Gabriella Haxhikostova (Gabriella Hadzsikosztova) është aktore, e lindur në Sofje në familjen e Liljana Kisjova dhe Konstantin Haxhikostov, artistë shumë të njohur bullgarë nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar. Gabriella jeton në Budapest për më shumë se 40 vjet. Burri i saj është një regjisor i njohur, ata kanë një teatër të tyre. Gabriella Haxhikostova është e nderuar me Kryqin e Artë të Nderit të Republikës së Hungarisë për merita në fushën e kulturës. Ajo është një anëtare aktive e komunitetit bullgar në Budapest, i cili, sipas Ligjit të Minoriteteve në Hungari të vitit 1995, ka një organ të zgjedhur qeverisës të quajtur “Vetëqeverisja Republikane Bullgare”. Të gjitha pakicat në territorin e Hungarisë kanë vetëqeverisje të tilla. Institucionet e tyre financohen përmes tyre, ndërsa shteti siguron ruajtjen e autonomisë kulturore të këtyre pakicave. Gabriella është nënkryetare e Vetëqeverisjes Republikane Bullgare – diçka si një komunë në Bullgari.
Në vitin 1918 bullgarët themeluan një shkollë, në vitin 1932 me donacionet e tyre ndërtuan kishën "Shën Kirili dhe Metodi", në vitin 1957, me donacione nga 445 familje kopshtarësh u ndërtua Shtëpia Kulturore, e cila është një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit.
Bullgarët në Budapest kanë një shkollë, një kopsht fëmijësh, një institut kërkimor, një qendër dokumentacioni, një teatër - i vetmi teatër profesionist bullgar jashtë vendit, i cili është i regjistruar sipas ligjit të teatrit në Hungari. Ata kanë gjithashtu një bibliotekë, një galeri, një gazetë "Lajmet bullgare" - një botim mujor informativ, si dhe një revistë dygjuhëshe për kulturën dhe jetën publike - "Hemus", e themeluar në vitin 1991. Shumë të njohura janë grupet e vallëzimit.
Gabriella Haxhikostova, e cila punon me një staf prej afro 20 personash, është përgjegjëse për organizimin e të gjitha ngjarjeve kulturore dhe edukative gjatë gjithë vitit.
"Tani të gjithë jemi vendosur në një ndërtesë të re, e cila hapi dyert e saj vitin e kaluar, më 25 maj. Është ndërtuar me 90 për qind financim nga shteti hungarez dhe 10 për qind ndihmë nga shteti bullgar. Të gjitha institucionet tona tani janë të vendosura këtu: kopshti, shkolla, biblioteka, teatri, galeria e artit. Është shumë e madhe - 3600 metra katrorë. Gjëja e mirë është se ndodhet pranë kishës dhe përballë Shtëpisë Kulturore. Ne bullgarët na pëlqen të themi se kemi ndërtuar një Bullgari të vogël në një nga lagjet e Budapestit, ku dikur ka qenë tregu me shumicë dhe ku kopshtarët kanë shitur mallrat e tyre. Dikur ka qenë pak një lagje periferike, tani është pothuajse në qendër të qytetit. Kryetari i Vetëqeverisjes sonë Republikane është Danço Musev - një avokat, një erudit i madh, vizionar dhe plot energji. Rrallë kam parë një person të tillë në jetën time! Edhe ai vjen nga një familje kopshtarësh dhe për të e gjithë kjo është mision, çdo gjë e bën me shpirt dhe zemër”, thotë Gabriella Haxhikostova.
Shumica e anëtarëve të Vetëqeverisjes në Budapest janë pasardhës të familjeve të kopshtarëve. Por vala e emigrimit nuk ka mbaruar me ardhjen e kopshtarëve. Migrimi vazhdon edhe sot e kësaj dite, ka shumë familje me martesa të përziera, universitetet hungareze janë të njohura në mesin e të rinjve bullgarë – vë në dukje Gabriella Haxhikostova.
