Javën e kaluar një valë uji 2-3 metrash përmbyti lagjen “Asparuhovo” të Varnës. Autoritetet vendase janë duke shqyrtuar shkaqet për këtë tragjedi. Bilanci – 11 viktima, ndër të cilat ka dhe fëmijë, dhjetëra janë shtëpitë e shkatërruara. Sapo do të vlerësohen dëmet materiale. Qindra vullnetarë nga mbarë Bullgaria ndihmojnë të prekurit nga përmbytja katastrofale. 28 vjeçari Ivan Kukov, në vend të çlodhet gjatë fundjavës, u përfshi në aksionin e pastrimit të shtëpive të prekura. I riu është inxhinier i softuerit dhe para pak kohësh atij i erdhi ideja për vendosjen e specialistëve të sferës së IT-së në fshatrat e shpopulluara bullgare. Ja se çfarë rrëfen Ivani për situatën në lagjen “Asparuhovo”:
“Rrugët kryesore ku veprojnë makinat e mëdha pak a shumë janë pastruara. Mirëpo, ende ka pluhur për shkak të tharjes së baltës. Shtëpitë janë plot e përlot baltë sepse brenda nuk mund të hyjë asnjë teknikë. Nevojiten akoma disa javë që të pastrohet tërësisht dhe kjo në qoftë se ka mjaft vullnetarë.”
Shumica e vullnetarëve janë të rinj, përafërsisht 25 vjeçare. Ivani u përfshi në aksionin e pastrimit së bashku me katër shokë të tij. Ata u caktuan për pastrimin e shtëpisë së një familjeje të moshuar.
“Në “Asparuhovo” shkuam të dielën në mëngjes para pikës ku grumbullohen vullnetarët e Kryqit të Kuq Bullgar dhe ku caktohen detyrat – rrëfen Ivani. – Neve na dërguan në rrugën “Gorna Studena” e cila rrugë është njëra nga më të prekurat. Në bodrumin dhe katin e parë të shtëpisë ku ishim caktuar për ndihmë, kishte shumë baltë. Gjithë ditën hiqnim baltën nga një dhomë rreth 10 metra katrorë ku kishte sedimente 40-50 centimetrash.”
Ivani rrëfen po ashtu se të gjitha mobiliet e shtëpisë janë asgjësuar dhe se njerëzit janë trembur shumë. “Për mendimin tim të prekurit nga përmbytja vështirësisht do t’ia kthejnë vetes së tyre ritmin e zakonshëm të jetesës. Gjithsesi ata qetësohen kur vullnetarët i ndihmojnë dhe tregohen shumë mirënjohës. Bile pohojnë se pa ndihmën e vullnetarëve nuk ka pasur asnjë shans që të pastrohen shtëpitë.”
Sipas Ivanit vendasit e lagjes “Asparuhovo” kanë nevojë për ujë të pijshëm dhe vullnetarë të cilët t’i ndihmojnë ata në evitimin e pasojave nga fatkeqësia. “Përpiqemi të përfshijmë edhe njerëz të tjerë në aksionin e pastrimit. Çdonjëri mund të jetë i dobishëm së paku duke pastruar baltën brenda 2 orëve” – i bindur është Ivani. Ky i fundit i ka propozuar Bashkisë së Varnës që të shpallë një ditë të javës ditë jo pune dhe kështu më shumë vullnetarë t’i japin krahë të prekurve.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografitë janë ofruara nga Ivan Kukovi
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..
Uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pasojat e shumta të pashmangshme të çdo konflikti ushtarak si në të shkuarën, ashtu edhe në ditët e sotme. Deri në përfundim të luftës në Ukrainë, është e pamundur të..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në dispozicion për përdorim falas Chat aplikacionin BgGPT me inteligjencë artificiale të gjeneratës së..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..
Gjatë javës së Ditës së Ariut , WWF tërheq vëmendjen mbi gjashtë arinj jetimë të cilëve iu dha një shans i dytë për jetë. Nisma është pjesë e fushatës..