Këtë vit, ortodoksët dhe katolikët kremtojnë së bashku Ringjalljen e Krishtit. Në të njëjtën datë, e gjithë bota e krishterë do ta kthejë vështrimin nga varri i zbrazët dhe do të përpiqet, me të gjitha mundësitë e saj, të bashkëpërjetojë habinë e grave mirombajtëse, të cilat të parat e panë atë. Edhe pse katolikët e kremtojnë këtë ditë me solemnitetin e duhur, ata i japin më shumë rëndësi Lindjes së Krishtit, ndërsa për ortodoksët "festa e festave" është pikërisht Pashka. Sipas dr. Zllatina Karavëllçeva, historiane e Bizantit dhe teologe, nuk ka rëndësi se cila është festa më e madhe, por cili është kuptimi i faktit që Krishti u lind, vdiq dhe u ringjall.
Shumë prej nesh festojnë sipas traditës, pa u thelluar në thelbin e Ringjalljes dhe kështu humbasim nga plotësia e gëzimit që kjo ditë ofron bujarisht. Ata e ngarkojnë atë me simbolikë që rrethojnë ringjalljen e natyrës, por simbolet nuk ushqejnë shpirtin e njeriut. Çfarë është ajo që na mungon?
"Si të krishterë, ne nuk besojmë se bëhet fjalë për metafora dhe simbole – thotë dr. Zllatina Karavëllçeva. – Në Lindjen e Krishtit nuk bëhet fjalë për lindjen e një fillimi të ri, të cilin të gjithë ne e përshëndesim dhe e njohim nga përvoja jonë jetësore. Në të njëjtën mënyrë, në Ringjallje nuk bëhet fjalë për qarkullimin e përhershëm të jetës, ku pas çdo vdekjeje pason ringjallja dhe një jetë e re, e cila megjithatë sërish zhytet në vdekje, për t'u ringjallur përsëri më vonë – jo, ky interpretim i festave të krishtera rrënjoset në horizontin tonë të kufizuar njerëzor. Ndërsa Kisha na thërret të shikojmë përtej tij dhe të kuptojmë se Zoti i bën të gjitha këto – lind si njeri, jeton si njeri dhe ringjallet, ashtu siç askush nuk e ka bërë më parë, për të zgjidhur problemin e madh të njerëzimit me vdekjen. Dhe ky është thelbi i besimit të krishterë – se Krishti ringjallet jo ashtu siç ringjall Llazarin, ose njerëz të tjerë të vdekur gjatë jetës së tij në tokë. Edhe pse i ringjallur, Llazari më vonë vdes, ashtu siç vdes çdo njeri. Me Krishtin është ndryshe – ai vdes si çdo njeri, por më pas bën diçka që asnjë nga ne nuk mund ta bëjë: ringjallet në një mënyrë të tillë që të mos vdesë më kurrë. Mundësia për ringjallje, fakti që të gjithë njerëzit do të ringjallen, jo metaforikisht, jo në mënyrë figurative, por në mënyrë reale, është thelbi i besimit të krishterë. Krishterimi është i pakuptimtë, bëhet i lehtë, relativizohet pa këtë besim në Ringjalljen, e cila është një fitore përfundimtare dhe e qëndrueshme mbi vdekjen."
Poetja bashkëkohore bullgare dhe autore e librave për fëmijë dhe të rritur, Marija Doneva, e cila dallohet për figuracionin e saj prekës, të ngrohtë dhe tokësor, ka një poezi të shkurtër kushtuar Ringjalljes.
Krishti u ringjall për të mirët,
për të dashuruarit pas grave të tyre,
për punëtorët, për të butët,
dhe për vetmitarët me macet.
Por edhe për budallenjtë, për të këqijtë,
për poshtërakët dhe hajdutët,
dhe për ata që jetojnë në mëkat.
Dhe, në fakt, më së shumti për ta.
Dr. Zllatina Karavëllçeva komenton këtë vepër me fjalët e mëposhtme:
"Ky është shumë ungjillor, me shumë referenca ndaj fjalëve të Krishtit. Referenca e parë që më vjen menjëherë në mendje janë fjalët e tij: 'Unë nuk erdha për të drejtët, por erdha për mëkatarët.' Dhe me të vërtetë, vëmendja e butë e Krishtit ndaj të përjashtuarve shoqërorë, të cilët shoqëria i njeh si njerëz imoralë, të parealizuar – kjo vërehet shumë qartë dhe dukshëm në Ungjill. Krishti tregon kujdes të veçantë ndaj tyre, jo për të relativizuar problemet e tyre, për t’u treguar se edhe ashtu mundet, por për të thënë se të tillë siç jeni, me të gjitha plagët tuaja, me shpirtin dhe zemrën që rrjedhin gjak, ju jeni krijesat e Mia dhe mbani imazhin Tim, dhe ky imazh nuk mund të fshihet. Dhe kjo është mesazhi i Krishtit për secilin prej nesh: thellë në zemrën e çdo njeriu jeton e pashlyeshme fytyra e Krishtit. Pikërisht drejt saj zgjat dorën Krishti, pikërisht këtë imazh dëshiron të zgjojë te secili prej nesh."
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..
Gjetjet nga gërmimet arkeologjike të tumës Kozareva u bënë një sensacion i vërtetë në vitin 2014, kur u prezantuan për herë të parë para publikut të gjerë. Ndër eksponatet e shkëlqyera dallohen amuletat e bëra nga kafka njerëzore, enë balte dhe vegla..
Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas tij, ky është një gjetje jashtëzakonisht e rrallë. Koka ndodhej pranë foltores së tempullit dhe..