Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Maria Shtepankova për magjinë e folklorit bullgar

Foto: arkiv personal

Pa dyshim hera e parë në një vend të huaj përbën shok kulturor, i cili ka të bëjë me pritjet fillestare të njeriut përkatës. E këtij mendimi është Maria Shtepankova. Zonjusha prej Çekisë banon në Bullgari prej pesë vjetësh. Ndryshe nga shumë bullgarët që u nisën për në Perëndim, duke kërkuar një realizim më të mirë, çekja u vendos në vendin tonë. Në Bullgari e kanë shpënë puna dhe dëshira të “shijojë” një gjë të ndryshme. Maria udhëheq një ndërmarrje, e cila përkrah firmat bullgare dhe ato çeke që të vendosen në tregun e huaj të ndërtimit. Ajo pohon se interesi i firmave çeke ndaj Bullgarisë është i madh.

“Në Çeki ka shumë lloje ndërtimesh që sapo do të realizohen në Bullgari – thotë Maria Shtepankova. – E kam fjalën për rrugët, rindërtimin e ballinave, kanalizimin dhe depot e çdo lloj mbeturinash. E gjitha kjo infrastrukturë duhet ndërtuar këtu dhe Bullgarisë duhet t’i jepen para evropiane. Përvoja e firmave çeke mund të jetë me rëndësi në këtë drejtim. Mirëpo, kam kolegë prej Çekisë që interesohen të përkrahin firmat bullgare që të vendosen në tregun çek. D.m.th. dikush t’i ndihmojë që të gjejnë zyrë, personel dhe klientë.

Nuk ka shumë mallra bullgare që kërkohen në tregun e Çekisë. Maria jep shembull me verërat bullgare, për të cilat bashkatdhetarët e saj nuk janë në dijeni. Dihet që andej pija alkoolike më e kërkuar është birra. Për sa u përket djathërave dhe kaçkavallit, produktet bullgare konkurrohen vështirësisht me të njëjtat mallra të importuara nga Perëndimi. Klima e përshtatshme e Bullgarisë për t’u investuar dhe tatimet pothuajse dyfish më të ulëta i tërheqin firmat çeke në vend.

Maria Shtepankova ka mbaruar për shkencat ekonomike në Çeki. Para se të vijë në Bullgari, ka banuar për një kohë të shkurtër në Francë. Pohon se në Bullgari e ndien vetën shumë mirë. “Këtu ushqimi ende ka shije. Ka liri dhe zgjedhje të madhe për aktivitete”, thotë zonjusha nga Çekia. Jeta sociale aktive dhe spontaniteti i bullgarëve janë ndër gjërat që pëlqen te ne. “Në Çeki, p.sh., nëse e merr dikë në telefon dhe i propozon atij që të dilnin jashtë të njëjtën mbrëmje, do të dukej joserioze, sepse nuk ka qenë një takim i planifikuar”, thotë Maria. Para se të vendoset në vend, ka njohur shumë pak Bullgarinë. Gjatë fëmijërisë ka vizituar vendpushimin tonë veror Albena. Më vonë në Pragë u njoh me një studente bullgare, e cila ka qenë për specializim në kryeqytetin çek.
Cilat janë përshtypjet e para të Marisë për Bullgarinë?

“E dija se keni fusha dhe male të bukura. Një vend i favorizuar në natyrë. Këtë e kujtoj nga mosha e fëmijërisë. I kam ardhur mysafire shoqes sime bullgare. Që atëherë, përshtypje të madhe më bënë vendet historike. Këto objekte ishin shumë interesante dhe të pazakonshme për Evropën Perëndimore. Sipas meje ky dallim ka të bëjë me krishterimin ortodoks. Më së shumti më pëlqejnë varret e trakëve. Kam vizituar shumë vende të Bullgarisë, qoftë me shoqërinë, qoftë me kolegët e punës. Gati çdo javë bëj shëtitje në malin Vitosha pranë Sofjes. Kam qenë në malet Rodope, në malin Pirin dhe në atë Rila. Qytetet e preferuara për mua janë Bellogradçik, Kazanllëk, Veliko Tërnovo dhe Ruse. Bullgaria ka vende shumë të bukura të natyrës. Më pëlqejnë shpellat dhe vendet shkëmbore. Më bëhet qejfi se ka fusha dhe përgjatë tyre ngrihen male të larta. Sipas meje gjendja gjeografike ndikon në një farë mënyre në mendësinë e njerëzve. Bullgarët janë plot emocione dhe kurrë nuk mund t’i parashikosh ato.”



Maria thotë për bullgarët që janë një popull mikpritës dhe i dashur. Për këta pesë vite që është në vend, e ka zotëruar mirë bullgarishten. Tregon se gjuhën e mëson, duke komunikuar me njerëzit – në rrugë, në restorante, në punë. Sepse e di se gjuha e huaj mësohet në mjedisin përkatës. Maria, siç shumë të huaj të tjerë, është magjepsur pas folklorit bullgar. I pëlqejnë jashtëzakonisht shumë vallet tona popullore. Para një viti çekja u regjistrua në një kurs të vizatimit, sepse këtë art e ka qejf që kur ka qenë fëmijë. Gjithashtu donte të shoqërohet me dikë. Herën e parë që shkoi në orën e kursit, rastësisht u fut në kursin e valleve popullore. I ka pëlqyer shumë, megjithëse deri atëherë nuk kishte vallëzuar kurrë. Çekja u dashurua pas valleve dhe këngëve tradicionale bullgare dhe katër herë në javë frekuenton një kurs të këtillë.

“Më pëlqen se mblidhemi njerëz të ndryshëm dhe kemi një qëllim të përbashkët – vallëzimi. Në grup marrim vesh me njëri tjetrin se çfarë duhet të bëjë secili prej nesh. Ideja është që të argëtohemi dhe krijojmë sinkroni. Në shkollë u njoha me lloj-lloj njerëzish. Kur njeriu përqendrohet vetëm në punë, ai kufizohet nga mentaliteti i njerëzve përreth. Ndërsa në kursin e valleve njerëzit i kanë profesionet e ndryshme dhe ti ke mundësi të zbulosh një mënyrë tjetër të jetesës.”

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografi: arkiv personal

По публикацията работи: Rumjana Cvetkova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Moldavia ka zgjedhur një të ardhme pro-evropiane, por duhet ta çimentojë atë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Rezultatet e referendumit për anëtarësimin e Moldavisë në BE, si një qëllim strategjik për t'u shkruar në kushtetutën e vendit, përforcuan pikëpamjen pro-evropiane të vendit, edhe pse me një dallim shumë të vogël nga euroskeptikët. Mirëpo, pritet..

botuar më 24-10-30 2.20.MD

Eksploruesit polarë bullgarë dhe francezë tregojnë për sfidat në Antarktidë

Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Bullgari, në partneritet me Institutin Polar Francez "Paul-Emile Victor", Institutin Antarktik Bullgar, Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski" dhe Televizionin Kombëtar Bullgar organizojnë një takim..

botuar më 24-10-30 6.10.PD
Rajna Manxhukova

Rajna Manxhukova: Dua që lufta të mos ndajë komunitetin bullgar të besarabëve në Ukrainë dhe Moldavi

Bullgarët e Besarabisë janë "pjesë e pandashme e fuqisë kombëtare bullgare, e bashkësisë shpirtërore dhe kulturore bullgare. Ata do të mbeten sepse lidhja mes nesh dhe tyre është e pathyeshme" - shkroi numri i vetëm i gazetës "Besarabia Bullgare",..

botuar më 24-10-29 2.30.MD