Prej 3 vitesh INSAIT e pozicionon Bullgarinë në hartën teknologjike të botës

Që nga themelimi i tij më 11 prill 2022, Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji – INSAIT ka arritur një sërë suksesesh dhe vazhdon ta pozicionojë Bullgarinë në hartën globale të teknologjisë.

Disa projekte të rëndësishme shënojnë këtë rrugë që nga fillimi i vitit 2025:

Ministria e Mbrojtjes dhe INSAIT nënshkruan një memorandum strategjik bashkëpunimi. Bullgaria dhe Instituti organizuan një forum për kriptografinë e aplikuar dhe sigurinë kibernetike - RWC 2025, i cili mblodhi së bashku ekspertë globalë në Sofje.

Me një projekt të INSAIT dhe Sofia Tech Park me vlerë 90 milionë euro Bullgaria u zgjodh për të ndërtuar një nga gjashtë fabrikat e reja të inteligjencës artificiale të Bashkimit Evropian. Një nga prodhuesit më të mëdhenj të smartfonëve në botë – Vivo, po financon kërkimin në INSAIT, i cili do të jetë pjesë e platformës mobile të gjeneratës së ardhshme të kompanisë. Dhe vetëm javë më parë, gjigantët e teknologjisë xAI dhe Google përdorën rezultatet nga INSAIT dhe ETH Zurich për të njoftuar sesi modelet e tyre më të fuqishme gjeneruese të inteligjencës artificiale trajtojnë detyrat matematikore. Google bëri një postim special për BgGPT të INSAIT në blogun e tij, i lexuar nga miliona njerëz në mbarë botën, kujton BTA.

Puna e INSAIT synon gjithashtu zhvillimin e shkencëtarëve të rinj - me financim prej 1 milion leva dhe së bashku me Fakultetin e Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, do të mbahet edicioni i dytë i "Explorer" - një program katërvjeçar për zhvillimin e talenteve bullgare në fushën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë.

Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji - INSAIT, u hap tre vjet më parë në partneritet me dy universitetet më të mëdha teknologjike në Zvicër - Institutin Federal të Teknologjisë në Cyrih (ETH Zurich) dhe Institutin Politeknik në Lozanëtë Zvicrës - École Polytechnique de Lausanne (EPFL). Ideologu për krijimin e tij është studiuesi i njohur bullgar prof. Martin Veçev

Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:

Още от БНР уеб