Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çeku Ludvík Kuba i kushton një vëllim këngëve popullore në trojet bullgare

Foto: Arkiva personale

Në fund të shekullit XIX, piktori dhe folkloristi çek Ludvík Kuba ndërmerr një udhëtim në trojet tona për të studiuar trashëgiminë bullgare të këngëve. Pasi regjistron meloditë e dëgjuara, ai i kushton një vëllim të tërë Bullgarisë në serinë e tij “Sllavizmi në këngë”. “Ludvík Kuba dhe kultura bullgare e këngës nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX: midis qytetit dhe fshatit” është tema e një ligjërate më 29 prill në Institutin për Etnologji dhe Folkloristikë me Muze Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave  (IEFEM-BAN) në Sofje.

Ludvík Kuba, i lindur në vitin 1863 në qytetin Podebrady, që i vogël tregon interes për pikturën dhe muzikën. Meqë ndjek shkollën e organos, prindërit i parashikojnë një të ardhme si muzikant kishtar. Fëmija kur rritet vërtet gjen rrugën drejt muzikës, por jo i mbyllur pas mureve të ndonjë katedraleje, por në hapësirat e shteteve të ndryshme të afërta dhe të largëta. Së pari ai mbaron arsimin artistik në Pragë, Mynih dhe Paris, për një kohë punon në Vjenë dhe paralelisht me aktivitetet e tij para telajos ushqen një interes të fortë për gjuhët dhe kulturën sllave. Duke ndërmarrë udhëtime në vende të ndryshme, ai arrin të transkriptojë 1558 këngë në nota dhe, në të njëjtën kohë, të zhvillojë karrierën e tij si piktor impresionist.

„Ludvík Kuba arrin të bindë njerëzit t’i këndojnë, sepse në atë kohë ende nuk ekzistonte teknologjia për regjistrim dhe gjithçka bëhej përmes dëgjimit – tregon etnomuzikologia dhe autorja e ligjëratës në institutin e Akademisë Bullgare të Shkencave, Prof. Asoc. Vesellka Tonçeva. – Ai ishte vërtet një muzikant i mirë, ndoshta i pajisur me dëgjim absolut, sepse e transkriptonte këngën në nota menjëherë gjatë këndimit, në lartësinë reale të tonit."

Gjatë ardhjes së tij të parë në Bullgari në vitin 1894, çeku përshkon rajonet përreth Sofjes, Tatar Pazardzhikut dhe Plovdivit, ndërsa në ardhjen e dytë në vitin 1928 përqendron kërkimet e tij në Rodopet dhe në disa fshatra të veçanta. Në mjedisin urban, ai regjistronte gjithashtu këngë fshati – dhe anasjelltas – sepse në kufirin midis shekullit XIX dhe XX vërehej ndërveprim midis kulturës urbane dhe asaj rurale.

"E dimë që për një kohë të gjatë Bullgaria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane – vazhdon Prof. Asoc. Vesellka Tonçeva. – Atëherë kemi jetuar në mënyrë relativisht të mbyllur dhe hapja jonë ndaj kulturës evropiane dhe asaj urbane ndodh në Bullgarinë pas çlirimit, gjë që ndikon në mënyrë të pashmangshme në repertorin muzikor. Rezulton se arti muzikor është mjaft i përshkueshëm ndaj modeleve të reja. Ludvík Kuba e njihte muzikën evropiane, harmoninë, mënyrën e të menduarit, por si studiues i jashtëm për kulturën tonë, punonte me një perceptim tjetër, me kode të tjera kulturore – veshi i një evropiani është vërtet i koduar ndryshe. Megjithatë, ai ia del dhe disa nga shembujt e tij janë fjalë për fjalë variante të këngëve tashmë të regjistruara."
Ai i kushton gjithashtu dy vëllime nga seria e tij madhështore prej 15 librash “Sllavizmi në këngë” folklorit popullor bullgar dhe atij maqedonas.

“Duhet të pranoj se në përmbledhjen bullgare nuk ka aq këngë të njohura sa në atë maqedonase, ku mund të ndeshim, për shembull, ‘Vajto o pyll, vajto o motër’ e bazuar tërësisht mbi melodinë e ‘I bukur je, o pylli im’” – thotë etnomuzikologia.

