Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pavell Bobekov dhe gramatika e Kryengritjes së Prillit

4
Monumenti i Pavell Bobekov në qendrën e qytetit Panagjurishte
Foto: BGNES

Bullgaria shënon 149 vjetorin e Kryengritjes së Prillit – një ngjarje që çoi në çlirimin e Bullgarisë pas pothuajse pesë shekujsh sundimi osman. Sot, gati një shekull e gjysmë më vonë, nuk duhet të harrojmë se çdo pjesëmarrës në Kryengritjen e Prillit të vitit 1876, pavarësisht nëse ishte udhëheqës apo rebel i zakonshëm, bëri çmos për të çliruar Bullgarinë nga sundimi i Perandorisë Osmane. Ndodh që shumica e të ashtuquajturve apostuj nga Komiteti Gjurgevski, i cili organizoi kryengritjen, nuk morën pjesë në luftime. Në krye të çdo vendbanimi qëndruan veprimtarët e komitetit lokal. Ndër ta, në Panagjurishte, kryeqytetin kryengritës të Distriktit të Katërt Revolucionar, shkëlqen figura e udhëheqësit të ri dhe të talentuar Pavell Bobekov.

Para Çlirimit (1878), Panagjurishte ishte një qytet i madh bullgar i Rilindjes në zonat jugore të malit Sështinska Sredna Gora me mbi 12 000 banorë. Familjet e pasura tregtonin me Evropën dhe me të gjitha provincat osmane. I lindur në Ditën e Shën së Premtes të vitit 1852, Pavell Bobekov ishte djali i parë i Stanjo Bobekov. Babai ishte i varfër dhe punonte si kurbetçi në shtëpitë greke në Kostandinopojë - ku u takua dhe u martua me greken Manto, e cila i lindi gjithsej 5 fëmijë. Vetë i analfabet, Stanjo siguroi me bujari arsimimin e fëmijëve të tij. Kështu, Pavell u diplomua në Kolegjin Robërt në kryeqytetin osman, më pas studioi në Kolegjin Mjekësor Ushtarak në Stamboll. Në atë kohë, ai tashmë po e mbante veten me veprimtari botuese. Për shkak të vdekjes së babait të tij dhe arsyeve të tjera familjare, ai nuk arriti të diplomohej - u kthye në Panagjurishte për t'u kujdesur për familjen e tij.

Pas kthimit në Panagjurishte, Pavell Bobekov bëhet mësues

Duke ditur frëngjisht, anglisht, turqisht dhe greqisht, bullgari i ri u bë mësues në qytetin e tij të lindjes dhe kryetar i vatrës së kulturës. Kur në dimrin e vitit 1876 Georgi Benkovski mbërriti në qytet dhe riaktivizoi komitetin revolucionar të themeluar vite më parë nga Vasill Levski, drejtori i shkollës në qytet, Najden Drinov, i tha atij se nëse duan një kryengritje në Panagjurishte, duhet ta përfshijnë Bobekovin në këtë veprimtari.

Duke e konsideruar veten si një revolucionar praktik të gjithëdijshëm, Benkovski i plotfuqishëm dhe shpërfillës u përplas me Bobekovin si personazh. Ndihmës apostulli nga Komiteti i Gjurgjevos u imponua si forca kryesore lëvizëse e organizimit të kryengritjes në Distriktin e Katërt Revolucionar. I lindur në qytetin fqinj Koprivshtica, Benkovskit nuk i pëlqente kur "gramatikanët", siç i quante ai ata që ishin më të arsimuar se ai, i bënin pyetje të mërzitshme. Vojvoda ose nuk kishte përgjigje për pyetjet, ose ato ishin shumë të diskutueshme. Kulmi i mosmarrëveshjeve shpërtheu gjatë takimit përgatitor për kryengritjen në zonën e afërt Oborishte.

Mbledhja në Oborishte

Atje, të dërguarit e popullit bënin pyetje të thjeshta: Si do ta luftonin pushtetin osman dhe si do të shkonin me çeta në mal, nëse do t’u duhej t’i linin gratë dhe fëmijët e tyre në fshatra? U propozuan atyre, që të mblidhen në kampe të mëdha ku mund të bashkojnë forcat dhe të sjellin gratë dhe fëmijët. Por përsëri ata pyetën - si do të luftojnë nëse gratë dhe fëmijët janë përreth tyre? Në fund të fundit, duke u mbledhur në një vend, ata do ta bëjnë më të lehtë për ushtrinë osmane të vijë, t'i rrethojë dhe t'i shkatërrojë. Asnjë nga apostujt nuk kishte guximin t’u pranonte atyre se nëse shpërthen kryengritja, të gjithë do të sakrifikoheshin në altarin e revolucionit. Në Oborishte debatuan se kur duhet të shpërthejë kryengritja. Shumë veta besonin se koha deri në Pashkët ishte e shkurtër për përgatitje. Benkovski dëshironte të marrë pushtet absolut për të udhëhequr kryengritjen. Takimi ishte në prag të dështimit dhe vetëm elokuenca e Benkovskit dhe zmbrapsja e "gramatikanëve" në emër të kauzës së përbashkët e kontrolluan përplasjen.

