Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ideja për të pasur orë mësimore mbi virtytet dhe fetë në shkollë shkaktoi një debat të gjerë shoqëror

Foto: Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare

A është e mundur nga viti 2026, lënda "Virtytet dhe fetë" të futet në programet mësimore dhe të bëhet e detyrueshme – ky është një debat, rreth të cilit janë shprehur pikëpamje të ndryshme gjatë javëve të fundit. "Hyrja e një lënde të detyrueshme mbi fetë në shkollën bullgare është e motivuar dhe është ajo që duan shumica e bullgarëve" – thonë nga Sindikata e Mësuesve të Bullgarisë pranë Konfederatës së Sindikatave të Pavarura të Bullgarisë (KNSB), ku përfshihen shumë pjesëtarë të komunitetit profesional. Ata kërkojnë që të hapet një debat shoqëror mbi këtë çështje, për këtë arsye ajo u përfshi në diskutimet e një forumi të specializuar javën e kaluar, e renditur përkrah temave të tjera kryesore, siç janë ato për të ardhurat e mësuesve dhe reforma në arsimin e mesëm. Në takimin me mësuesit, ministri i arsimit dhe shkencës Krasimir Vëllçev deklaroi se tema tashmë është shtruar në tryezë dhe po shkohet drejt përfshirjes së një lënde të tillë në shkollat bullgare.
Krasimir Vëllçev
Aktualisht, feja është e pranishme në programet mësimore, por si një lëndë me zgjedhje të lirë.

Sipas një studimi sociologjik të Agjencisë "Trend", 57% e bullgarëve të pyetur miratojnë përfshirjen e lëndës "Fe" në shkollat e përgjithshme bullgare. Nga i njëjti studim rezulton se për nxënësit bullgarë, vlera më të lartë aktualisht ka mirëqenia materiale e familjeve të tyre. Për disa analistë, kjo është një shenjë që arsimi shpirtëror është i domosdoshëm.
Pllamen Dimitrov
Në programet arsimore që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MON) është duke përgatitur, do të ketë module të ndryshme. Qëllimi është që nxënësit dhe prindërit të kenë mundësi zgjedhjeje në përmbajtjen dhe orientimin e kësaj lënde të propozuar, e cila do të studiohet. Propozimi është që ajo të quhet "Virtytet dhe fetë" dhe të ofrojë mundësi për zgjedhje të orientimit konfesional në mësim. Do të ketë edhe një program, që është jo-konfesional dhe i lidhur me historinë e feve dhe informacionin për këto bashkësi shpirtërore që janë të njohura në Bullgari dhe me të cilat ndeshemi të gjithë. Ka dhe një ide tjetër, përveç këtyre programeve mbi fenë, që nxënësit të mund të zgjedhin edhe një program mbi etikën dhe virtytet, brenda kësaj lënde. Nxënësit që nuk duan një profil fetar, mund të drejtohen drejt mundësisë së tretë, e cila ofron orientim për zhvillimin e virtyteve, por në një lexim plotësisht filozofik.

Pavarësisht nga larmia e mundësive që po diskutohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka njerëz që thonë se një lëndë e tillë e detyrueshme mund të ketë një efekt të kundërt, kryesisht për shkak se gjatë këtyre mësimeve do të mungojë dialogu dhe do t’u kërkohet fëmijëve të mësojnë doktrinat fetare në shkollë. "Nuk ka asnjë lidhje mes përkatësisë fetare të prindërve ose të fëmijës dhe prirjes së tij për të treguar sjellje më altruistike, për të ndihmuar dikë, për të treguar empati" – theksoi për BNR Dr. Zhenja Llazarova, psikologe dhe shkencëtare në fushën e neuroshkencave.
Dr. Zhenja Llazarova
"Nuk është problem mësuesit dhe murgjit të bisedojnë, por ky drejtim momental – që Kisha Ortodokse Bullgare të përcaktojë politikat arsimore, sipas mendimit tim, është paksa i rrezikshëm, për të mos thënë se rrezikon natyrën laike të arsimit tonë dhe, për fat të keq, nuk mbështetet në asnjë të dhënë shkencore reale për përfitimet e arsimit fetar" – mendon shkencëtari.

"Shqetësimet janë të pabaza, sepse shkolla bullgare do të edukojë fëmijët tanë në lidhje me fetë në mënyrë që ata t'i njohin ato, dhe jo të detyrohen të ndjekin një fe të caktuar. Qëllimi është më tepër që ata të njohin vlera të caktuara fetare dhe morale, si dhe të kuptojnë rolin e fesë në formimin e shtetësisë dhe kulturës sonë" – shpjegon Desisllava Panajotova, eksperte në fushën "Programe dhe projekte" në Departamentin Kulturor dhe Arsimor në Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare.
Desisllava Panajotova
"Do të gëzohemi kur ndryshimet në Ligjin për Arsimin Shkollor dhe Arsimin Parashkollor të bëhen realitet dhe kur të shihet se shoqëria bullgare ka arritur vërtet një konsensus për faktin se fëmijët kanë nevojë për edukim të virtyteve në shkollë dhe kur shumica e fëmijëve bullgarë që i përkasin besimit ortodoks kanë mundësinë të marrin një përgatitje të thelluar në lidhje me historinë e kishës, me kontributin e Kishës Ortodokse Bullgare në identitetin tonë kombëtar dhe kulturor dhe me bazat e mësimit ortodoks për njeriun, botën, virtytet dhe kuptimin e jetës. Ideja është që në kuadër të lëndës "Fe" ose "Virtyte dhe fe", pavarësisht nga emri final që do t'i jepet, të ekzistojë mundësia për variacione konfesionale, ku një prej tyre të jetë krishterimi ortodoks dhe të tjera që të plotësojnë nevojat e të gjithë qytetarëve bullgarë, prindërve dhe nxënësve."

Foto: Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare, Trend Agency, BT, Irina Nedev, bg-patriarshia.bg
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria korr suksese në EXPO 2025 në Japoni

Pas 55 vitesh, Bullgaria u rikthye triumfalisht në EXPO 2025 në Osaka të Japonisë, dhe pavijoni i saj në ekspozitën botërore gëzon interes të madh. "Interesi i sipërmarrësve japonezë në lidhje me investimet tregon se jemi në rrugën e duhur", tha..

botuar më 25-04-15 3.55.MD

Për herë të 32-të, Bosilegradi bëhet kryeqyteti ballkanik i gëzimit të fëmijëve për Pashkë

Për herë të 32-të, Festivali i Fëmijëve për Pashkë do të bashkojë fëmijë bullgarë nga vende të ndryshme në qytetin serb të Bosilegradit, në mënyrë që ata jo vetëm të tregojnë mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e vezëve më të bukura dhe origjinale të..

botuar më 25-04-15 3.15.MD

Banica bullgare renditet e treta në një renditje prestigjioze të kuzhinës

Banica tradicionale bullgare renditet e treta në renditjen prestigjioze të faqes "Taste Atlas" për gatimet më të mira të djathit në botë. Banica (byreku) ka një vlerësim prej 4.5 nga 5 pikë të mundshme. Para pjatës bullgare renditen oferta nga..

botuar më 25-04-15 11.36.PD