Më 1 shkurt, sipas kalendarit gregorian dhe më 14 shkurt sipas stilit të vjetër, Bullgaria shënon ditën e Trifon Zarezanit, ose festën e vreshtarëve. Këtë ditë krasiten hardhitë, që të jenë të gatshme për pranverën që po vjen. Vera ka qenë një pije e preferuar nëpër trojet tona që në kohërat më të lashta. Trakët, një prej fiseve më të vjetra në këtë rajon, ishin adhurues të mëdhenj të verës dhe prodhues të saj të njohur.
Kurrë deri tani Bullgaria nuk ka prodhuar verëra kaq të mira.
Këtë e pohon Radosllav Radev, kryetari i Dhomës Kombëtare të Vreshtave dhe Verës. Ai shton se gjatë dy dekadave të fundit në këtë degë vëzhgohet një bum i vërtetë. Mjetet financiare janë siguruar nga politika e përgjithshme bujqësore e BE-së. Me ndihmën e saj u rinovua një pjesë e madhe e vreshtave dhe u modernizuan teknologjitë e prodhimit.
“U përmirësua mënyra e rritjes së rrushit në Bullgari, si dhe prodhimi i verërave – thotë zoti Radev. – U investuan shumë mjete në teknologjitë e reja. Dhe sot vera bullgare ka një imazh të ri, kurse raporti cilësi-çmim është i shkëlqyeshëm. Tani sfida është që bota ta dëgjojë këtë lajm.”
Ka pak të ngjarë që të kthehen kohërat e arta të verërave bullgare, kur në vitet 70, 80 të shekullit të kaluar Bullgaria zinte vendin e pestë ndër eksportuesit e verës në botë, mendon eksperti. Përhapja e verërave të Argjentinës, Kilit, Australisë, Zelandës së Re e ndryshoi rrënjësisht tregun e verës, duke shpartalluar hegjemoninë e prodhuesve kryesorë të verës, si Franca, Italia dhe Spanja.
Në të njëjtën kohë Bullgaria përjetoi një tronditje të madhe lidhur me tranzicionin drejt ekonomisë së tregut dhe krijimit të shumë kantinave të vogla në vend të prodhuesve të mëdhenj të verërave. U humbën dhe tregjet tradicionale në ish vendet komuniste, megjithëse ishin zënë vende të reja në treg.
“Në disa shtete, si Anglia, Gjermania, Belgjika, Holanda, vendet skandinave, vera bullgare arriti kulmin e shitjeve në fillim të viteve 90 – është i mendimit Radosllav Radev. – Mirëpo pas mesit të viteve 90 filloi ulja e shitjeve të verës bullgare për shkak të përhapjes së verërave nga bota e re dhe nga kjo u dëmtuan madje prodhuesit e mëdhenj të verës, si Franca dhe Italia.”
Sipas fjalëve të Radosllav Radevit, kulmi i interesit ndaj verërave të botës së re ishte arritur pas vitit 2000 dhe tashmë vëzhgohet një rikthim drejt prodhuesve tradicionalë të verës.
“Tregu ynë më i madh përsëri është Rusia – thotë zoti Radev. – Tregjet e tjera të rimëkëmbura janë Polonia dhe Çekia. Në të kaluarën verërat bullgare zinin një të tretën e tregut polak. Aktualisht vera bullgare rikthen pozitat e saj. Ajo është duke dalë nga segmenti më i ulët dhe po zë atë të çmimeve më të larta.”
Një dukuri e tillë po vëzhgohet edhe në tregjet tona të vjetra në Evropën Perëndimore. Aktualisht atje shiten më pak verëra, por me çmime më të larta. Një shans i madh për industrinë bullgare është përhapja e verërave në disa tregje të mëdha të reja, siç janë Kina dhe India. Në kuadrin e një programi të financuar nga BE-ja, për popullarizimin e verërave bullgare në vende të treta, Bullgaria bën përpjekje që verërat e saj të zënë një vend të mirë në tregjet e SHBA-së, Zvicrës, Singaporit, Japonisë, Vietnamit dhe Kinës.
2013-ta ishte një vit shumë i mirë për verërat bullgare. Ishte prodhuar shumë rrush dhe me një cilësi të lartë. Pritet prodhimi i një sasie rekord verërash – rreth 200 mln litra. Po të bëjmë një krahasim me vitin e keq 2012, kur u prodhuan 127 mln litra, ky në të vërtetë është një rezultat shumë i mirë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Shitjet e makinave të reja në Bullgari në tetor u rritën tri herë më shumë se niveli mesatar i Bashkimit Evropian, ku blerja e makinave të reja ishte vetëm 1.1%. Sipas të dhënave të Asociacionit të Prodhuesve Evropianë të Automobilave, 75.9% e..
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..
Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..