"Një pjesë e inteligjencës bullgare ka zgjedhur Hungarinë si atdhe të dytë me shpresën për një realizim më të mirë. I gjithë ky komunitet i trajton vlerat kulturore të trashëguara me respekt dhe kujdes dhe me guxim mund të pohoj se bullgarët në Hungari kanë jo vetëm një të kaluar të lavdishme, por edhe një të ardhme të qëndrueshme. Bullgarët në Hungari gëzojnë shumë respekt. Në shumë vende në Budapest ka rrugë të quajtura "Kopshtari bullgar", "Shatërvani bullgar". Në një nga tregjet më të mëdha, ku ndodhej bursa, u ndërtua një çezmë e madhe në kujtim të kopshtarëve bullgarë dhe pas kësaj nisme bullgarët vendas u organizuan në zona të tjera të Budapestit dhe ndërtuan çezma të tjera në disa vende. Në këtë mënyrë po popullarizohemi ndër popullsinë hungareze.”
Përveç Vetëqeverisjes Republikane Bullgare, në Hungari ka edhe Vetëqeverisje Lokale Bullgare në qytetet ku jetojnë bullgarët: Debrecen, Miskolc, Sopron, Pécs, Seget etj. Në vetë Budapestin, në çdo zonë ku jetojnë bullgarë, ka gjithashtu vetëqeverisje të tilla – janëvendase, në lagje. Të gjitha ato financohen nga shteti hungarez - shteti hungarez financon jetën kulturore dhe arsimin jo vetëm të bullgarëve, por të të gjitha pakicave të tjera: greke, serbe, kroate, gjermane, ukrainase, sllovene, polake... Autoritetet hungareze nuk i quajnë minoritete, por kombësi, dhe secila kombësi ka të drejtë me ligj të formojë organin e vet të zgjedhur qeverisës. Nëpërmjet tyre shteti jep subvencione që ata t'i shpërndajnë në institucionet e tyre dhe t'i përdorin për të përhapur kulturën e tyre. Sipas Gabriella Haxhikostovës, ky model nuk ka asnjë analog në të gjithë botën.
Meqenëse biseduam me zonjën Haxhikostova pak para Ditës së Gjyshes Marta (1 marsit) dhe festës sonë kombëtare (3 marsit), ajo na tregoi se i shënojnë bullgarët në Hungari këto festa:
“Për datën 1 mars porositim martenica (verore) nga Bullgaria, të cilat ua shpërndajmë të gjithëve që vijnë për koncertin për 3 marsin – festën tonë kombëtare. Teatri ynë po prezanton një shfaqje të re në biblioteka dhe kopshte të ndryshme dhe ne po u mësojmë fëmijëve hungarez atje se si të thurin martenicën. Në shumë vende në Budapest, martenica mund të shihet më pas në pemë.”
Një traditë në Budapest është koncerti gala për festën kombëtare të Bullgarisë:
"Ka gjithmonë një koncert solemn dhe bullgarët në Hungari e kanë festuar Çlirimin shumë kohë përpara se të bëhej festë kombëtare në Bullgari", thotë Gabriella Haxhikosova. "Kjo është një traditë shumë e vjetër. Në këtë ditë futet në sallë flamuri mbi 100-vjeçar i Shoqatës së Bullgarëve në Hungari. Më pas luhen himnet e dy kombeve, ambasadori bullgar mban një fjalim, si dhe drejtuesit lokalë dhe më pas fillon një koncert gala. Ftojmë mysafirë kryesisht nga Bullgaria."
Mund të mësoni më shumë për bullgarët në Hungari nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Fotografitë janë dorëzuar nga Gabriella Haxhikostova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Zogjve njoftoi në faqen e saj në Facebook për dy shkaba egjiptiane të helmuara në Rodopet Lindore . Një zog - femër, me një transmetues të bashkangjitur, vdiq në duart e Dr. Volen Arkumarev. Shkaku i vdekjes, sipas..
8 prilli është dita kur romët në mbarë botën festojnë identitetin e tyre. “Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kohë për të treguar se jemi pjesë e kombit bullgar, e komunitetit evropian dhe kontribuojmë në zhvillimin e kulturës vendëse, por..
Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë shpalli rregullat për pranimin e studentëve, doktorantëve dhe specializantëve për studime në institucionet shtetërore të arsimit të lartë të Bullgarisë, sipas Dekretit nr. 103/1993 të Këshillit të..
Radioja Kombëtare Bullgare, si lider në tregun mediatik në vend, po aplikon me sukses inteligjencën artificiale në programet e saj. Lajmet e radios..
Formacionet ushtarake nga Forcat Tokësore hapin dyert e tyre me rastin e 6 Majit - Ditës së Trimërisë dhe festës së Ushtrisë Bullgare, njoftoi..