet. Kjo ekspozitë është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e leximit korrekt të historisë” – deklaroi Plevneliev.
Fondacioni “Konrad Adenauer” është një prej motorëve të procesit të rishqyrtimit të regjimit në ish Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe e aplikon përvojën e vet që nga fillimi i viteve 90 edhe në ish vendet socialiste. “Në Bullgari ky proces është shumë i ngadaltë” – mendon udhëheqësi i përfaqësisë së fondacionit në Sofje Marco Arndt.
“Shkaku fshihet në faktin se në Bullgari siç duket ende ka rrethe, të cilat nuk kanë interes për daljen e së vërtetës në pah” – komentoi Arndt. “Një sërë procesesh nga periudha postkomuniste e vendit mund të shpjegohen vetëm nga këndvështrimi i së kaluarës komuniste. Për shembull nga shndërrimi i pronësisë së shtetit në pronësi private, ish nomenklatura përfitoi dividende shumë të mira. I bëj vetes pyetjen: A është rishqyrtimi i kaluarës një problem biologjik, domethënë a do të ketë Bullgaria një imazh tjetër, pasi ky brez komunistësh do të niset. Por nuk përjashtoj mundësinë për riprodhimin e ish elitës. Kurse kjo çështje na çon te dita e sotme, kur të flasim për reformën në drejtësi. Jam i sigurt se ndër magjistratët ende ka njerëz nga e kaluara, të cilët e vështirësojnë këtë proces. Këtë e thonë edhe disa politikanë bullgarë, jo vetëm unë. Në këtë kuptim para Bullgarisë shtrihet një rrugë e gjatë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: BGNES
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..
Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga..