Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick: “Qeveria bullgare ka arritur shumë gjatë vitit të fundit”

Foto: BGNES
Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick dhe kryeministri Bojko Borisov nënshkruan një marrëveshje për aktivizimin e bashkëpunimit për zhvillim të infrastrukturës në Bullgari. Banka Botërore do ta ndihmojë vendin tonë me ndihmë ekspertësh, që të mund t’i përvetësojë Bullgaria më shpejt mjetet evropiane. Ajo do të ndjekë se çfarë planesh ka vendi ynë në momentin e tanishëm dhe çfarë do të jetë ndikimi i tyre mbi deficitin e vendit, kështu qe qeveria të marrë vendimet e drejta.

“Bullgaria ka një mundësi të shkëlqyeshme për të përfituar maksimalisht nga fondet evropiane dhe të rimëkëmbë rritjen e saj ekonomike”, komentoi presidenti i Bankës Botërore. “Tani qeveria bullgare gjendet para sfidës së rëndë të rimëkëmbë vendin dhe ndërkohë të zhvillojë reforma strukturore, të shënojë rezultate të qëndrueshme fiskale dhe të realizojë integrim më të plotë në BE”, shtoi Robert Zoellick.

“Kryeministri dhe ekipi i tij kanë arritur shumë gjatë vitit të fundit në fushën e luftimit të kriminalitetit të organizuar dhe të korrupsionit, si dhe në respektimin e ligjit – deklaroi para gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes Robert Zoellick. – Qeveria po zbaton një buxhet me shumë sfida, në një periudhë krize ekonomike. Infrastruktura është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Diskutuam se si mund ta përkrahim vendin për arritjen e një rritjeje të mirë ekonomike. Shënuam se duhet të përballohet korrupsioni dhe të ndërtohet në mënyrë cilësore. Në bujqësi ka një potencial të madh. Kryeministri ka një ekip të shkëlqyeshëm, gjë që i bën përshtypje botës.”

Presidenti i Bankës Botërore vlerësoi pozitivisht faktin se Bullgaria arrin të mbajë deficitin buxhetor në një nivel relativisht të ulët, sidomos në krahasim me deficitet në plan botëror. Përveç kësaj vendi ynë ka një borxh të vogël të jashtëm – vetëm 15 për qind prej prodhimit të brendshëm bruto, gjersa në SHBA për shembull ai është 60 për qind. Rekomandimi i Robert Zoellick ndaj qeverisë ishte për të mbajtur besimin e shoqërisë ndaj tyre dhe për rritje të vëllimit të investimeve në vend.

Në nënshkrimin e marrëveshjes ishte e pranishme komisarja evropiane Kristalina Georgieva, ish zëvendës presidente e Bankës Botërore. Ajo ishte kategorike se Bullgaria duhet të përshpejtojë përvetësimin e resurseve nga fondet evropiane dhe të deklarojë nevojat e saj për periudhën tjetër financiare.

“Në periudhën e krizës ekonomike është jashtëzakonisht e rëndësishme për Bullgarinë që të përdorë të gjitha mundësitë e rritjes ekonomike, duke përvetësuar maksimalisht fondet evropiane – deklaroi komisarja evropiane Kristalina Georgieva. – Ne disponojmë afro 10 miliardë euro në fonde, të cilat duhet të përvetësojmë në vazhdim të tre viteve. Këto mjete janë të Bullgarisë, kurse ne nuk kemi përdorur madje 10 për qind prej këtij resursi financiar.”

Kryeministri Bojko Borisov komentoi nënshkrimin e marrëveshjes kështu: “Kur presidenti i Bankës Botërore i jep një vlerësim të tillë një kabineti, kryeministrit, si dhe ministrave të veçantë për punën e tyre në një periudhe krize dhe angazhohet për ta ndihmuar vendin me ekspertë, e gjithë kjo nuk mund të mos shihet nga komuniteti botëror dhe të mos bëhen përfundimet përkatëse. Një vlerësim pozitiv kishte dhe në raportin e departamentit të SHBA-së, të Komisionit Evropian, kështu qe vullneti ynë politik dhe dëshira jonë që të jemi korrektë në përvetësimin e fondeve evropiane dhe të tërheqim më shumë investime vlerësohet në një mënyrë të denjë. Shpresoj që me ndihmën e ekspertëve të Bankës Botërore t’i përvetësojmë këto 10 miliardë euro nga fondet evropiane.”

Për periudhën nga aderimi i Bullgarisë me grupin e Bankës Botërore në vitin 1990 deri tani shuma e përgjithshme e përkrahjes financiare për vendin kap shumën afro 4 miliardë dollarë amerikanë. Ajo është destinuar për sektorë të ndryshëm si sfera bankare, shëndetësia, ruajtja e mjedisit, politika sociale, industria, biznesi agrar, infrastruktura etj. Aktualisht Banka Botërore bashkë me qeverinë është duke përpunuar një strategji të re për partneritet me Bullgarinë për periudhën 2011 – 2014.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Tanja Harizanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria është ndër të parat në BE përsa i përket regjistrimeve të makinave të reja

Shitjet e makinave të reja në Bullgari në tetor u rritën tri herë më shumë se niveli mesatar i Bashkimit Evropian, ku blerja e makinave të reja ishte vetëm 1.1%. Sipas të dhënave të Asociacionit të Prodhuesve Evropianë të Automobilave, 75.9% e..

botuar më 24-11-23 1.20.MD

Lëvizje në ekonominë bullgare, por në mënyrë të pabarabartë në fusha të ndryshme

Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme në zonat detare dhe në resortet tona balneologjike - ky është përfundimi nga të dhënat në analizën..

botuar më 24-11-20 7.35.PD

Niveli i papunësisë në Bullgari është ruajtur edhe në tetor

Numri i të papunëve që kanë filluar punë është rritur me 830, ose 5,9% krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në tetor kanë filluar punë gjithsej 14852 persona të papunë. Sipas statistikave të Agjencisë, niveli i..

botuar më 24-11-18 12.11.MD