Bullgaria përsëri është nën ujë. Është vështirë t’u bëjmë ballë përmbytjeve gjatë disa viteve të fundit. Pas shirave të radhës, këtë herë në Bullgarinë Lindore dhe Jugore, fshatra të tëra janë të përmbytura, përsëri ka viktima, qindra shtëpi janë shkatërruar, kurse rrëshqitjet e tokës zhytën lagje të tëra. Kuadrot televizive janë tronditëse – njerëz të moshuar, që qajnë dhe janë të paaftë t’u kundërvihen fatkeqësive natyrore, duke u përpjekur për të shpëtuar pajisjet e pakta shtëpiake, të cilat kanë mbetur pas përmbytjes së kaluar.
Gjatë disa viteve të fundit këto skena përsëriten si një ankth i vërtetë. Përsëriten edhe mendimet e gazetarëve, specialistëve dhe viktimave – a jemi të paaftë kundër ndryshimeve të klimës, a hakmerret natyra, ose përsëri bëhet fjalë për një gabim njerëzor? Pak nga gjithçka. Ngrohja globale me siguri është fakt. Kufiri midis katër stinëve të vitit, të cilat gëzonte Bullgaria, tashmë është ndryshuar dhe shirat e rrëmbyeshëm po vëzhgohen gjithnjë e më shpesh. Megjithatë ndryshimet klimatike nuk janë nga dje dhe ne sikur i injorojmë. Kështu çdo herë jemi të papërgatitur për përmbytjet e radhës. Përmbytjet e kësaj jave janë Deja Vu për lagjen Asparuhovo në qytetin Varna, për fshatin Biser në Rodope, për Mizinë në Bullgarinë Veriperëndimore dhe Han Krum në Bullgarinë Verilindore. Si atëherë, kështu dhe tani nuk ka fajtorë për katastrofën, por nuk ka dhe nuk do të ketë ndryshim të sjelljes së njerëzve. Përsëri nuk do të ketë familje të dëmtuar, e cila ta ketë siguruar pronësinë e saj kundrejt shumës simbolike prej 50 eurosh në vit. Kjo shumë mund të paguhet madje nga shtetasit më të varfër të Bashkimit Evropian. Nuk ka përroskë në Bullgari, ku të mos ketë mbeturina më të ndryshme - nga qeset, shishet e zbrazëta e gjer te mbeturinat ushqimore. Që prej vitesh shtretërit e lumenjve nuk janë pastruar, në disa prej tyre madje janë mbjellë pyje shumëvjeçare. Në të njëjtën kohë pyjet në male zhduken për shkak të prerjes së paligjshme. Natyra hakmerret për sjelljen tonë të paarsyeshme, kurse organet shtetërore kontrolluese nuk interesohen për këtë, ose vetë ato marrin pjesë në prerjen e paligjshme, e cila është burim i të ardhurave të vogla nga shitja e materialit drusor në vendet fqinje. Mungesa e interesit nga ana e organeve shtetërore i përket edhe kujdesit për liqenet artificiale të vendit. Vetëm deri përpara një muaji, deri në përmbytjen e madhe të fundit gjatë muajit dhjetor, pronësia e mbi 250 liqeneve artificiale nuk ishte e qartë. Nuk është e qartë edhe gjendja e digave dhe e pajisjeve të tjera mbrojtëse. Për prevencën e tyre madje nuk flitet.
Në reportazhet nga rajonet e prekura të vendit përsëri u dëgjuan qortime nga njerëzit e dëshpëruar, të cilët mbetën pa shtëpi. “Shteti nuk bën asgjë”. A mos jemi ne shteti? Por, siç thonë bullgarët: “Çudia më e madhe zgjat tri ditë”. Edhe tani do të jetë kështu. Edhe kjo përmbytje do të harrohet dhe kështu deri në përmbytjen tjetër, kurse ne nuk do të jemi mësuar nga gabimet e bëra.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) do të shënojë më 7 nëntor të këtij viti 65 vjetorin e themelimit të tij, njoftuan mediat publike. Këtë ditë, një nga drejtueset e njohura të lajmeve Radina Çervenova do të rikthehet në emisionin qendror “Nëpër botë dhe te..
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve të tyre të vdekur. Këto janë tre Ditët e Gjithë Shpirtrave që shënohen gjithmonë të shtunave para..
Tekste të shkurtra në rusisht dhe gjermanisht nga ueb-faqja e Radio Bullgarisë , u bënë pjesë e mësimit të nxënësve nga Shkolla e Mesme Nr. 81 "Viktor Jugo" në Sofje në Ditën e Iluministëve të Popullit. Mësuesja Maria Novosellceva dhe nxënësit nga..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..