Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Legjenda për Kryeengjëjt Mihail e Garvriil dhe fuqitë e patrup

Më 8 nëntor Kisha Ortodokse Bullgare kremton Kryeengjëjt Mihail e Gavriil dhe fuqitë e patrup. Si duken dhe çfarë bëjnë engjëjt sipas përfytyrimeve popullore?

Sipas përfytyrimeve popullore engjëjt janë shpirtra të bukur dhe të ndritshëm, të cilët jetojnë në qiej bashkë me Perëndinë, shenjtorët dhe shpirtrat e drejtë. Disa këngë, kushtuar Krishtlindjeve, e përshkruajnë botën e përtejme nëpërmjet pemës botërore. Shën Mëria, ose Shën e Diela ëndërron një pemë të jashtëzakonshme, që gjendet në një ishull në mes të detit. Ajo ka një trung të artë, degë të argjendta dhe gjethe prej margaritarësh. Sipas interpretimit të ëndrrës nga një igumen i vjetër, del se pema është “vetë Zoti, degët e saj janë engjëjt, kurse gjethet – shpirtra të vdekur të krishterë ortodoks.”

Ekziston besimi se shpirtrat e fëmijëve të vegjël, të vdekur para moshës tetë vjeçe, shndërrohen në engjëj. Folkloristët edhe sot e kësaj dite incizojnë tregimet e njerëzve, të cilët e ripohojnë këtë besim. Për shembull, një grua e moshuar ëndërron Shën Mërinë, e cila çon me vete nipin e saj të vdekur. Ai thotë se të afërmit e tij nuk duhet të qajnë, sepse ai është bërë engjëll.

Engjëjt janë shumë të bukur – nga ky përfytyrim vjen edhe shprehia bullgare “I bukur si një engjëll”. Sipas të dhënave të etnografit të njohur bullgar Dimitër Marinov, njerëzit në fund të shekullit të XIX-të i përshkruajnë engjëjt si djem të rinj, të veshur me këmisha të bardha dhe të praruara, me flokë të gjata të verdha dhe me krahë mbi supe. Ata e duan shumë muzikën. Engjëjt kanë zëra të jashtëzakonshëm dhe vazhdimisht këndojnë, që ta lavdërojnë Zotin. Si rrjedhim i këtij përfytyrimi ekzistojnë fraza si “këngë engjëjsh”, “zë engjëllor”, “Me zë engjëlli”, që përdoren për këngëtarë të jashtëzakonshëm, siç është Joan Kukuzel.

Në përfytyrimet popullore një pjesë prej engjëjve janë shërbyes të Zotit dhe janë rreth tij vazhdimisht. Zoti i dërgon kudo me porosi të ndryshme. Me pozitë më të lartë janë shtatë Kryeengjëjt. Ndër ta bëjnë përshtypje Kryeengjëlli Mihail, i cili është në krye të engjëjve dhe zot i shpirtrave të vdekur dhe Kryengjëlli Gavriil – Lajmëtari i Perëndisë, i cili i njofton Shën Mërisë lajmin e bukur se do të bëhet me barrë dhe do të lindë Shpëtimtarin e Botës.

Engjëjt kanë marrë pjesë në krijimin e botës dhe të njeriut. Ata e ndihmojnë Zotin dhe luftojnë kundër armikut të tij – Djallit. Ai në fakt është një engjëll i rënë, i cili është rebeluar kundër Zotit dhe është ndëshkuar ashpër.






Një legjendë na tregon se si Zoti ka krijuar gabimisht gruan nga bishti i djallit: Zoti i dha urdhër engjëllit për t’u afruar qetë me Adamin, i cili në atë moment flinte. Engjëlli duhej të hiqte një prej brinjave të Adamit dhe të bënte nga ajo shoqen e njeriut. Engjëlli e zbatoi porosinë e Zotit, por djalli i keq e vodhi brinjën nga duart e tij. Engjëlli dëboi djallin, por ai ishte shumë i shpejtë dhe arriti të fshihet në një vrimë – vetëm bishti i tij mbeti jashtë. Engjëlli filloi ta tërhiqte djallin, atëherë bishti u shkëput dhe mbeti në duart e engjëllit. I shqetësuar, i dërguari i Zotit shkoi tek ai, që t’i tregojë se çfarë kishte ndodhur. Mirëpo në atë moment Zoti sapo ishte zgjuar. Duke e parë engjëllin, ai mendoi se i sillte brinjën e Adamit dhe e bekoi shpejt. Kështu u krijua gruaja e parë Eva. Me këtë histori shpjegohet edhe mendimi i përhapur se gruaja është dinake.


