Po të zbrisni në jugperëndim drejt Luginës së Razllogut do të mbërrini në vendbanimin Baçevo. Ka shumë legjenda për themelimin e fshatit, të cilat legjenda vendasit kujtojnë gjatë kohës së festave dhe ua rrëfejnë të rinjve. Disa legjenda dhe zakone janë të përshkruara nga Maria Paskaleva, sekretare e qendrës kulturore në fshat. Mirëpo, ajo nuk i ka botuar në libër.
Vendbanimi Baçevo gjendet në këmbë të malit Rila dhe ka pamje nga tri malet Rila, Pirin dhe Rodopet. Një nga lokalitetet në afërsi të fshatit quhet Perivol – fjala rrjedh nga persishtja e vjetër dhe do të thotë “pamje e bukur”. Sipas njërës nga legjendat emri i fshatit ka të bëjë me historinë e vëllezërve, të cilët janë shpërngulur në luginë por disa prej tyre janë vendosur në Baçevo. Sipas një legjende tjetër emri i fshatit lidhet me rritjen e deleve, për të cilën dikur është përdorur fjala “baçia”, e përngjashme me atë të baxhos.
Më shumë rreth fshatit rrëfen kryetarja e tij znj. Sonja Kulinçeva: “Popullsia në Baçevo numëron 1700 veta, ka po ashtu dhe shumë të rinj, të cilët nuk largohen nga vendlindja. Kemi shkollë dhe kopsht për fëmijë. Banorët e fshatit punojnë kryesisht në qytetin e afërt Razllog dhe në pushimoren e dimrit Bansko, por preferojnë të jetojnë në fshat. Rrugët i kemi të shtruara me asfalt, kështu që transporti nuk është problem.”
Përveç natyrës së bukur në Baçevo ka ujëra shëruese minerale. Temperatura e ujit është rreth 26 gradë Celsius. Në fshat nderohet kali dhe prandaj gjenden tri baza për kalërim.
“Nuk është e rastit se bile në flamurin e Baçevos është vendosur kali – vazhdon kryetarja znj. Kulinçeva. – Bazat e kalarimit janë financuar me para nga fondet evropiane. Tashmë e kemi ndërtuar edhe bazën për turistët, ofrojmë shëtitje me kalë dhe pajton në gjirin e natyrës. Kemi mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit.”
Megjithëqë Baçevo nuk është pakësuar shumë për nga popullsia në krahasim me fshatrat e tjera në Bullgari, një pjesë e të rinjve punon në Angli, Francë dhe Spanjë. “Mirëpo, nuk harrojnë të kthehen gjatë verës për të shijuar natyrën e bukur të fshatit”, thotë kryetarja. Bukuritë e Baçevos janë vlerësuar edhe nga të huajt. Disa familje anglezësh dhe rusësh kanë blerë shtëpi aty.
Njëra nga pikat historike të fshatit është shkëmbi i Shën Gjergjit, i ndarë në dy copa të mëdha. “Legjenda rrëfen se Shën Gjergji ka jetuar mes banorëve të Baçevos – tregon znj. Kulinçeva. – Kur kanë ardhur turqit, ata kanë menduar t’i kthenin banorët në myslimanë, duke vrarë Shën Gjergjin. Pasi turqit kanë nisur ta ndiqnin atë, Shën Gjergji është hipur në kalë dhe ka shkuar në shkëmb. Poshtë tij kishte një gropë, pas tij ishin turqit. Atëherë Zoti ia ka dhënë Shën Gjergjit krahë dhe kali ka fluturuar. Kur Shën Gjergji e ka gjetur veten në rrëzë të malit poshtë këmbëve të tij ka nisur të buronte uji mineral. Dhe shkëmbi është ndarë në dy copa. Edhe sot ai i cili shkon lart kalon përmes shkëmbit, i cili shkëmb mban mëkatarët dhe lëshon njerëzit e pamëkatë.”
Në Baçevo e tanishmja ekziston paralelisht me të kaluarën. “Njeriu mund të arrijë çdo majë në mendimet e veta”, thotë Maria Paskalska, sekretare e qendrës kulturore në fshat. Gjatë ditëve festive qendra organizon aktivitete të ndryshme ku përfshihen grupet folklorike për femra dhe meshkuj. Të rinj marrin pjesë në punishte të ndryshme ku mësojnë zanatet e fshatit. P.sh., qepin kukulla me kostume karakteristike. Për Pashkët lyhen vezët me bojë të kuqe dhe më të bukurat ekspozohen. Maria Paskalska ka mbledhur këngë popullore, proverba dhe legjenda lidhur me fshatin. Një nga gjellët tradicionale aty gatuhet me bishtajë, mish dhe këmbë derri.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografitë janë nga arkivi i fshatit
Bullgarët zgjedhin sot 240 deputetë, të cilët do të hyjnë në Asamblenë e 51-të Kombëtare. Për pjesëmarrje në zgjedhje janë regjistruar 19 parti dhe nëntë koalicione. Për një vend në parlament do të konkurrojnë 4 858 kandidatë, 3 480 burra dhe..
Sot, 26 tetori në Bullgari është dita e reflektimit para zgjedhjeve të shtatë radhazi parlamentare që nga prilli 2021. Në këtë ditë, votuesi ka mundësinë, pa ndikim të jashtëm, të vendosë për votën e tij në ditën e zgjedhjeve. Sot, si dhe në..
Tema e migracionit u përfshi sërish në axhendën evropiane në sfondin e presionit të shtuar ndaj Brukselit për të dhënë dritën jeshile për ta kufizuar atë. Thirrjet e një numri liderësh evropianë për një qasje më radikale ndaj migrantëve të paligjshëm..
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e pabesueshme - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen..