Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Viti 1981 – 13 shekuj shtet bullgar

БНР Новини
Monumenti “1300 vjet Bullgaria” para Pallatit Kombëtar të Kulturës në Sofje
Foto: arkiv

1981-ën do ta mbajmë mend si viti kur Bullgaria bëri përpjekje jashtëzakonisht të mëdha për t’ia prezantuar veten e saj botës në atë mënyrë që sot e quajmë paraqitje të imazhit kombëtar. Me rastin e jubileut të saj të 1300-të Bullgaria ka organizuar festime ambicioze me një program të larmishëm ngjarjesh në vend dhe jashtë shtetit. Është mbyllur rindërtimi i kalasë Carevec në qytetin Veliko Tërnovo. Ndërsa regjisori Vëljo Radev ka sjellë spektaklin “Tingulli dhe drita” me një perfomancë tepër të avancuar për atë kohë. Ky spektakël edhe sot e kësaj dite tërheq vëmendjen e turistëve në kryeqytetin e vjetër bullgar. Në atë kohë janë ngritur shumë monumente ndër të cilat “Themeluesi i shtetit bullgar” në qytetin Shumen dhe “1300 vjet Bullgaria” në Sofje. Ky i fundit ende zgjon mendime kontradiktore. Në vitin 1981 është hapur dhe po ashtu Pallati Kombëtar i Kulturës (bullg. NDK) në Sofje. Ky është instituti më i madh kulturor në Bullgari.

Në atë kohë z. Emil Aleksandrov ka qenë zëvendës i Ljudmila Zhivkovës në Komitetin e Kulturës, dhe njëkohësisht anëtar i rrethit të brendshëm të ekspertëve të cilët e kanë krijuar konceptin e festimeve jubilare. Në librin e tij “Kultura dhe pushteti personal” ai ka shkruar: “Festimi kryesor u mbajt më 20 tetor 1981 në Pallatin Popullor të Kulturës dhe derisa Todor Zhivkovi (lideri ynë komunist) e lexonte raportin, 200 metra larg, në frymën e traditës së vendosur, kishte punë të madhe: në proces mbylljeje ishte monumenti kushtuar 1300-vjetorit. Synimet tona në të vërtetë ishin ambicioze. Themelorja në to ishte kontributi i çdo bullgari dhe çdo institucioni në përmirësimin e të gjithë sektorëve. Në këtë kuptim, festimi nuk duhej të pasqyronte një akt festiv, por të jetë një proces disavjeçar i cili të çojë te ndryshimet pozitive në jetën ekonomike, kulturore, politike e sociale”.

Në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare ruhet një incizim i fjalimit të Todor Zhivkovit nga data 20 tetor 1981, ku ai ka shprehur ndjenja krenarie me historinë e pasur bullgare.

“Shoqe dhe shokë, madhështia e përjetshme e veprës së paraardhësve tanë është se shteti bullgar ndryshe nga shtetet e tjera në Kontinentin tonë, ndërtohej mbi parimet popullore, si shtet i një populli, i popullit bullgar. Shteti ynë u krijua mbi tri shtresa etnike: protobullgarët, sllavët dhe trakët, të cilët e formuan popullin bullgar. Ky ishte shteti i parë sllav, i cili nisi të zgjonte politikisht dhe kulturalisht popujt e tjerë sllavë, duke i shtyrë ata që t’i bashkohen qytetërimit të atëhershëm. Lavdi ndërtuesit e parë të madhërishëm, nën udhëheqjen e të cilëve populli bullgar ndërtoi një shtet të centralizuar. Këta janë kanat Asparuh, Krum dhe Omurtag, mbretërit Borisi I, Simeoni i Madh, Samuil, Asen dhe Petër, Kalojan dhe Ivan-Aseni II. Trojet bullgare që prej kohësh kanë qenë qendër e kulturave të mëdha të asaj kohe, të cilat kanë ndikuar mbi kulturën bullgare dhe të cilat kultura populli ynë i lashtë i ka mishëruar në mënyrë krijuese në kulturën e vet. Por ka një vepër të së kaluarës, e cila në shkallë të madhe arsyeton qëndrueshmërinë dhe pathyeshmërinë e popullit dhe kombit tonë – vepra e krijuesve të shkrimit sllav Qiril dhe Metodi, dhe të nxënësve të tyre”.

