Evropa sikur i hoqi syzet me ngjyrë trëndafili dhe e pash drejtpërsëdrejti të vërtetën. Pesimizmi i shkaktuar nga rritja e vogël dhe konkurrueshmëria e ulët e ekonomisë evropiane u zëvendësuan me një stimul të ri për daljen nga kriza, krizë kjo e cila vazhdon tashmë gjashtë vjet. Fjala e re magjike për BE-në është reindustrializimi. Ai shkaktoi një optimizëm të ri për zgjidhjen e problemeve – si në Bruksel, ashtu dhe në Sofje. Nëse kjo do të jetë një strategji e suksesshme apo jo për përballimin e konkurrencës së madhe në tregjet botërore, ose do të mbetet prova e radhës për të arritur “vrapuesit më të shpejtë”?
Një prej këngëve të njohura te ne para pak kohe ishte “Si t’i arrijmë amerikanët?” Bënim shaka, por shakaja mund të bëhet realitet, sepse Evropa tashmë i humb pozitat e saj në krahasim me ekonomitë moderne, që zhvillohen me tempe të shpejta. Nga njëra anë Brukseli është duke përpunuar strategji për rritjen e konkurrueshmërisë, kurse nga ana tjetër vendos një sërë barrierash para biznesit. Mirëpo paratë ndjekin rrugën më të lehtë. Prandaj ato largohen nga Kontinenti i Vjetër dhe shkojnë atje ku ka një mjedis më të mirë të biznesit. Prandaj në Bruksel filloi të flitej për reindustrializimin, që do ta rikthejë forcën prodhuese të Evropës.
Çfarë fshihet prapa fjalës “reindustrializim”?
“Një prej qëllimeve është përballimi i tendencës negative të transferimit të prodhimit nga ana e shumë prodhuesve evropianë në vende të tjera – thotë në një intervistë për Radio Bullgarinë Kamen Kolev, zëvendëskryetari i Dhomës Ekonomike Bullgare. – Disa prej barrierave për zhvillimin e industrisë, të vendosura nga BE-ja, janë lidhur me kërkesat jashtëzakonisht të rrepta sa i përket ekologjisë. Mungon dhe një treg unik i energjisë elektrike, gazit etj. Një pjesë e këtyre pengesave në të vërtetë janë të një niveli evropian. Në Bullgari nuk duhet të shkruajmë strategji, por të krijojmë masa konkrete, të cilat t’i stimulojnë prodhuesit.”
Qeveria bullgare gjithashtu shpreson tek reindustrializimi, duke u përpjekur të rimëkëmbë prodhime, të cilat i sjellin vendit fitime.
“Reindustrializimi te ne nuk duhet të kufizohet në derdhjen e mjeteve financiare në firma të prapambetura shtetërore, ose në rregullimin e çmimeve të tyre, me qëllim daljen e tyre nga gjendja e vështirë – është i mendimit z. Kolev. – Ka nevojë për një strategji të tërësishme në fushën e inovacioneve. Atëherë do të kemi rritje. Mirëpo që të kemi një rritje më të madhe gjatë 2014-ës duhet ta zhvillojmë eksportin, kurse eksporti do të jetë më fitimprurës, po të eksportojmë më shumë mallra inovative, të cilat aktualisht janë vetëm 5 për qind e eksportit tonë. Të tjerat janë prodhim i papërpunuar me vlerë të ulët të shtuar. Ndoshta mënyra më e mirë është që mjetet e programeve evropiane për biznesin të riorientohen drejt riarmatosjes teknologjike, pra nuk duhet t’u përkushtohemi krejtësisht qëllimeve, të cilat nuk u përgjigjen mundësive reale të ekonomisë.”
Biznesi i madh u largua nga vendi. Si ta rikthejmë?
“Këto kufizime, të cilat imponoheshin në biznes, kishin qëllim stimulin e sipërmarrësve në Evropë për të investuar në inovacione. Bëhet fjalë për efikasitetin energjetik, për emisionet e dëmshme etj. Por kjo është lidhur me rritjen e madhe të çmimeve dhe me humbjen e aftësisë për konkurrencë. Ka efekte pozitive, por financimi në këta kufij është i vështirë, edhe për sipërmarrësit evropianë, edhe për ata bullgarë. BE-ja livron qindra miliardë, të cilët duhet të stimulojnë, ta drejtojnë biznesin ndaj prodhimeve të tilla, pavarësisht sesa të rënda janë këto kërkesa.”
Në qoftë se Evropa nuk arrin të reindustrializohet, ajo do ta humbasë konkurrueshmërinë e saj?
“Ajo është duke humbur dhe kjo është një tendencë e qëndrueshme. Nuk është e rastit se ky nocion u aplikua nga Komisioni Evropian me qëllim të ndryshohet kjo tendencë. Nëse kjo do të jetë e suksesshme apo jo – ka shumë pyetje. Duhet të kemi shumë kujdes, kur po vihen qëllime të tilla, me sa ato janë të zbatueshme dhe funksionojnë për përmirësimin e mjedisit të biznesit. Sigurisht që rregullime dhe kufizime duhet të ketë, por biznesi ka nevojë për më shumë liri, që të zhvillohet. Duhet t’i bëjmë të përballueshme të paktën barrierat bullgare.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Terminali i gazit të lëngshëm natyror në Aleksandrupolis, në të cilin Bullgaria është bashkë-aksionare, tashmë kontribuon në konkurrencën jo vetëm të Greqisë dhe Bullgarisë, por edhe të të gjithë rajonit. Kështu tha ministri në detyrë i energjetikës,..
Ka filluar modernizimi i bazës prodhuese të ndërmarrjes së vetme shtetërore të përpunimit të qumështit “LB Bulgaricum” në Vidin, siç ishte premtuar nga pushtetarët. Renovimi i bazës prodhuese do të kryhet në faza, njoftoi Ministria e Ekonomisë. Në..
Dorëzimi i parë i gazit natyror në Bullgari u bë sot përmes terminalit të ri në qytetin grek Aleksandrupolis. Funksionimi komercial i objektit është fakt që prej 1 tetorit të këtij viti dhe vendi ynë është pronar i 20% të projektit, i cili..