Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria në vitin e larmisë biologjike: procedura paralajmëruese të KE-së kundër Bullgarisë për shkak të mosruajtjes së natyrës

Foto: bluelink.net
Si një vend, i cili për nga larmia biologjike renditet në treshen e parë të Evropës, Bullgaria ka dhe përgjegjësinë përkatëse për ruajtjen e saj. Bumi i ndërtimit gjatë dekadës së fundit ishte një sfidë e madhe për autoritetet. Nuk ndihmuan paralajmërimet për mbindërtim në bregdet dhe në male, siç tashmë ndodhi në shtete të tjera turistike në të kaluarën. Shumë vende me natyrë të bukur tashmë u ngjajnë qyteteve dhe turistët i evitojnë.

Anëtarësimi i Bullgarisë në BE u dha një armë të re mbrojtësve të natyrës dhe një shpresë të re t’i vihet fund kësaj tendence shqetësuese. Bëhet fjalë të kërkohet bashkëveprimi i Komisionit Evropian dhe Gjykatës Evropiane në rastet e shkeljes së ligjeve për mbrojtje të natyrës, në të cilat sistemi vendës i drejtësisë nuk ka ndërhyrë. Për tetë ankesa të mbrojtësve të natyrës kohët e fundit KE i ka dërguar Bullgarisë paralajmërim të parë për shkelje të konstatuara që rrezikojnë larminë biologjike tek ne.

Katerina Rakovska nga dega bullgare e Fondit për natyrën e egër (WWF) rikujtoi për Radio Bullgarinë disa nga rastet më karakteristike. Rasti më frapant është kepi Kaliakra në Detin e Zi. Shpirti i vrullshëm sipërmarrës planifikon ndërtimin e komplekseve të mëdha turistike, shesheve për golf dhe të një parku me gjeneratorë me erë. Për atë të fundit Katerina Rakovska saktëson:

“Sipërfaqja e tij përbën 40% të zonës së mbrojtur Kaliakra, e cila është pjesë e rrjetit evropian “Natura 2000”. Ajo ndodhet në rrugën e madhe të migrimit të zogjve Via pontica, që është njohur që nga kohët e lashta, dhe ndërtimi i gjeneratorëve me erë në të vërtetë është një problem serioz.”

Ndër shembujt emblematikë të luftës epike midis ekologëve dhe sipërmarrësve është dhe vendi Irakli pranë Detit të Zi, në veri të Varnës, ku tani për tani është bllokuar ndërtimi i një kompleksi të madh turistik, por tashmë është asgjësuar një pjesë e bimësisë. Kurse atje jetojnë lloje të rralla zogjsh, pohojnë në ankesën e tyre ndaj KE-së mbrojtësit e natyrës. Një shembull tjetër është plani për ndërtime në bregdetin e parkut natyror Stranxha, në Bullgarinë Juglindore. Atje madje u bë provë të hiqet statuti i territorit të mbrojtur i parkut që të mund të realizohen planet e sipërmarrësve. Është në fuqi një procedurë paralajmëruese e KE-së mbi këtë rast. Dy paralajmërime të tjera janë bërë lidhur me ndërtimin e pajisjeve turistike në malet Pirin dhe Rila pa pasur vlerësim për ndikimin mbi mjedis dhe vlerësim të riskut për llojet e rralla në rrjetin “Natura 2000”. Fjala është për ndërtimin e pistave për ski, teleferikëve dhe rrugëve, që kanë asgjësuar shumë pyje, duke rrezikuar larminë biologjike në rajon. Bullgaria mori paralajmërim nga KE-ja dhe lidhur me ankesën se qeveria nuk ka përfshirë në rrjetin “Natura 2000” sipërfaqen e plotë të 6 zonave, që ishin rekomanduar nga shkencëtarët. KE i rekomandoi Bullgarisë gjithashtu të sinkronizojë legjislacionin kombëtar me atë të BE-së në fushën e larmisë biologjike.

Ministria e Mjedisit dhe Ujërave dërgoi përgjigje mbi të gjitha paralajmërimet, për shumë prej tyre tashmë ka ndërmarrë masat e nevojshme për kapërcimin e problemeve. Lidhur me ndërtimin kaotik të gjeneratorëve me erë, hidrocentraleve të vogla dhe parqeve solare për shembull ministria propozoi moratorium për lejimet e reja për projekte të tilla deri në miratimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e burimeve të ripërtërishme dhe përgatitjen e një harte të vendeve, në të cilat projekte të tilla nuk do të jenë në konflikt me ruajtjen e larmisë biologjike.

“Ideja për moratoriumin në të vërtetë është e Ministrisë së Mjedisit dhe Ujërave – thekson Katerina Rakovska. – Dhe ne e mbështetim. Mirëpo biznesi proteston. Ka një nevojë të madhe që të ketë rregull dhe parime ku mund të ndërtohen burime të ripërtërishme të energjisë. Kjo do të lehtësojë dhe biznesin, sepse ai do të dijë paraprakisht se ku nuk do të ketë probleme me organizatat ekologjike. Për shumë nga projektet ka procese në gjyq dhe kjo është një humbje kohe si për organizatat joqeveritare, ashtu edhe për vetë firmat. Ne propozojmë që të ketë një hartë të Bullgarisë, ku të tregohet qartë se ku mund të ndërtohen instilacione të tilla.” Strategjia dhe harta do të përpunohen nga ministria që sivjet.

Në qoftë se pas procedurave paralajmëruese do të ndjekin ato ndëshkuese, Bullgaria do të paguajë gjoba të mëdha për mosrespektim të rregullave evropiane për larminë biologjike. Por ky nuk është qëllimi i mbrojtësve të natyrës.

“Shpresa jonë është që këto procedura të luajnë rolin e tyre dhe shkeljet të mënjanohen – thotë zonja Rakovska. – Shpresojmë se nuk do të ketë gjoba. Në parim roli i këtyre procedurave të KE-së është që të mënjanohen shkeljet. Sanksioni është masa e fundit. Dhe ne shpresojmë se problemet do të zgjidhen dhe nuk do të ketë sanksione.”

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

WWF - Bullgaria nis fushatën e donacioneve "Abonohu për natyrën"

Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu ​​për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...

botuar më 24-11-06 11.43.PD

Bullgarët e vetëshpallur në Maqedoninë e Veriut janë shumë më tepër se ata të regjistruar

Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..

botuar më 24-11-05 7.05.PD

Si do të ndikojë në BE rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..

botuar më 24-11-04 10.30.MD