Një ditë më herët më 19 tetor u shfaq premiera e filmit të parë bullgar në stil holivudian “Kani Asparuh” të regjisorit Ljudmill Stajkov sipas skenarit të Vera Mutafçevës. Personazhin kryesor e ka luajtur aktori debutues, i panjohur në atë moment për publikun, Stojko Peev. Xhirimet kanë vazhduar 11 muaj dhe në to kanë marrë pjesë 60 mijë figurantë. Janë xhiruar disa nga episodet më të mëdha në historinë e kinematografisë botërore me pjesëmarrjen e kuajve. Filmi është xhiruar në fshatin Riben të Bullgarisë Veriore. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet sa para janë harxhuar për xhirimin e filmit më ambicioz në historinë 100 vjeçare të kinematografisë bullgare. Pas suksesit triumfal në Bullgari filmi “Kani Asparuh” ka tërhequr publikun me pretendimet kinematografike, nga më të mëdhatë në botë – atë të SHBA-së.

Në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare ruhet një incizim i shkurtër i filmit:

“Unë, Kani Asparuh, e shpall këtë tokë shtetin e bullgarëve. Ata që vijë pas neve dhe mbajnë emrin tonë le ta duan dhe ta ruajnë... E thashë.”

Në plan shoqëror organizimi dhe festimi i jubileut të 1300-të është njëra nga arritjet e pamohueshme të Bullgarisë në historinë e saj të re. Mirëpo, në plan personal ky jubile ka të bëjë me shkatërrimin e jetës njerëzore. Më 21 korrik 1981 ka vdekur Ljudmilla Zhivkova, e bija e Todor Zhvikovit. Shkaku për vdekjen e saj nuk u zbardh dhe deri sot incidenti zgjon thashetheme dhe teori për komplot. Vitet e mëtejshme janë burgosur partnerët e saj – diplomati Zhivko Popov, i ngritur në postin e zëvendës ministrit të jashtëm, dhe Emil Aleksandrov, zëvendësi i saj në Komitetin e Kulturës. Të dy kanë qenë ndër ideologët e festimeve kushtuar përvjetorit. Sot një simbol që flet vetë i periudhës së festimeve është monumenti “1300 vjet Bullgaria” i cili është duke u shkatërruar në parkun e NDK-së. Ka mbetur vetëm skeleti i monumentit por jo shpirti i tij.

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Viti 2015 – Radioja Kombëtare Bullgare – 80 vjet më vonë

Më 25 janar të vitit 1935 mbreti Boris III botoi një Dekret, me të cilin radiopërhapja në Bullgari bëhej pronë shtetërore. Konsiderohet se kjo është data e themelimit të Radios Sofje, e cila më vonë u shndërrua në Radion Kombëtare Bullgare. Drejtor i..

botuar më 15-12-28 1.17.MD

2014 – Nikolla Gjuzelev – Piktori në botën e operës

“Nuk më pëlqen fjala “legjenda”, unë jam realist dhe artist. Por megjithatë do të thoja: “Më njohën si basi më i mirë kantil në botë.” Këtë e tha në një prej intervistave të tij të fundit basi i njohur Nikolla Gjuzelev. Gazeta “Mond” e përshkruan zërin..

botuar më 15-12-19 12.15.MD

Viti 2013 – Qeverisja në izolim

2013 mbetet në historinë më të re të vendit tonë si viti i protestave. Për shkak të tyre gjatë shkurtit nga pushteti u largua qeveria e GERB ne krye me Bojko Borisovin, ndërsa pas zgjedhjeve më 12 maj qeveria e koalicionit midis PSB dhe Lëvizjes për të..

botuar më 15-12-12 9.55.PD