Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vizita e ministrit Hoxhaj në Bullgari me qëllim më shumë shkëmbim ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor

Foto: Архив

Në kuadër të vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Enver Hoxhaj, në Sofje u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit në fushën e integrimit euro-atlantik në mes të Bullgarisë dhe Kosovës. Ministri Hoxhaj pati takim me homologun e tij bullgar, z. Kristian Vigenin i cili deklaroi: “Marrëdhëniet në mes të Bullgarisë dhe Kosovës kanë filluar që në momentin kur shteti ynë e njohu pavarësinë e Kosovës. Koha dëshmoi se vendimi ynë ka qenë i drejtë, sepse që nga ai moment deri më tash institucionet e Kosovës punojnë në ndërtimin e shtetit, zhvillojnë reforma dhe janë duke nisur në rrugën e integrimit evropian.”

© Foto: mfa.bg

Theksi i takimit pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje ishte mbështetja e Bullgarisë për integrimin evropian të Kosovës.

Në intervistën që dha Radion Kombëtare Bullgare, ministri Hoxhaj theksoi se, vizita e tij në Sofje ka për qëllim bashkëpunimin më intensiv ekonomik dhe se, Kosova sigurisht mund të përfitojë shumë nga përvoja bullgare në rrugën drejt integrimit në BE.

Z. Hoxhaj, si ju duken raportet Bullgari-Kosovë pas vizitës suaj në Sofje?

Mendoj që Kosova dhe Bullgaria kanë një fazë shumë intensive të bashkëpunimit të tyre i cili bashkëpunim është prej marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike deri tek konsultimet e rregullta politike. Mirëpo, qëllimi ynë është që të lëvizim nga kjo gjendje e marrëdhënieve të mira politike dhe të kemi një bashkëpunim më intensiv ekonomik. Qëllimi kryesor i vizitës sime është që të kemi më shumë shkëmbim ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor në mes të Bullgarisë dhe Kosovës. Përndryshe, në mendjet dhe zemrat e njerëzve njihet vendosmëria e Bullgarisë për të njohur Kosovën, njihet kontributi i tyre për të ndërtuar një Kosovë të re, për këtë jemi shumë mirënjohës.

Për mendimin tuaj, Bullgaria a është e aftë ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit evropian?

Mendoj që Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja bullgare meqë ju jeni një vend i cili në një rrugë të gjatë të reformave ka arritur të anëtarësohet në BE. Dhe ne sot kemi nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe si rezultat i këtij memorandumi ne do të jemi në gjendje të kemi një koordinim me të ngushtë prej agjendës evropiane në mes të Prishtinës dhe Sofjes, të kërkohet ekspertizë në fusha ku ka nevojë të kërkohet, të shohim se cilat kanë qenë mësimet dhe dështimet e Bullgarisë dhe në të njëjtën kohë të kemi shtetin e Bullgarisë të ndihmojë Kosovën si shtet anëtar i BE-së tek institucionet në Bruksel që të ketë një dinamikë dhe shpejtësi tjetër në agjendën evropiane. Padyshim se Kosova mund të përfitojë dhe të mësojë shumë nga Bullgaria në këtë drejtim dhe mendoj se do të ketë takime të tjera të radhës në Sofje nga zyrtarët e tjerë të Kosovës, të cilët duhet më konkretisht të ndjekin çështjen e bashkëpunimit Kosovë-Bullgari për sa i përket integrimit evropian.

Si i vlerësoni zgjedhjet për balotazhin në Kosovë dhe si ndikojnë ato mbi stabilitetin e vendit?

Kosova është një vend i cili ka një peizazh politik shumë stabil, një prej vendeve më stabile në rajon përkundër asaj se jemi vend shumë i ri edhe në kuptimin e jetës shtetërore të Kosovës, edhe në kuptimin e jetës politike, të partive politike. Zgjedhjet kanë qenë demokratike, të lira, fair, i kanë respektuar të gjitha standardet e BE-së, standardet ndërkombëtare. Pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë relativisht e madhe dhe qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e tyre të marrin pjesë në një proces zgjedhor demokratik. Në kuptimin e situatës në veri të vendit mbajtja e dy raundeve të zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe pjesëmarrja e kandidatëve nga komuniteti serb, zgjedhja e tyre, është një hap i madh drejt ri-integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton në katër komuna në veri të Kosovës.

Kur do të krijohet Asociacioni i komunave veriore serbe dhe ku do të jetë selia e tij?

Mendoj që gjatë javëve të ardhshme do të krijohet administrata e katër komunave të cilat duhet të themelohen, do të rikonfirmohet pozita e tyre dhe e katër kryetarëve që kanë zgjedhur, do të krijohen edhe asambletë komunale dhe ndërkohë do të merret vendimi për sa i përket themelimit të asociacionit. Deri më tash ekziston statuti i asociacionit dhe ky statut është bërë në përputhje me statutin e asociacionit të dytë që ekziston në Kosovë dhe këto asociacione duhet të funksionojnë në bazë të hartës evropiane të qeverisjes lokale. Kështu që besoj se është çështje e javëve kur themelohet asociacioni. Por asociacioni nuk mund të themelohet pa pasur asnjë progres në themelimin e bërthamës së çdo komune të re në veri të Kosovës.

