Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Sofja me një buxhet rekord për vitin 2015

БНР Новини
Foto: Bulfoto

Në mes të muajit u miratua një buxhet rekord prej rreth 750 mln eurosh për këtë vit për kryeqytetin bullgar. Në krahasim me Sofjen qyteti i dytë për nga madhësia në vend Plovdiv duket shumë i varfër me buxhetin e tij modest prej 135 mln eurosh.

Shumë bullgarë, kryesisht ata që vijnë nga provinca, zakonisht thonë se Sofja nuk është Bullgaria dhe e kundërta, duke nënvizuar në këtë mënyrë dallimet midis kryeqytetit dhe vendbanimeve të tjera në vend. Në këtë konstatim ka dhe njëfarë zilie, por edhe të vërtetë. Kryeqyteti është në qendrën e jetës politike, administrative, ekonomike, kulturore, shkencore dhe sportive të vendit. Ky përqendrim i ka dhe përmasat e tij financiare. Në kryeqytet banojnë rreth 1.5 mln veta dhe prodhohet rreth 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, kurse kjo do të thotë më shumë të ardhura për bashkinë nga tatimet dhe taksat.

Buxheti i madh i kryeqytetit bullgar këtë vit është me 15 mln euro më i madh dhe madje tejkalon tërë buxhetin e mbrojtjes së vendit. Do ta përmendim dhe fjalët e kryetares së bashkisë së kryeqytetit Jordanka Fandëkova, e cila na rikujtoi se vetëm para dhjetë vitesh investimet e bashkisë kanë qenë 30 mln euro, kurse tani janë 380 mln, domethënë 13 herë më shumë dhe kjo shihet dhe ndihet nga banorët e qytetit dhe nga vizituesit e tij nga vendi dhe jashtë.

Sofja kurrë deri tani nuk ka qenë një qytet, që bën përshtypje nga pikëpamja e historisë së lavdishme, e arkitekturës dhe e atraksioneve turistike. Ky imazh jo shumë tërheqës u ndryshua gjatë disa viteve të fundit para syve të njerëzve dhe qyteti po bëhet gjithnjë e më modern.

Buxheti i ri i qytetit ka qëllim ta vazhdojë këtë vijë të modernizimit dhe të masave të lehtësimit të jetës së banorëve të tij, megjithë akuzat e opozitës politike në Këshillin e Bashkisë së Sofjes se vëmendja përqendrohet te pjesa qendrore e qytetit dhe kjo është në dëm të periferisë së tij.

2015-ta është viti i zgjedhjeve bashkiake në Bullgari, domethënë edhe në Sofje do të duhet të zgjidhen këshilltarë bashkiakë dhe kryetar i ri bashkie. Jordanka Fandëkova – kryetare e bashkisë së kryeqytetit që nga viti 2009 deri tani, ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë përsëri për një prej posteve më të rëndësishme në vend, megjithëse shumë pak janë sofjanasit, të cilët thonë se ajo nuk e kryen mirë punën e saj. Kjo paqartësi nuk i pengon planet e kryetares së bashkisë për këtë vit. Sektorët me prioritet janë transporti, ekologjia, arsimi dhe infrastruktura e qytetit. Tashmë hynë në eksploatim 27 autobusë të rinj nga gjithsej 80, të cilët do t’i zëvendësojnë automjetet e vjetra. Në fund të janarit u nënshkrua dhe akoma një kontratë për akoma 110 autobusë me një hua nga Banka Evropiane e Investimeve. Një pjesë e trolejbusëve tashmë janë rinovuar, si dhe tramvajet. Fillon ndërtimi i vijës së tretë të metrosë, kurse dy të tjerat janë në proces zgjatjeje. Ndriçimi rrugor do të rinovohet sipas fjalës së fundit të teknikës, do të hapin dyer akoma dhjetëra kopshte fëmijësh, më në fund do të fillojë së punuari uzina për përpunimin e mbeturinave, do të rinovohen bulevardet e mëdha të Sofjes. Dhe e gjithë kjo pa u ngritur tatimet dhe taksat, gjë që mund të ketë lidhje me zgjedhjet, por nuk mund të mos themi se e rrit besimin e banorëve të qytetit në sfondin e udhëheqjes bujare të kryeqytetit bullgar.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë

Popullsia bullgare në Shqipëri është 7057 persona – 3691 burra dhe 3366 gra. Kjo duket qartë nga një njoftim i Institutit Kombëtar të Statistikave INSTAT, cituar nga BGNES. Kjo e vendos komunitetin bullgar në vendin e tretë në Shqipëri pas..

botuar më 24-06-28 5.31.MD

Festojmë Ditën Kombëtare të Shqiponjës

Ornitologët dhe dashamirësit e shpendëve festojnë sot Ditën Kombëtare të Shqiponjës. Me këtë rast përfaqësues të Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve prezantojnë para publikut të gjerë fakte interesante për jetën e llojeve të ndryshme të..

botuar më 24-06-27 9.17.PD

Udhëheqësit evropianë lëkunden sa u përket nominimeve për postet kryesore në BE

Ndryshe nga pritshmëritë, udhëheqësit evropianë nuk arritën një konsensus mbi katër kandidatët kryesorë për postet kryesore të BE-së në takimin e tyre të hënën e kaluar. Megjithatë, ka të ngjarë që kjo të ndodhë në takimin e tyre të rregullt të enjten..

botuar më 24-06-26 1.15.MD