Një legjendë tjetër na tregon se si në fillim Zoti dhe Djalli ishin ortakë dhe një herë vendosën ta ndajnë botën: Zoti mori qiellin, kurse djalli – tokën. Djalli i propozoi Zotit për të lidhur marrëveshje, që të jetë gjithçka e qartë. Mirëpo, pak pas kësaj djalli filloi t’i mundojë njerëzit në tokë – jo vetëm mëkatarët, por edhe njerëzit e drejtë. Zoti kuptoi se ka bërë gabim dhe kërkoi që të prishet marrëveshja dhe ta marrë pushtetin e djallit. Për këtë qëllim ai dërgoi një engjëll, që të marrë me dinakëri marrëveshjen. I mishëruar në një njeri, engjëlli fitoi besimin e djallit. Djalli fillojë të vraponte pas tij dhe e arriti pikërisht në momentin, kur ai hynte në shtëpinë qiellore. Ai nuk arriti ta kapë, por me thonjtë e tij shkëputi një pjesë prej këmbës së engjëllit. Djalli u kthye i turpëruar, pasi kishte humbur pushtetin e vet dhe u bë armik i Zotit. Pasi Zoti pa këmbën e plagosur të engjëllit ai e bekoi, duke i thënë: “Unë do t’i bëjë të gjithë njerëzit si ti dhe nuk do të turpërohesh. Që nga atëherë këmbët e njerëzve duken në këtë mënyrë – mbaron legjenda.

Mirëpo, engjëjt nuk janë vetëm në qiell, por kudo rreth nesh. Sa njerëz ka në tokë, sa janë edhe engjëjt. Është përhapur mendimi se pasi lind njeriu Zoti i dërgon një engjëll, i cili ta ruajë nga fatkeqësitë dhe ta ndihmojë. Ky është engjëlli – mbrojtës. Mirëpo djalli gjithashtu i dërgon njeriut një shejtan, i cili ta prishë shpirtin e tij. Kështu gjatë tërë jetës së njeriut dy fuqitë luftojnë për shpirtin e njeriut: engjëlli është ulur në supin e djathtë dhe i thotë për të bërë të mira, kurse djalli, i cili ulet majtas, e provokon për të bërë gjëra të këqija. Prandaj për njerëzit, të cilët janë të prirë për mashtrime dhe abuzime populli thotë se “engjëlli i tyre është i dobët”. Pasi bëjmë diçka të mirë, engjëlli gëzohet, pasi bëjmë gjëra të këqija, engjëlli vuan dhe qan.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Plovdivi fton dashamirët e profesioneve të harruara në Muzeun e tij Etnografik

Një Muze Etnografik Rajonal në Plovdiv hap dyert për edicionin e 16-të të Javës së Artizanateve Tradicionale, raportojnë organizatorët e muzeut. Hapja është në Ditën e Enjos (24 Qershor), e nderuar në traditën tonë popullore si dita e barërave dhe fuqisë..

botuar më 24-06-24 5.30.PD

Festivali "Babina Dushica" në Montana mbledh kuzhinierë nga e gjithë Bullgaria

Më 22 qershor mbi 30 kuzhinierë nga i gjithë vendi mblidhen në Montana për festivalin e kuzhinës popullore "Babina Dushica". Festivali i kuzhinës është pjesë e programit për kremtimin e festës së Montanës "Shpirti i Shenjtë" në Kopshtin e..

botuar më 24-06-22 10.15.PD
D-r Mustafa Haxhi

Mirëdashja është në qendër të festës së Kurban Bajramit

Myslimanët në Bullgari festojnë Kurban Bajramin. "Kurbani është një fjalë arabe që do të thotë “afrim”. Përmes kurbanit, myslimanët bëjnë gjithçka që është e mundur për t'iu afruar mëshirës së Allahut", tha kryemyftiu në Bullgari, Dr. Mustafa Haxhi, në..

botuar më 24-06-16 5.50.PD