Disa nga liderët serbë mendojnë se pas mbajtjes së zgjedhjeve Kosova vështirë do të bëhet anëtare e OKB-së. Si i komentoni këto pohimet?

Në rastin e Kosovës është dëshmuar se askush nuk mund të ndajë lidhjen e historisë që Republika e Kosovës është një fakt gjeopolitik në Evropën Juglindore, në Evropë por edhe në botë. Ne deri më tash jemi njohur nga 104 shtete, është pa që rruga e njohjes është e pandalshme dhe ne besojmë shumë se në një të ardhme të afërt të dorëzojmë kërkesën tonë për anëtarësim në OKB. Kuptohet se na duhen më shumë njohje dhe të bëjmë koordinim me partnerët tanë euroatlantikë.

Si e vlerësoni mundësinë që Kosova të marrë pjesë në forumet regjionale në Ballkan?

Deri më tash Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa forume rajonale në Ballkan. Ju e dini që më 24 shkurt të 2012-ës kemi arritur një marrëveshje me Serbinë, e cila rregullon pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat rajonale. Sivjet jemi anëtarësuar në Këshillin Rajonal për Bashkëpunim, kemi arritur të anëtarësohemi në disa organizata të tjera. Përndryshe unë jam skajshmërisht i dëshpëruar për qasjen shumë destruktive, për qasjen shumë joparimore dhe për shkeljen flagrante të marrëveshjes që ka bërë Serbia në moslejimin e Kosovës të anëtarësohet në organizmat rajonale. Ne si Ministri e Punëve të Jashtme kemi dërguar një informatë të gjitha shteteve anëtare të BE-së, duke përfshi edhe vetë qeverinë tuaj bullgare ku shprehim protestën dhe sjelljen anti-evropiane të Serbisë në bllokimin e Kosovës në nisma dhe organizata rajonale. Mendoj që kjo çështje është për shqetësim.

A keni frikë nga fakti se Maqedonia mbeti prapa në negociatat për integrim në NATO dhe BE, mos vallë vetëm problemi me emrin është kryesor, apo gjithashtu dhe çështja e identitetit në marrëdhëniet me fqinjët?

Unë nuk jam në gjendje si ministër i jashtëm të jap vlerësim për identitetet e shteteve përkundër asaj se kam një background akademik për një temë të tillë. Unë mendoj se Maqedonia mund të mësoj nga shembulli i Kosovës se si përmes dialogut, përmes kompromisit dhe përmes marrëveshjes mund të zgjidhen problemet. Ajo që ka mund të mësojë çdokush nga Kosova në kuptimin e marrëveshjes historike që kemi arritur ne me Serbinë është që ne kemi qenë në një dialog intensiv. Kemi treguar vullnet dhe vendosmëri që të marrim vendime të rënda, që të pranojmë kompromise të dhimbshme, pranojmë marrëveshje dhe në fund jemi duke lëvizur drejt zgjidhjes. Mendoj se çështja e emrit të Maqedonisë mund të adresohet shumë mirë në përputhje me atë se si është zgjidhur përmes dialogut disajavësh edhe çështja e relacioneve Kosovë-Serbi.
По публикацията работи: Anna Kapitanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Protesta para Teatrit Popullor “Ivan Vazov” u kthye në trazira para premierës së pjesës “Armët dhe njeriu”

Shfaqja e Bernard Shaw "Armët dhe njeriu" (“Arms and the Man”) me regji të John Malkovich , e cila u prezantua në Teatrin Popullor në ditën e 139-vjetorit të Betejës së Slivnicës , shkaktoi pakënaqësinë e qindra bullgarëve. Ata protestuan para..

rinovuar më 24-11-08 12.27.MD

Një ekspeditë polare bullgare eksploroi Kontinentin e Akullit për herë të 33-të

Ekspedita e tridhjetë e tretë polare bullgare po shkon drejt Antarktidës për të vazhduar kërkimet e saj shkencore në bashkëpunim me shkencëtarë nga vende të ndryshme. Në bordin e anijes kërkimore “Shën Kirill dhe Metodij” ndodhen për herë të parë..

botuar më 24-11-08 7.30.PD

Antarktida është motori i ndryshimeve klimatike

Ambasada e Francës dhe Instituti Francez i Kulturës mblodhën së bashku shkencëtarët për të prezantuar eksperiencën e tyre mbi sfidat shkencore në Antarktidë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Partnerë të aktivitetit ishin Instituti Polar Francez..

botuar më 24-11-07 7.30.PD