Një detaj i rëndësishëm është se Ludvík Kuba i harmonizon të gjitha këngët, domethënë ato tingëllojnë me shoqërim në piano. "Kjo është një qasje interesante, sepse kënga popullore bullgare nuk zotëron mënyrën e të menduarit mazhor-minor të harmonisë perëndimore, por ai arrin ta vendosë atë brenda këtyre kornizave dhe njëkohësisht ta ruajë specifikën e tingullit më ekzotik ballkanik," shton Prof. Asoc. Vesellka Tonçeva. Çeku gjithashtu i përkthen të gjitha tekstet në gjuhën e tij amtare.

Pasi në periudhën 1925–1927 mbledh material për përmbledhjen "Këngë maqedonase", në parathënien Ludvík Kuba deklaron se maqedonasit janë bullgarë, se gjuha e tyre është bullgare dhe se këngët që këndojnë janë bullgare. Por si ndodhi që e gjithë kjo të kalonte pa u ndëshkuar, në një kohë kur autoritetet zyrtare në Beograd përpiqeshin të bindnin botën se krijimtaria popullore në Maqedoni ishte serbe?

"Konteksti historik në Çeki ishte i tillë që kjo ishte e mundur, përveç kësaj Ludvík Kuba udhëtonte me persona shoqërues – përgjigjet etnomuzikologia. – Ai arrin të lidhet me një student nga Maqedonia me vetëdije bullgare, i cili udhëtonte së bashku me të në këto rrugë – madje merrte me vete edhe të birin. Studiuesi kishte gjithashtu mbështetje politike dhe financiare të nivelit më të lartë në atdheun e tij."

Jeta e Ludvík Kuba duket me ngjyra si një pikturë – ai pikturonte kryesisht peizazhe dhe shëtiste me kalë nëpër toka për të mbledhur meloditë që kishin lindur aty.

"Në shumë prej shteteve, përfshirë edhe Bullgarinë, ai arrin të kapë shpirtin – thotë Prof. Asoc. Vesellka Tonçeva. – Ai pikturon kisha, xhami, pazare, veshje, jetën e përditshme, festimet. Kjo kompleksitet i personalitetit të tij është shumë i rëndësishëm dhe interesant, sepse me dy mjete të ndryshme arrin të ndjejë thelbin e çdo vendi."

Ludvík Kuba ndahet nga kjo botë në moshën 93-vjeçare, duke marrë vlerësim për misionin e jetës së tij: të njohë krijimtarinë mjuzikore të shumë popujve dhe ta paraqesë atë në një formë të gatshme për interpretim. Për fat të keq, kontributi i tij për njohjen dhe ruajtjen e folklorit bullgar ende mbetet i panjohur për publikun e gjerë në vendin tonë.

"U lidha me stërnipin e tij, Jarosllav, dhe ai është shumë i pasionuar për të promovuar Ludvík Kubën në vendet ku ka punuar. Falë tij, unë kam shumë faqe të kopjuara nga arkiva në Podebrady, dhe aty gjeta këngë që mungojnë në përmbledhjet bullgare dhe maqedonase. Gjeta gjithashtu shumë dorëshkrime, variante përpjekjesh për harmonizim – e gjithë kjo do të na japë një pamje edhe më të plotë dhe më të thelluar për të," përfundon Prof. Asoc. Vesellka Tonçeva.

Lexoni më tepër:

Foto: arkiva personale e Vesellka Tonçevës, Facebook /Davor Lazarević - istoričar, IEFEM-BAN, digitalniknihovna.cz
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Fabrice Petit - një muzikant i huaj i dashuruar me muzikën folklorike bullgare

Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..

botuar më 24-10-06 8.35.PD
Teqeja Emala Baba

Dervishët në trojet tona - legjendat dhe misteret rreth teqesë së fshatit Bivoljane

Sipas dokumenteve osmane, afër fshatit të sotëm Bivoljane në komunën e Momçillgradit (Bullgaria Jugore) jetonin më shumë se 500 dervishë , të cilët u trajnuan në teqen Elmala Baba. Qendra fetare dikur ishte e njohur si qendra më e madhe e..

botuar më 24-09-23 8.15.PD

Esther Willems - një koreografe nga Haga, sipas së cilës shpirti i bullgarit është i injektuar në valle

Haga, një qytet në pjesën jugore të Holandës, një qendër administrative dhe një vend ku jeton dhe vepron mbretëresha... Vështirë se dikush e lidh këtë qytet me folklorin dhe traditat bullgare. Megjithatë, është fakt se në Hagë interesimi për vallet..

botuar më 24-09-20 7.35.PD