Aeroplanë, hidroplanë dhe ushqim kozmik – histori nga qielli të mbledhura në muzeun e aviacionit pranë Plovdivit
публикувано на 08.04.25 в 07:30

Që nga përpjekjet e para për të fluturuar me krahë të ndërtuara vetë që në shekullin e 19-të, deri te fluturimet e para luftarake në botë me qëllime zbulimi dhe bombardimi. Nga ulja e parë e suksesshme në histori e një aeroplani me motor të ndalur, deri te fuqia e gjashtë kozmike në botë… Bullgarët padyshim kanë me çfarë të krenohen sa i përket aviacionit tonë. Këto momente të lavdishme nga historia jonë, së bashku me fakte interesante dhe eksponate nga epoka të ndryshme, marrin jetë në Muzeun e Aviacionit pranë Plovdivit. Vizitorët mund të shohin dhjetëra mjete fluturuese – aeroplanë, helikopterë dhe pajisje të lidhura me aviacionin. Një sensacion i vërtetë për njohësit shkakton hidroplani ushtarak i gjelbër Arado – 196 A-3 “Peshkaqeni” nga viti 1938.

Ky është i vetmi eksponat i ruajtur në të gjithë botën, mësojmë nga Rada Banjalieva, drejtoreshë e muzeut të aviacionit.
“Në Bullgari është dërguar një seri nga këta aeroplanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hidroplani është gjerman dhe, meqë ky version është prodhuar vetëm për ne dhe për Rumaninë, është ruajtur vetëm një i tillë, prandaj dhe ngjall kaq interes. Enkas vijnë njerëz nga Evropa, Australia dhe madje nga Indonezia për ta parë. Ndër atraksionet e muzeut është edhe modeli i ‘Jordanov-1’ – aeroplani i parë i ndërtuar në Bullgari në vitin 1915 nga piloti dhe konstruktori bullgar Asen Jordanov.

Vizitorët duan të shohin edhe aeroplanin me motor të Georgi Bozhinov-it, i ndërtuar në vitin 1912. Bozhinov madje mori një ofertë nga pronari i firmës franceze të aviacionit ‘Sommer’ – Roger Sommer, për prodhimin në seri në Francë. Ai megjithatë e refuzoi me dëshirën që aeroplani i tij të ndërtohej në tokë bullgare. Por kjo ndodhi vetëm në vitin 1926. Dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bozhinov arriti të fshehë aeroplanin e tij në një hangar jashtë Sofjes dhe kështu e shpëtoi nga bombardimet.”
Një sallë e veçantë i është kushtuar kërkimeve kozmike. Por në këtë nuk ka asgjë për t'u habitur. Bullgaria ka një kontribut të njohur ndërkombëtarisht në zhvillimin e shkencës hapësinore si shteti i gjashtë në botë që dërgon një astronaut në hapësirë në vitin 1979.
“Ne jemi gjithashtu vendi i tretë në botë që filluam prodhimin e ushqimit për hapësirën pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik,” thotë Rada Banjalieva dhe shton:

“Në sallën ‘Kozmos’ prezantojmë arritjet e shkencës bullgare të hapësirës, si krijimi i të ashtuquajturës ushqim liolifilizuar (i tharë në ngrirje), e përdorur nga astronautët gjatë fluturimeve. Fasule, sallam, kumbull, pjeshkë, luleshtrydhe, kos, hajvar...

Pothuajse gjithçka që hamë në Tokë mund të përdoret edhe në hapësirë. Është ekspozuar edhe aparati që shërben për uljen e anijes kozmike ‘Soyuz-33’, me të cilën u ul astronauti i parë bullgar Georgi Ivanov dhe kolegu i tij rus Rukavishnikov.

Këtu është edhe kostumi hapësinor i Ivanovit. Interesante është edhe serra kozmike bullgare. Është një pajisje ku krijohen kushte të veçanta për kultivimin e llojeve të ndryshme të perimeve. Ajo është përdorur gjatë fluturimit të dytë kozmik bullgar nga astronauti ynë Aleksandër Aleksandrov dhe kolegët e tij.”

Në muzeun e aviacionit mund të bëni fotografi në kabinën e njërit prej avionëve më të njohur të aviacionit bullgar – MiG-21. Ai arrin një shpejtësi që e tejkalon më shumë se dy herë atë të zërit.
"Për fëmijët është shumë interesante, sepse ata shohin avionë gjigantë, mund të hyjnë brenda tyre në ditë të caktuara, kur ne hapim kabinat ose sallonet, dhe të admirojnë brendësinë. Në njërin prej avionëve shfaqim edhe filma për historinë e aviacionit bullgar" – thotë në përfundim Rada Banjalieva.
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Още от БНР уеб