Kur kryengritja shpërtheu para kohe më 20 prill 1876 (sipas stilit të vjetër), i vetmi person me arsim ushtarak, Bobekov, u zgjodh kryeqindës – grada më e lartë ushtarake ndër rebelët. Menjëherë pas shpalljes së kryengritjes, në Panagjurishte u zgjodh një Këshill Ushtarak, i njohur edhe si Qeveria e Përkohshme. Anëtarë të saj ishin figura të shquara nga komiteti revolucionar lokal, të cilët morën pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e kryengritjes, dhe Bobekovi, atëherë 24-vjeçar, ishte kryetar i saj. Kështu, ndonëse vetëm për pak ditë, ai mbetet në histori si kryeministri i parë bullgar.

Vetëm kryeqindësi Pavell Bobekov kishte të drejtën të vishte një uniformë të kuqe ndër rebelët

Bobekov komandoi në mënyrë aktive mbrojtjen e kryeqytetit revolucionar. Në luftimet nga 27 deri në 30 prill, kryeministri i ri udhëhoqi me kompetencë mbrojtjen e qytetit. Ai dha një shembull personal në beteja dhe të gjithë banorët e qytetit Panagjurishte, së bashku me ata që erdhën nga fshatrat përreth, luftuan me trimëri. Por epërsia e ushtrisë së rregullt ishte e jashtëzakonshme. Panagjurishte u pushtua dhe u dogj. Mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë. Benkovski e shikonte zjarrin në qytet nga mali Sredna Gora dhe qante. Në të njëjtën kohë, Bobekov i nxori luftëtarët e fundit nga rrethimi. Ai arriti në Koprivshtica dhe liroi rebelët dhe udhëheqësit e tyre - Panajot Vollov dhe Todor Kableshkov - të cilët ishin kapur nga pasanikët vendas.

Fati i dha Pavell Bobekovit mundësinë për të arritur në Vllahi. Në vitin 1876 ishte vullnetar në Luftën Serbo-Turke. Gjatë Luftës Ruso-Turke (1877 – 1878), ai ishte përkthyes në selinë qendrore ruse, por u sëmur nga tifoja dhe vdiq në qytetin Tërnovo në vitin 1877. Ai u varros në oborrin e kishës lokale “Shën Nikolla”, por varri i tij i saktë nuk dihet.

Fillimi i mbishkrimit përkujtimor për sakrificat e bëra nga fisi Xhuxhev në Kryengritjen e Prillit

Qyteti i lindjes i Pavell Bobekovit – Panagjurishte – është qendra e ngjarjeve solemne që lidhen me përvjetorin e Epopesë së Prillit. Tradicionalisht aktivitetet fillojnë me një procesion liturgjik të udhëhequr nga priftërinj të Distriktit Shpirtëror Panagjurishte, në krye me Kryqin e Argjendtë të fshatit Poibrene, me të cilin u bekua Çetën Fluturuese të Vojvodës Georgi Benkovsk.

Një shërbim përkujtimor për ata që vdiqën në Kryengritjen e Prillit mbahet në Kishën “Hyrja e Hyjlindëses Mari në tempull”. Qytetarët dhe mysafirët bëjnë homazhe dhe vendosin lule dhe kurora para zjarrit të përjetshëm të Kompleksit Kombëtar Memorial “Aprillci”. Në mbrëmje me një miting kombëtar me fishekzjarrë, do të respektojnë viktimat e Kryengritjes së Prillit të vitit 1876.

Monumenti në Oborishte

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Fotot: BGNES, Paskal Sebah, Bashkimi Bullgar për Demokraci të Drejtpërdrejtë, Vasja Atanasova, Facebook / Retro Panagjurishte, Stojan Radullov




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Delegatët e UNESCO-s do të vizitojnë Kishën e Bojanës

Kisha e Bojanës do të jetë një qendër tërheqëse për delegatët e sesionit të 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ,  të cilët do të mblidhen në Sofje në korrik të këtij viti. Kisha “Shën Nikolla dhe “Shën Pantelejmoni” është një nga..

botuar më 25-01-12 8.35.PD

144 vjet Shkolla e Lartë Detare në Varna përgatit kuadro të kualifikuara

Shkolla e Lartë Detare “Nikolla J. Vapcarov” në Varna festoi 144 vjetorin e themelimit. Gjatë të gjitha këtyre viteve institucioni arsimor ndjek tendencat për trajnime të specializuara të specialistëve në fusha të ndryshme profesionale që lidhen me..

botuar më 25-01-11 7.35.PD

Në Institutin Maqedonas diskutuan “Krishtlindjet e përgjakshme” në rajonin e Maqedonisë së Vardarit në vitin 1945

Në kryeqytet u shfaq filmi dokumentar i gazetares Milena Milotinova "Vetëm sepse ata ishin bullgarë". Ai kujtoi ngjarjet e të ashtuquajturve “Krishtlindjet e përgjakshme” në Maqedoni në vitin 1945. Në shfaqjen në Institutin Maqedonas asistuan..

botuar më 25-01-10 10.36.PD